Lajme

Përgjimet e Dibrës, Prokuroria e Krimeve të Rënda heq dorë. PD: Skenar i Ramës

Prokuroria e Krimeve të Rënda shpall mos kompetencën për hetimin e dosjes “184”, që konsiston në përgjimet për blerjen e votave në zgjedhjet e parakohshme lokale për Bashkinë e Dibrës në vitin 2016.
Nga Korriku dosja i ka kaluar Prokurorisë së Dibrës me vendim të Prokurorit Klodian Braho. Paraprakisht, si arsye e mos kompetencës është artikuluar se në këtë çështje nuk kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal.
Pas këtij vendimi pritet të caktohet prokurori që do të marrë nën shqyrtim dosjen e shumëpërfolur hetimore, pas përgjimeve të publikuara nga prestigjiozja gjermane “Bild”. Dosja 184 është regjistruar për veprat penale “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhor” dhe “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.

Prokurori Klodian Braho

Në përgjimet e publikuara nga “Bild” përmenden emrat e kryeministrit Edi Rama, ish-ministrit të Energjitikës, Damian Gjiknuri, ish-deputetit Pjerin Ndreu (aktualisht kryetar i Bashkisë së Lezhës), i ish-deputetit Artan Gaçi, i drejtorit në Ministrinë e Brendshme, Arben Keshit, i shefit të komisariatit nr. 5 në Kamëz, Sali Skurës, si dhe i drejtorit i zyrës arsimore të Dibrës, Drini Gjeçi.


Pas këtyre përgjimeve nga “Bild”, kryeministri Edi Rama, edhe rënë pre e aparateve të prokurorisë, mbante reagime të njëpasnjëshme, duke deklaruar nëpërmjet rrjeteve sociale se do ta padiste gazetar gjerman “Bild”, Peter Tiede për publikimin e sekreteve hetimore. Madje Rama bëri të ditur se kishte pajtuar edhe një avokat gjerman për ndjekur këtë çështje në Gjermani.

Kryeministri do të shprehej se këto përgjime u publikuan qëllimisht dhe u shpërndanë nga prokurorë pranë PD-së me qëllim për të krijuar trazira në vend, duke i lidhur këto me protestat opozitës.


Reagimi i PD-së
Pas bërjes publike të këtij fakti ka qenë i menjëhershëm reagim i Partisë Demokratike nëpërmjet sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi, duke e cilësuar si një skenar të kryeministrit Rama për të varrosur hetimet.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi


“Heqja dorë nga hetimi prej Prokurorisë së Krimeve të Rënda është skenari që i siguron paprekshmëri Edi Ramës, Damian Gjiknurit, Pjerin Nderut, Ulsi Manjës, Arben Keshit, Dionis Imerajt, Valbona Sakos dhe të gjithë bandës së partisë në pushtet, të kapur në flagrancë me përgjime të ligjshme të vetë prokurorisë. Heqja dorë nga hetimi dhe kalimi i dosjes në Prokurorinë e Dibrës, me urgjencë dhe në fshehtësi, në prag të ngritjes së SPAKU-t, është qartazi shmangie e kalimit të kësaj dosje tek SPAK-u. Heqja dorë nga hetimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda është provë sesi hajdutët e zgjedhjeve nuk ndëshkohen, por mbrohen nga prokuroria e kontrolluar tërësisht nga Edi Rama”, deklaroi Bardhi.

Për partinë më të madhe të opozitës, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka pushuar së ekzistuari si e tillë dhe me urdhër të Edi Ramës, është shndërruar në një prokurori private që nuk ndëshkon krimin e vjedhjes së zgjedhjeve, por e mbron atë.

“Pasi bllokoi për 3 vjet hetimin e dosjes 184, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka hequr dorë nga hetimi i saj, duke vendosur në fshehtësi mos kompetencën. Pasi u dështoi plani i mbylljes së hetimeve në heshtje dhe pa transparencë, kalimi i dosjes në Prokurorinë e Dibrës është praktikisht mënyra për varrosjen e hetimeve për vjedhjen e zgjedhjeve. Mbyllja e dosjes 184 duke e varrosur atë në Dibër, larg vëmendjes publike, nuk ka për ta shpëtuar Edi Ramën nga përgjegjësia e tij direkte për vjedhjen e zgjedhjeve. Edi Rama mund të ketë hequr qafe për pak kohë SPAK-un, por ai nuk mund të heqë dot qafe shqiptarët, shumica e të cilëve kërkojnë largimin e tij”, theksoi Bardhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë