Politike

Përgjimet/ PS i mbron. Gjiknuri si Dako: Takojmë çdo qytetar! Qefalia “mbrohet” me Xhevahiren

Pas publikimit të 10 audiopërgjimeve të reja nga gazeta gjermane “Bild” për zgjedhjet e Dibrës, ish-ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri ka reaguar duke përdorur të njëjtën shprehje si bëri edhe kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako. “Zgjedhjet do të bëhen se pa zgjedhje nuk do ti lemë bashkitë. Do të shkojmë përditë, do të takojmë njerëz, do të bindim njerëzit pse duhet të votosh për ne. Patjetër strukturat e partisë i kemi të tilla që thonë ‘po, ne presim të marrim kaq vota’ dhe këtu nuk ka asgjë të keqe. Investimet do të vazhdojnë, jo vetëm në Vlorë por në të gjithë Orikumin”, deklaroi Gjiknuri në takimin me banorët e zonës së Orikumit të Vlorës, ku prezantoi kandidatin Dritan Leli për bashkinë e qytetit jugor.
Shprehja do të flasim me çdo njeri, ishte edhe edhe e Vangjush Dakos, që ishte pjesë e audiopërgjimeve dosjes 339 të bandës së Avdulajve. Gjiknuri gjithashtu me anë të një postimi në Facebook ka ironizuar dhe ato përgjimet që dolën nga Bild, ku i shprehte Arben Keshit se do t’i dërgonte një furgon me djem problematikë dhe t’i ketë me vete në zgjedhjet e Dibrës.
“Pranë furgonit me gocat dhe çunat "problematik" të Forumit Eurosocialist të Vlorës, me të cilët po udhëtojmë në çdo lagje për të prezantuar Dritan Lelin dhe skuadrën e Partisë Socialiste në Këshillin Bashkiak”, shkruan Gjiknuri në llogarinë zyrtare të rrjetit social, Facebook.

https://www.facebook.com/damian.gjiknuri.official/photos/a.530136333774521/2312864595501677/?type=3&theater


Në përgjimet e publikuara mbrëmjen e së mërkurës, Gjiknuri flet me Ymer Lalën, për të cilin “Bild” e cilëson si bos të mafies shqiptare. “Tërmet, tërmet kemi bërë, doli llafi yt, një mijë vota plus”, i shprehet Gjiknuri në telefonatën e tij me Lalën.

Qefalia mbrohet: Fola miqësisht me shokun e fëmijërisë
Ndër përgjimet e publikuara janë edhe bisedat e deputetit të Partisë Socialiste, Xhemal Qefalia me drejtorin e Policisë, Robert Ago (Aga). Në dy bisedat telefonike Ago dhe Qefalia flasin për votat dhe shefi i policisë së Dibrës, i kërkon favor përfaqësuesit të PS-së që të transferojnë me punë si drejtues i komisariatit të Bulqizës. Madje në audiopërgjim ai flet edhe me ministrin e Brendshëm të asaj kohe Samir Tahiri, me kryekomisionerin e Ligjeve, Ulsi Manja. Bisedat e tyre janë edhe me një fjalor banal, përtej etikës së një deputeti apo zyrtari të lartë.

Socialisti Xhemal Qefalia në seancë, duke u takuar me deputetin Spartak Braho


"Pallavra, Ishin biseda miqësore me shokun e fëmijërisë" është shprehur Qefalia në një prononcim të shkurtër për gazetarët. Ndërkaq deputeti socialist, anëtari i komisionit të Sigurisë ka postuar një rrjetet sociale një mesazh të Xhevahires nga Dibra, e cila ka reaguar ndaj audiopërgjimeve të publikuara. “Xhevahire nga Dibra! Se llogje Kavaje nuk shkon! Të përgjosh dhe ta quash krim elektoral pse flet në telefon me një shok fëmijërie dhe shkolle madje ky shoku nuk është as kriminel as person pa integritet, por është ushtarak , oficer karriere! Mirë që ligjet dhe institucionet nuk i njohin, por këto kanë filluar të mohojnë dhe marrëdhëniet miqësore dhe shoqërore ! Ndjesë për fjalorin dhe këta qofshin këto që janë!”, është mesazhi i postuar në Facebook nga Qefalia.

Statusi i Qefalisë në Facebook


Tahiri kërkon ndjesë për fjalorin
Për skandalin e përgjimeve ka reaguar edhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili ka kërkuar në mënyrë publike ndjesë për fjalorin e papërshtatshëm të përdorur një bisedë private.
“Ndjesë çdo qytetari për fjalorin aspak të përshtatshëm që u dëgjua në një bisede private ku merrja pjesë. Shumë nga këta që bëjnë moral në politike, media e portale, fjalorin e atille e shumë më tepër se aq e kane të shkruar në balle në vendime qeverisë, në akte publike a sjellje të përditshme, përsëri ç’u dëgjua prej meje nuk përputhet kërkund me vlerat që duhet të tregojmë, qofte edhe në jetën a bisedat private”, shkruan Tahiri në Facebook.

Saimiri Tahiri


Por ish-ministri thekson se biseda e tij me drejtorin e Policisë së Dibrës, nuk ka asnjë lidhje me blerje apo vjedhjen e votave. “Përpos kësaj, biseda nuk ka lidhje aspak me vjedhjen e votave, blerjen e zgjedhjeve apo çdo lloj manipulim tjetër. E po kështu asnjë veprim i imi, në një fushate si ajo e Dibrës ku nuk kam marrë pjese asnjë ditë, në cilëndo mënyrë. Përkundrazi, agresorët e atëhershëm me armë në brez edhe në zgjedhjet e Dibrës, sot kane veshur lëkurë qengji. Ndaj mos harro kurrë! Ata që bëjnë moral sot, të kanë vrarë shpirtin e trupin dje! Ata që bërtasin sot për moral, të kane vjedhur ne xhep dje. Ata dje e skuthat sot, duan ende të të vrasin shpirtin e të të vjedhin keq e më keq, bashkë me të ardhmen e fëmijëve! Ndjese sinqerisht për fjalorin!”, mbyll Tahiri reagimin e tij.

PS merr në mbrojtje Gjiknurin dhe socialistët e përgjuar
Zyrtarë të lartë PS-s, por edhe të qeverisë i kanë dalë në mbrojtje njerëzve të tyre të kapur në përgjime. Zëvendëskryeministri Erjon Braçe në një prononcim për median ka deklaruar se në asnjë rast si Damian Gjiknuri, Pjerin Ndreu apo Xhemal Qefalia të kenë folur në biseda për blerje votash. Duke komentuar përgjimet e publikuara dje Braçe tha se duhet vërtetuar autenciteti dhe merr në mbrojtje personazhet socialiste emri i të cilëve ka dalë në përgjime.
“Shefi i komisariatit të Dibrës nuk thotë kurrkund se ka bërë vota për PS. Ai thotë se ka ruajtur rendin dhe sigurinë nga një bandë atje që ka dhunuar disa përfaqësues të PS, madhe me pistoletë në dorë. Ka dëmtuar pasuri publike atje. Ka goditur edhe makinën e policisë së shtetit. Nuk jam brenda këtyre praktikave të zbardhjes. Duhet të jetë prokuroria që do i vërtetojnë autencitetin. Ajo që thatë ju nga çfarë që është zbardhur deri tani nuk është”, shprehet Braçe. Të njëjtën gjë numri dy i qeverisë deklaron edhe për Pjerin Ndreun se nuk thotë në atë bisedë telefonike, që duhet të provohet, që mësuesit në qarkun e Dibrës në rastin që nuk votojnë për PS do të fluturohen nga puna.

Erion Braçe, zv/kryemnistër


“Kanë komunikuar për një drejtues të PS që bën edhe drejtorin e shkollave. Dhe sipas ligjit një socialisti mund t’i kërkojë një socialisti të votojë. Pjerin Ndreu i ka identifikuar të dy personat, me atë që ka folur dhe atë që ka përdoru atë lloj shprehje. Ai ka qenë i angazhuar në Partisë Socialiste. Nuk bëhet fjalë për mësues për dy persona që janë pjesë e PS. Në asnjë prej përgjimeve të publikuara qoftë në rastin e Durrësit apo të djeshëm në asnjë prej tyre nuk flitet në asnjë germë për ofrim të parave. Në asnjë rast qoftë Gjiknuri, qoftë Dako nuk është gjetur që të ketë komunikuar për çështje parash. Për secilin, përfshirë këta të dy, prokuroria duhet të bëjë hetimet, të provojë që ato para kanë blerë vota dhe gjithsecili të mbajë përgjegjësi. Në rast se identifikohen raste të tilla, të blerjes së votave, krimi është krim individual. Pavarësisht se kanë dhunuar, rrahur, masakruar, blerë vota me para në dorë. Të paktën për palën tjetër Prokuroria duhet të kishte marrë masa në kushte flagrante”, theksoi Braçe. Sipas tij, prokurori nuk ka vepruar për kushtet e kapjes në flagrancë, duke theksuar se përgjegjësia është individuale
Ndërsa sekretari Organizativ i PS-së, Arben Pëllumbi u shpreh se PS-ja nuk mbron asnjëri nga përgjimet dhe është në pritje të mbylljes së hetimeve.
“Le të themi që përgjimet deri në këtë moment duhet të shkojnë në rrugën e tyre të hetimit dhe të nxjerrjes së përgjegjësive penale. Partia Socialiste, dhe sigurisht ne si grup parlamentar e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë se nuk mbrojmë askënd nëse ka një çështje penale”, deklaroi Pëllumbi.
Deputeti socialist pranon se ka ndërhyrje dhe në administratë për të punësuar njerëz. Por qeveria po e lufton fort këtë fenomen shtoi ai në një prononcim për median jashtë parlamentit. “Sigurisht që në shumicën e tyre bëhen sipas meritës. Por ne të mos harrojmë se ku jetojmë, se nga çfarë mentaliteti vijmë. Sigurisht ka pasur ndërhyrje dhe në administratë për të punësuar njerëz. Por qeveria jonë, mazhoranca jonë është duke luftuar fort për ta bërë këtë fenomen sa më të sporadik dhe sa më të vogël. Kemi bërë një sërë portalesh pikërisht për këtë arsye ndërhyrjet dhe politizimet e panevojshme”, tha Pëllumbi.

Reagimi i opozitës LSI, Luan Rama: Të pafytyrët!
Opozita ka reaguar ndaj 10 përgjimeve të publikuara nga Bild ku flitet për shitblerje votash. Ish-deputeti i PD-së, Xhemal Gjunkshi deklaroi se të gjitha akuzat e ngritura nga opozita u konfirmuan me zë dhe me figurë. Sipas Gjunkshit zgjedhje u blenë nga qeveria në bashkëpunim me krimin e organizuar dhe dirigjent i kësaj skeme ishte vetë Kryeministri Edi Rama.
“U dëgjua regjisori Damian Gjiknuri i cili me paratë e shqiptarëve dhe me grupin e gangsterëve kishte shkaktuar "tërmet"! U dëgjua Ulsi Manja, i cili pas atyre "vjedhjeve" u gradua Kryetar i Komisionit të Ligjeve, njeriu që do të bënte dhe po bën Reformën në Drejtësi, ose siç i themi ne nga Dibra "Me i var ujkut mëlçitë për qafe" U dëgjua Sajmir Tahiri i cili flet me shefat politik policor për vjedhje votash si dhe politizimin e kupolës se Policisë së Shtetit! U dëgjuan drejtorët e institucioneve dhe të bashkisë, që herë bënin pazare për vota e herë bënin presion duke ofenduar, poshtëruar e intimiduar votuesit!”, tha Gjunkshi në deklaratën e lëshuar nga selia e PD-së në Dibër.

Gjunkshi në konferencë për shtyp


Sipas tij këto përgjime tregojnë se kjo qeveria është jo legjitime dhe se votat u blenë në Dibër dhe këto përgjime treguan se të gjithë këto ministra, deputetë, drejtorë përfshi edhe vetë kryeministrin, funksiononin sipas skenarit të bosit te krimit Ymer Lala.
“Në këtë situatë tejet të rëndë, me pasoja të pa parashikueshme për vendin; për të mos e dërguar popullin në vëllavrasje, i bëjmë thirrje kryeministrit dhe qeverisë të dorëhiqen menjëherë, nga ëndrrat diktatoriale për të bërë votime komuniste. Të shkarkohet dhe të merret nën hetim menjëherë Ulsi Manja nga Kryetar i Komisionit të Ligjeve, si njeri i pabesueshëm për të ndjekur reformën në drejtësi. Të arrestohet Damian Gjiknuri si truri i vjedhjeve të votave në Dibër. I bëj thirrje ushtar Lleshaj: Te distancohet nga kjo bande e organizuar kriminale”, theksoi Gjunkshi.
Për reagimet e socialistëve për audiopërgjimet ka reaguar edhe nënkryetari i LSI-së, Luan Rama, në koment të tij në rrjetet sociale, ai i shprehet se qëndrimet e socialistëve janë të pafytyra. “E po këta, paturpësisht të pacipë, këta që vodhën e blenë, që shantazhuan e intimiduan zgjedhësit, këta që orgazmojnë e gogësijnë në orgjinë e krimit të tyre përmes telefonash ku vjellin e ndyjnë njëri-tjetrin; ministra, deputetë, kriminelë, policë e trafikantë, keta që shkatërruan gjithçka lidhej me zgjedhjet, na dalin e na shfaqen si nismëtarë të një akti, të cilin ta quash antikushtetues është pak!”, shkruan Rama

Luan Rama, LSI


Ai shton se mazhoranca kërkon të ndëshkojë qytetarëve duke ndryshuar Kodin Penal të ndalojnë për 5 deri në 10 vjet të të drejtës për të lëvizur lirisht jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë ata që dhunojnë zgjedhjet
“Ndërsa këta vetë, prej të parit tek i fundit, të kapur në faj e në krim, të kapur duke vjedhur e blerë vota, me ministra e banditë, me policë e trafikantë, këta nuk pësojnë asgjë! Sepse këta janë ata, të gjithë njësoj, të ngjashëm në pafytyrësinë e tyre si pjesëtarë të të njëjtit grup kriminal, paçka se ku e zgjedhin skenën apo teatrit e krimit; në Maqellarë a Peshkopi, në Shijak apo Lezhë, në Shkodër, Elbasan, Berat apo në Kryeministri! Nuk ka rëndësi si e kanë emrin. Mbiemrin e kanë të njëjtë. Edhe fytyrën të njëjtë e kanë!”, thekson Luan Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë