Ne rrjet

Përfitimet e bullgarëve nga përfshirja në Kushtetutën maqedonase

Me përfshirjen në preambulën e Kushtetutës, si popull shtetformues, pakica bullgare në Maqedoninë e Veriut do të mund të realizojë të drejta të njëjta sikurse bashkësitë tjera etnike, si ajo turke, serbe, boshnjake, rome dhe vllahe. Kështu thotë për Radion Evropa e Lirë, Xhelal Hoxhiq, zëvendësdrejtor i agjencisë për realizimin e të drejtave të bashkësive etnike.

Përfshirjes së pakicës bullgare në Kushtetutë duhet t’i paraprijnë ndryshimet kushtetuese që janë në procedurë parlamentare, por miratimi i tyre është vënë në pikëpyetje për shkak se shumica parlamentare nuk i ka siguruar ende dy të tretat e votave nga 120 ulëset në Kuvend.

Përfshirja e kësaj pakice kundërshtohet nga opozita maqedonase që udhëhiqet nga VMRO DPMNE-ja me arsyetimin se kjo do të rrezikonte “gjuhën dhe identitetin maqedonas” apo se do të nënkuptonte “bullgarizim të Maqedonisë”.

Por, miratimi i ndryshimeve kushtetuese është kusht për Maqedoninë e Veriut për vazhdimin e bisedimeve për anëtarësim në BE dhe në rast të dështimit, Sofja mund të bllokojë procesin e mëtejmë integrues.

Xhelal Hoxhiq thotë për Radion Evropa e Lirë, se me përfshirjen në Kushtetutë, pakica bullgare nuk do të fitonte më shumë të drejta se bashkësitë etnike dhe se të gjitha të drejtat e tyre do të jenë në përputhje me ligjet në fuqi.

Ai thotë se të drejtat e tyre kryesisht kanë të bëjnë me arsimin, informimin, aktivitetet për zhvillimin dhe ruajtjen e traditave të tyre përmes organizimeve të ndryshme dhe punësimit në organet shtetërore.

“Nëse shihni bashkësitë etnike që janë pjesë e preambulës së Kushtetutës dhe ato që nuk përmenden, ka dallime në realizimin e të drejtave të tyre. Të gjitha bashkësitë etnike që janë pjesë e preambulës kanë redaksitë e tyre në transmetuesin publik, domethënë programe në gjuhët e tyre amtare. Veç kësaj, ato zhvillojnë procesin mësimor në gjuhët e tyre siç është rasti me serbët, boshnjakët dhe turqit sikur që kemi edhe mësimin e gjuhës dhe kulturës së etnitetit vlleh dhe rom. Këto të drejta nuk i kanë bashkësitë që nuk përmenden në preambulë”, thotë Hoxhiq.

“Sa i përket debatit që po zhvillohet lidhur me arsimin në gjuhën bullgare, ai nuk dallon nga procesi arsimor i bashkësive tjera etnike që zhvillohet në bazë të një programi të hartuar nga Ministria e Arsimit. Kështu që, këtë të drejtë mund ta realizojnë të gjitha entitetet pasi e drejta e arsimimit dhe e informimit është garantuar me Kushtetutë... Por që kjo të realizohet, duhet të sigurohen kushtet, në veçanti kuadri i nevojshëm për zhvillimin e mësimit”, vlerëson ai.

Veç kësaj, Hoxhiq thotë se përfshirja e pakicës bullgare në Kushtetutë nënkupton që ky entitet të ketë edhe një përfaqësues në Komitetin për Marrëdhënie mes Bashkësive Etnike në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, ku do të mund t’i artikulojnë kërkesat e tyre etnike.

Pakica bullgare, sipas tij, do të realizojë edhe të drejtat e punësimit në organet e administratës shtetërore sipas dispozitave ligjore të miratuara në vitin 2002 bazuar në Marrëveshjen kornizë të Ohrit.

Por, kjo e drejtë, thotë Xhelal Hoxhiq, vështirë po realizohet edhe për pakicat tjera etnike:

“Kjo e drejtë nuk po realizohet. Realisht kemi diskriminim pasi shumë vështirë mund të sigurohen vende pune në konkurset që po shpallen nga organet shtetërore”.

Bazuar në regjistrimin e vitit 2022, si pjesëtarë të pakicës bullgare janë deklaruar 3.504 persona. Por, këto të dhëna nuk pranohen nga Bullgaria pasi autoritetet në Sofje kanë thënë se “shumë bullgarë kanë hezituar të deklarojnë përkatësinë e tyre etnike për shkak formave të ndryshme të presionit dhe frikës për hakmarrje”.

Sipas mediave bullgare, në 15 vjetët e fundit pothuajse 90.000 persona kanë marrë pasaporta bullgare.

Por, autoritetet maqedonase, marrjen e shtetësisë bullgare nga shtetasit e Maqedonisë së Veriut e kanë arsyetuar me “përfitimet në udhëtimin dhe sigurimin e vendeve të punës në shtetet evropiane”./ REL


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë