Treg

Shqipëria, ndër vendet me sezonalitetin më të lartë turistik në Europë

Nga Gazeta ‘Si’-Ndryshe nga shumë shtete europiane që vizitohen përgjatë gjithë vitit nga turistët, Shqipëria e ka përqendrimin më të lartë të tyre në muajt e verës.

Të dhënat e fundit të Eurostatit, e rendisin Shqipërinë si një ndër vendet që ka sezonalitetin me të lartë turistik në Europë, krahas Kroacisë, Bullgarisë, Greqisë dhe Malit të Zi.

Rreth një e treta e netëve turistike në Europë janë shpenzuar në pikun e sezonit turistik, përkatësisht në muajt korrik dhe gusht.

Në Shqipëri gjatë vitit të shkuar u shënuan rreth 3.83 milionë netëqëndrime ku në fakt në gusht, ndonëse nuk është vetëm piku i sezonit të verës por i gjithë vitit, numri i tyre u ul me 2.5%.

Të njëjtën gjë Gazetasi.al e kishte konstatuar edhe më herët, ku pas përpunimit të të dhënave në një analizë rezultoi se numri i turistëve në strukturat akomoduese gjatë këtij muaji ishte tkurrur.

Më tej, pas një përmirësimi në shtator dhe në tetor, sërish numri i netëqëndrimeve gjatë dy muajve të fundit të vitit të shkuar kishte tendencë rënëse.

Sipas Eurostat, sezonaliteti ka pasur gjithmonë një ndikim thelbësor në turizëm, dukuri e dukshme në modelet e mbërritjeve të turistëve dhe netëve e kaluara në hotelet dhe vendpushimet turistike të BE-së.

Në raport, Eurostat thekson se gjatë periudhave të pikut të pushimeve, zonat turistike mund të përballen me mbipopullim dhe pakësim të burimeve.

“Anasjelltas, periudhat më të qeta mund të shkaktojnë objekte të papërdorura dhe paqëndrueshmëri të punës, për shkak të luhatjeve të kërkesës.

Në vitin 2022, u vu re modeli tradicional sezonal, ku shumica e netëve të kaluara u regjistruan në gusht (18% e netëve të kaluara në 2022; 478 milionë netë), e ndjekur nga korriku (16%; 440 milionë). Në të kundërt, përqindja e netëve të kaluara ishte më e ulëta në janar (3%; 89 milionë), e ndjekur nga shkurti (4%; 111 milionë)”, vëren më tej raporti.

Gjithashtu edhe një pjesë e e konsiderueshme e mbërritjeve, u regjistrua në korrik dhe gusht,  përkatësisht 127 dhe 128 milionë udhëtarë të ardhur.

Ndërkohë, modeli sezonal ishte më pak i theksuar në Maltë dhe Finlandë (të dyja 25%) dhe Gjermani (26%).


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë