Më të mirat 2022

Përgjatë gjithë verës së këtij viti, turistët ndenjën më pak në Shqipëri

Shifrat zyrtare flasin për rritje të numrit të turistëve por operatorët ankoheshin për vende bosh në plazhe dhe hotele. Nuk është problemi vetëm tek matjet e sakta zyrtare, por ka një shpjegim tjetër

Nga Gazeta "Si" - Atëbotë kur kryeministri Rama deklaroi nga Vlora që në maj se netë qëndrimet u rritën me mbi dy herë, tur-operatorët u ekzaltuan për sezonin turistik që i priste.  

Rritja e numrit të të vaksinuarve dhe lehtësimi i kufizimeve në udhëtim bënë që sezoni të niste “de facto” që në prill. Gjë, që për operatorët turistikë nënkuptonte jo vetëm daljen e spirales nga kriza ku kishte hyrë turizmi por edhe pritshmëri për të kaluar nivelin e 2019-s, atij që konsiderohej si viti më i mirë i turizmit.

Prurjet e turistëve që në muajin qershor ishin aq pozitive sa emocionuan operatorët dhe qeverinë jo vetëm për numrin por edhe për netë qëndrimet.

Ato u rritën me 38% krahasuar me një vit më parë dhe një turist qëndronte mesatarisht 5 ditë në Shqipëri.

Por shkëlqimi i fillimit filloi të zvenitej.

Ndërsa INSTAT raportonte për hyrje të shumta të turistëve të huaj, tur-operatorët ankoheshin për vende bosh në plazhe dhe hotele. Të njëjtën gjë dëshmonin edhe rrjetet sociale. Megjithëse duken të dyja palët kontradiktore, mes tyre ekziston një e vërtetë tjetër.

Nga qershori në korrik, numri i turistëve u dyfishua por i netë qëndrimeve jo. Një turist mesatarisht në Shqipëri tani qëndronte 4 ditë.

Mesatarja e të dy muajve për netë qëndrimet tashmë ishte 4 ditë, një ditë më pak se mesatarja e të njëjtëve muaj për vitin e shkuar.

Por,ky numër u ul akoma më tej edhe për gushtin i cili nuk është vetëm piku i sezonit të verës, por i gjithë vitit.

Numri i turistëve gjithsej në strukturat akomoduese gjatë gushtit ishte rreth 300 mijë, 16.5% më shumë se viti i kaluar. Por, ata ndenjën më pak ditë.

Sipas të dhënave nga INSTAT, numri i netë qëndrimeve krahasuar me gushtin e shkuar pësoi një rënie me 2.5%, duke rënë në 961 nga rreth 986 mijë, që ishin në të njëjtën periudhë të 2021-shit.

Kështu, për të tre muajt e sezonit turistik, mesatarja e qëndrimit të një turisti ran ë tre ditë.

Nëse do t’i analizonim sipas tipologjisë, në gusht, numri i netë qëndrimeve nga vizitorët vendas ka rënë me 0.9%, ndërsa numri i netë qëndrimeve nga vizitorët e huaj ka rënë me 3.2%. 

Por megjithatë, kjo ulje e netë qëndrimeve kundrejt rritjes së vizitorëve për gushtin edhe mund të ketë disa shpjegime.

Akomodim jashtë sistemit të kontrolluar

Besnik Vathi, nga Shoqata Shqiptare e Turoperatorëve tha për Gazetasi.al se një faktor është ndryshimi i gjeografisë së turistëve, ku ata patën një tendencë më të madhe drejt veriut, aty ku shpeshherë mungojnë strukturat hoteliere dhe kampingjet janë jashtë sistemit të kontrolluar.

“Shumë turistë këtë vit kanë preferuar turizmin malor dhe kanë zgjedhur të pushojnë në zona veriore të Shqipërisë. Shqipëria tjetër, ajo e ‘maleve’, po promovohet gjithnjë e më shumë dhe njerëzit kanë shprehur interes më të lartë për të”, shton ai për Gazetasi.al.

Tur-operatorët kanë jashtë sistemit të gjithë apartamentet dhe shtëpitë private që mund t’u jepen turistëve nga të zotët e shtëpisë. Operatorët turistikë thonë se turistët janë akomoduar në këto apartamente duke i bërë pronarët e hoteleve dhe resorteve të mëdha të raportojnë për më pak pushues.

Për periudhën e nëntëmujorit, në vend kanë hyrë gjithsej 6.4 milionë shtetas të huaj. Kjo shifër është 32% më e lartë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe 18% më shumë se janar-shtatori i 2019-s.

Spanja është shteti që ka patur rritjen më të madhe me 4 herë.

Më herëtGazetasi.al ka shpjeguar se arsyeja themelore përse janë katërfishuar turistët spanjollë ishte shtimi i fluturimeve direkte me Spanjën nga Wizz Air.

Besnik Vathi, tha për Gazetasi.al se fluturimet e drejtpërdrejta nga Madridi dhe Barcelona do të vijojnë ta mbajnë të lartë numrin e spanjollëve që vizitojnë Shqipërinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë