Politike

Përgjimet e ‘Bild’ për blerje votash, si i denoncoi PD dhe PS ‘protagonistët’ në Dibër

Zgjedhjet e pjesshme për bashkinë e Dibrës në vitin 2016 u mbajtën pas skandalit të videos së kryebashkiakut socialist Shukri Xhelili. E gjithë vëmendje e politikës u zhvendos në Dibër, duke e kthyer atë në kryeqendrën e Shqipërisë, pasi e gjithë qeveria, drejtuesit e opozitës u zhvendosën atje. Edhe pse ishin zgjedhje lokale procesi mori përmasat e një beteje sikur kush do të qeveriste Shqipërisë, e jo bashkinë e Dibrës.
Beteja e egër e fushatës elektorale, ku PS-ja kandidonte Muharrem Ramën dhe PD-ja me Sherefedin Shehun. Dhjetë ditë përpara votimit Partia Demokratike do të bënte kallëzimin penal në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Partia Demokratike dorëzoi më 1 shtator një kallëzim penal në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për një grup të strukturuar kriminal, sipas saj, i cili blen vota dhe kanos votuesit dibranë për llogari të kandidatit Muharrem Rama.
Demokratët bashkë me padinë e depozituar jepnin edhe emrat e grupit që ishte pjesë për blerjen e votave, ku në mes tyre është edhe Arben Keshi, emri i personit të dalë në 16 audiopërgjimet e Prokurorisë të publikuara nga gazeta “Bild”. Keshi kishte edhe një telefonatë me kryeministrin Edi Rama për çështjen e zgjedhjeve në Dibër.

Faksmile e kalllëzimit të PD-së për zgjedhjet


Grupi prej 12 vetash i denoncuar nga PD-ja
Në kallëzim e firmosur nga Edi Paloka, si kryetar i grupit parlamentar të PD-së, pretendohej se “ky grup kriminal i përbërë nga drejtues të administratës publike, të tatimeve, shefi i policisë e deri tek mjeku i KEMP-it, janë vënë në shërbim të skemës kriminale për blerjes e zgjedhjeve në Dibër. Në kallëzimin penal, Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë të nisë menjëherë hetimet për të vënë përpara përgjegjësisë këta kriminelë të votës së lirë, të veshur me pushtet nga Edi Rama dhe lidhjet e tij kriminale”.
Demokratët në padi renditën edhe listën e personave që sipas tyre përbënin edhe grupin që ishte caktuar për blerjen e votave. Emrat e personave të implikuar në aferën korruptive sipas deklarimit nga selia blu, ku pretendohet se PD-ja i kishte mbledhur informatat nga banorët e këtyre zonave, rezultonin: Dionis Ymeraj (Imeraj) – Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Tatimeve në Dibër, si personi përgjegjës i ngarkuar me detyrën e sigurimit të fondeve financiare për blerjen e votave, si dhe është duke realizuar veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së parave në zonat e Sllovës dhe Kalasë së Dodës. Aktualisht Ymeraj është kandidati i PS-së për bashkinë e Dibrës. Në kallëzimin e PD-së theksohej se Ymeraj furnizonte me mjete financiare edhe personat që janë të ngarkuar me detyrën e shpërndarjes së parave në këmbim të votës në zona të ndryshme të Bashkisë Dibër.

Edi Rama dhe Dionis Imeraj në fushatën elektoral të prezantimit si kandidat për bashkinë e Dibrës


Konkretisht ato ishin Afrim Mikli, kryetar i PS Dibër, ku PD- pretendonte se kryenin veprimtari kriminale të shpërndarjes së parave në këmbim të votës në zonën e Muhrrit dhe Selishtit; Arben Keshi, Drejtor i Qendrës së Mbyllur për të Huajt e Parregullt në Republikën e Shqipërisë, kryen veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së parave në këmbim të votës në zonën e Maqellarës.
Arben Keshi në audiopërgjimet e publikuara nga gjermania “Bild” duket se ka një rol të rëndësishëm në zgjedhjet e Dibrës, ai shihet si koordinues në bisedat me ministra të asaj kohe, apo dhe deputetë socialistë. Rama në reagimin e tij për përgjimet do të theksonte se Keshi asaj kohe nuk punonte në ministrinë e Brendshme, por ishte caktuar administrator i njësisë së Maqellarës.


Emri tjetër që PD-ja do të denonconte ishte ai Agron Malajt – Drejtor Rajonal i OSHEE-së për Veriun. Ai njihet si pjesë e grupit të zjarrit të Gardës që ishte në protestën e 21 Janarit. Malaj aktualisht është kandidati i PS-së për zgjedhjet e 30 qershorit për bashkinë e Matit.

Agron Malaj gjatë fushatës për zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019


YIli Mikli, administrator i njësisë administrative Muhurrit, do të ishte një tjetër emër i përmendur nga PD-ja, si dhe Spartak Koltraka, cili vepronte sipas opozitës në zonën e Kastriotit.
Emrat e tjerë të denoncuar nga PD-ja ishin Nuri Meta; Qamil Leta eksponent i PDIU-së, si dhe Jetmir Leshi – mjek, me detyrë anëtar i Komisionit Mjekësor të përcaktimit të Aftësisë së Kufizuar (KEMP); Drini Gjeci – Drejtor i Drejtorisë Rajonale Arsimore në Bashkinë Dibër; Sonila Braha – Drejtore e Shërbimit Social; Robert Aga – Shef i Komisariatit të Policisë Peshkopi.
Drini Gjeci është një nga zyrtarët që i del emri në përgjimet e publikuara nga Bild, si drejtor i Zyrës Rajonale të Arsimit, atij i kërkohet që drejtorët e shkollave të deklaronin votën pro PS-së, i tillë ishte edhe materiali i bisedës mes tij dhe deputetit të PS-së, Pjerin Ndreu sot kandidati i së majtës për bashkinë e Lezhës.

Faksimile e denoncimit të dytë të PD-së


Por PD-ja nuk do të mjaftohej vetëm me kaq, disa ditë më vonë do të dërgonte edhe materiale shtesë për këtë kallëzim duke përfshirë edhe emrin e Ymer Lalës për zgjedhjet në Dibër, si dhe emrin e ministrit të Energjetikës, Damian Gjiknuri. “Pjesë e grupit të strukturuar kriminal, në cilësinë e organizatorit, sipas të dhënave rezulton të jetë edhe shtetasi Damian Gjiknuri, me detyrë ministër i Energjetikës, i cili në një takim të zhvilluar në qytetin e Peshkopisë, ku merrnin pjesë edhe disa anëtarë të shtabit elektoral të PS-së, midis tyre edhe kandidati Muharrem Rama dhe shtetasi Ymer Lala, është shprehur se “Kemi porosi nga Shefi, që zgjedhjet duhen marrë me çdo çmim. Dhe vota nuk ka çmim. Këto nuk janë zgjedhje lokale, por janë test për zgjedhjet e ardhshme dhe duhen marrë me patjetër. Për lekë mos u kurseni fare”, thuhej në materialin shtesë të kallëzimit të depozituar nga PD-ja më 8 shtator të 2016-ës.
Për shkak të frikës së blerjes së komisionerëve, PD-ja nuk pranoi që përfaqësuesit e saj të ishin banorë të zonës së Dibrës, por i “importi” nga Tirana dhe i vendosi në çdo QV dhe në KZAZ, si dhe në numërimin e votave.

Damian Gjiknuri,kandidati Muharrem Rama dhe deputeti i PS, Sadri Abazi në fushatën elektorale të 2016-ës


Akuzat e PD-së asaj kohe, kandidati socialist i hodhi poshtë si të pavërteta. “E përfshirë në ethet e humbjes së pritshme në zgjedhjet e pjesshme të 11 Shtatorit për kreun e Bashkisë së Dibrës, Partia Demokratike është angazhuar intensivisht në një skemë për të krijuar alibinë justifikuese të disfatës elektorale. Këtij objektivi i shërben edhe kallëzimi i bërë sot publik, akt që në thelb synon vetëm të baltosë procesin zgjedhor, në kushtet kur kjo forcë politike nuk arrin dot të sigurojë rezultatin e dëshiruar. Ndërsa do të akuzonte opozitarët për presione dhe blerje votash që nga kryetari i bashkisë së Kazmës, Xhelal Mziu, Kryetarin e Grupit Parlamentar të PD-së, Edi Paloka, Sekretarin e Përgjithshëm Arben Ristani, ish-zv.ministrin e Brendshëm, Genti Strazimiri, ish-ministrin e Drejtësisë Aldo Bumçi, ish-ministrin e Arsimit Myqerem Tafaj dhe deputetin Luçiano Boçi. “Ish-ministri i Brendshëm Flamur Noka po ushtron presion në Maqellarë, ndërsa ish-ministri i Ekonomisë Florion Mima në Sllovë. Gjithashtu, ish-ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana është duke ushtruar presion të drejtpërdrejtë mbi zgjedhësit e njësisë së Kaladë së Dodës dhe ish-ministri i Mbrojtjes Arben Imami në Lurë. Këtij angazhimi kriminal nuk i kanë shpëtuar as figura të tjera problematike në të shkuarën e tyre si ish-drejtori i Përgjithshëm i Doganave Flamur Gjymyshka e ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Xhemal Gjunkshi”, do të shprehej shtabi elektoral i PS-së asaj kohe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë