Treg

Rritja e çmimeve po vret sezonin turistik

Pritshmëritë e larta të operatorëve turistikë për sezonin janë rrëzuar.

Situata ravijëzohet krejt pesimiste për tur-operatorët të cilët që në krye të herës, në nisje të tij, ishin shpresëplotë që ai do t’i përngjante jo pak kulmit të 2019-s.

Kur i pyet se përse situata është kaq e vakët, përgjigjia gjithnjë përsërit vetveten.

“Ndëshkimi më i madh na vjen nga rritja e çmimeve”, pohojnë ata duke shtuar se kjo problematikë është më e madhe edhe se mungesa e 10 mijë punëtorëve që i mungojnë aktualisht sektorit.

Kriza e çmimeve që ka hyrë në xhepat e turistëve shqiptarë por edhe atyre të huaj nuk është më lajm.

Vasil Bedinaj, Kreu i Operatorëve Turistikë të Jugut thotë për Gazetasi.al se ndryshe nga ç’raportojnë statistikat zyrtare, numri i vizitorëve të huaj që po vijnë në Shqipëri është shumë më i ulët se e njëjta periudhë e vitit të shkuar.

Vasil Bedinaj, kryetar i Operatorëve Turistikë të Jugut

“Nga të dhënat tona të cilat sigurisht i bazojmë në numrin e rezervimeve, rezulton se këto muaj kanë ardhur rreth 35% turistë më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë ndërsa me 2019-n nuk ia vlen ta krahasosh fare”, citon ai për Gazetasi.al.

INSTAT raportoi se për muajin maj të këtij viti erdhën në Shqipëri 604.430 turistë, gati 84% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të shkuar, shifra të cilat Bedinaj i hedh tërësisht poshtë.

“Ajo që ne shohim çdo ditë është situatë krejt tjetër. Nuk kemi atë numër turistësh në prurje që të paktën prisnim të kishim. Rritja e vazhdueshme e çmimeve po e zbeh që tani këtë rezultat”, thotë mandej ai.

Biletat e tragetit janë ‘çmendur’

Ndër të tjera ai shton se një ndër arsyet përse turistët të paktën ata italianë nuk po vijnë më në Shqipëri, janë çmimet e biletave.

“Biletat që deri para ca kohësh ishin 50 euro për person, sot janë dyfishi dhe kjo vetëm për një rrugë. Pra një familje italiane mesatare me 4 persona që duan të vijnë për pushime në Shqipëri, duhet të ndajë mënjanë 800 euro vetëm për biletat pa llogaritur pastaj shpenzimet e tjera.

Shifër me të cilën ata lehtësisht mund të kalojnë pushimet në resortet në Turqi me të gjithë fasalitetet e përfshira”, thotë ai për Gazetasi.al.

Në të gjithë vijën bregdetare, pavarësisht nëse vendi i pushimit është luksoz, mesatar apo ekonomik, turistët sipas operatorëve janë të paktë në numër.

Buka me vete, zgjidhje por jo zgjedhje

Buka me vete e ka shoqëruar moti figurën e shqiptarëve gjatë pushimeve. Kësaj here, sipas tur-operatorëve por edhe përfaqësuesve të bar-eve dhe restoranteve ajo është treguesi tipik i krizës ekonomike.

Ata pohojnë për Gazetasi.al që pushuesit po frekuetojnë gjithnjë e më pak restorantet, madje, theksojnë që edhe bukën me vete mezi po ia dalin ta përballojnë.

Polakët, ‘këmba e mbarë’ jo dhe aq e mbarë

Polakët, një treg me potencial në rritje, e nisën me këmbë të mbarë këtë vit, ku gjatë periudhës janar-mars 2022, numri i tyre u dyfishua në raport me të njëjtën periudhë të 2019-s.

Këto shifra që në fakt duhet të ishin një “ogur” i mirë për atë që do të sillte sezoni veror, nuk janë aq optimiste sot.

Turistë polakë në Shqipëri

“Ndikimi është më i dukshëm në tregun polak ku në fakt ne kishim më shumë shpresa. Fluturimet nga Varshava dhe hyrjet e tyre në Shqipëri janë gjithnjë e më të ulëta”, thotë Rrahman Kasa për Gazetasi.al ndërsa shton se shtrenjtimi gati me 50% i paketave turistike do të diktojë një refuzim të tyre për të ardhur vitet e ardhshme në Shqipëri.

Rritja e çmimeve nga bizneset do të kthehet në ‘boomerang’

Bizneset nga ana tjetër duket se po tentojnë të kompensojnë shpejt edhe humbjet e pësuara gjatë pandemisë por kjo sipas operatorëve mund të kthehet në një ‘boomerang’ duke u krijuar turistëve idenë se pushimet në Shqipëri janë të shtrenjta dhe rrjedhimisht, edhe duke i stepur ata.

Gushti, panoramë e zymtë

Në parashikimet e tyre për muajin gusht, panorama mbetet po e zymtë.

Tur-operatorët thonë se situata tashmë është zor të rikuperohet apo të përmbyset.

“Rezervimet si për ditët e tjera të korrikut si për jugun lënë për të dëshiruar. Shpresojmë shumë që të paktën situata të ndryshojë disi por është shumë e zorshme”, thotë Bedinaj për Gazetasi.al.

Për të shpëtuar turizmin i cili prej dy vitesh nuk ‘ngriti krye’ nga pandemia e tashmë nga çmimet e larta, nuk ka një plan B.

Tur-operatorët thonë se gjithë ça mbetet është që ai ta gjejë vetë rrugën drejt rikuperimit për sa kohë qeveria nuk i jep dorën që i duhet për t’u ngritur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë