Analize

Perëndimi i bashkuar: Kosova dhe Serbia të arrijnë sa më parë marrëveshjen!

Fuqitë më të mëdha Perëndimore u kanë kërkuar njëzëri Beogradit dhe Prishtinës të lënë mënjanë dallimet dhe të arrijnë sa më parë një marrëveshje përfundimtare. SHBA-ja, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia i bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të tregojnë gatishmërinë për arritjen e një kompromisi dhe rifillimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Pesë vendet e "Quint" SHBA-ja këkkuan u bënë thirrje të martën qeverive të Prishtinës dhe Beogradit të ndalojnë krijimin e pengesave për rifillimin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, i cili është ngecur që nga viti i kaluar .

Vendet e Quint thanë në një deklaratë se status quo aktual "parandalon përparimin në drejt Bashkimit Evropian për të dyja vendet dhe thjesht nuk është i qëndrueshëm".

"Pas viteve të të tëra të bllokimit , ka ardhur koha që t’i japim fund konfliktit të viteve 1990 dhe të sigurojmë një të ardhme të sigurt për popullin e Kosovës dhe Serbisë duke negociuar në mirëbesim një marrëveshje që të dyja palët mund të mbështesin", thuhet në deklaratë.

Deklarata e Quint thoshte se pesë qeveritë perëndimore duan "të shohin normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, politikisht të qëndrueshme që kontribuon në stabilitetin rajonal".

"Prandaj, ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të rinisin dialogun e udhëhequr nga BE me urgjencë dhe kërkojmë që të dyja palët të shmangin veprimet që do të pengojnë arritjen e një marrëveshje përfundimtare”, theksonte deklarata.

Emmanuel Macron dhe Angela Merkel, Gazeta Si, 14 gusht 2019

Pesë qeveritë me të fuqishme perëndimore thanë se janë të gatshme të rritin rolin e tyre për të mbështetur Përfaqësuesin e Lartë të BE i cili lehtëson dialogun Kosovë-Serbi.

"Por ne nuk mund ta bëjmë këtë derisa të dy palët të sinjalizojnë se janë të gatshme për kompromis, për të hequr pengesat dhe për të rifilluar diskutimet," thoshte deklarata.

“Për Kosovën, kjo nënkupton pezullimin e tarifave të vendosura për Serbinë. Për Serbinë, kjo do të thotë pezullimin e fushatës së njohjes kundër Kosovës, "shton ajo.

Përgjatë muajve të fundit, Serbia ka fuqizuar fushatën ndërkombëtare për të bindur vendet që e kanë njohur Kosovën si një shtet të pavarur të tërheqin njohjet e tyre. Nga ana tjetër mosmarrëveshja për tarifat ka acaruar mosmarrëveshjet midis Beogradit dhe Prishtinës përgjatë muajve të fundit.

Zyrtarët serbë kanë kërkuar anulimin e taksës ndaj mallrave serbë, por Prishtina ka insistuar që Beogradi përpara tërheqjes nga ky vendim, Beogradi duhet të njohë plotësisht pavarësinë e Kosovës

Por për çfarë marrëveshje po lobojnë vendet më të fuqishme të Perëndimit?

Deklarata e përbashkët e vendeve të Quintit vjen pas raporteve se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se kanë hequr tanimë dorë nga skenari i ndryshimit të kufijve të Kosovës, duke ia lënë në dorë marrëveshjen e ardhshme Beograd-Prishtinë kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emmanuel Macron.

Sipas një prej analistëve më të njohur serbë, Dusan Janjiç, shkëmbimi i territoreve është hedhur tanimë poshtë nga Administrata Trump.

Gazetari, i cili është pjesë e disa paneleve ndërkombëtare dhe diskutimeve për arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se njerëzit e Trump kanë dalë aktualisht kundër këtij skenari.

Duke iu referuar qëndrimit të John Bolton, Këshilltarit për Sigurinë Kombëtare të presidentit Donald Trump, Janiç thotë se Bolton dhe këshilltarët e kanë të vështirë të bien në një mendje për shkëmbimin e territoreve.

Presidenti Hashim Thaçi dhe presidenti serb Aleksander Vuçiç, Gazeta Si, 14 gusht

“Cili është plani i ri i Trump dhe Boltonin këtë nuk e di askush. Me sa e di unë, në konsultimet e fundit në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ideja e ndryshimit të kufijve është hedhur poshtë, së paku tani për tani, pasi zyrtarët amerikanë nuk po bien dakord rreth këtij procesi”, ka theksuar ai duke folur në një emision televiziv në Serbi.

Sipas analistit, i cili është edhe drejtues i Forumit për Marrëdhëniet Ndëretnike, Trump do të kundërpërgjigjet ashpër nëse Serbia dhe Kosova nuk arrijnë një marrëveshje deri në shkurt.
“Pra, këtu bëhet fjalë për nevojat e Trumpit, që ai ta ketë situatën të qartë për Ballkanin kur të dalë para demokratëve në zgjedhjet e 2020-ës. Trumpit nuk i intereson se çfarë kanë nënshkruar Thaçi e Vuçiç. Dhe nëse nuk arrihet një marrëveshje deri në shkurt, ai do të ketë ndonjë përgjigje të fortë, siç ka bërë me Meksikën, brenda natës do të ketë sanksione edhe ndaj njërës edhe ndaj palës tjetër (Prishtinës dhe Beogradit)” ka theksuar ai.

Por a ka marrë fund ideja ndryshimit të kufijve falë kundërshtimit të Francës dhe Gjermanisë?
Sipas analistit serb Berlini dhe Parisi po “përgatitin terrenin” që dialogu të rifillojë në një format tërësisht të ri.

Presidenti Donald Trump dhe Hashim Thaci, Gazeta Si, 14 gusht 2019


Janjiç thotë se tanimë fokusi i Emmanuel Macron dhe Angela Merkel është takimi në kryeqytetin francez për vazhdimin e bisedimeve, një nismë që cilësohet nga ekspertët po aq e vështirë sa të “ta ngjallësh të vdekurin”. Analisti thotë se po diskutohet për formatin e ri të bisedimeve , pasi sipas tij tanimë është duke u ndërtuar një marrëveshje e re Kosovë-Serbi.
“Në thelb marrëveshja po ndërtohet tani, ka ekipe që janë duke e bërë këtë, ka zyrtarë, OJQ dhe ministri. Në Gjermani ka një ekip në Bundestag që po harton marrëveshjen e ardhshme, sëbashku me një tjetër ekip në kabinetin e kancelares Merkel, por fjalën e tyre duhet ta thonë edhe Thaçi dhe Vuçiç”, thotë analisti serb.

Burime për mediat serbe thonë se gjatë samitit të Berlinit, Merkel dhe Macron i bënë presion presidentit serb Aleksandër Vuçiç të tërhiqej nga ideja për shkëmbimin e Veriut të Kosovës dhe degacionit të Prishtinës për të hequr taksën.

Dy udhëheqësit mësohet se i kanë kërkuar presidentit serb që të heq dorë përfundimisht jo vetëm nga ideja për shkëmbim territoresh por edhe të tërhiqet nga ndikimi mbi serbët në veri të Kosovës, me qëllim që të mundësojë integrimin e tyre në Kosovë.

Burimet bëjnë të ditur po ashtu se Merkel e Macron i kanë thënë Vuçiçit se nuk do të ketë rrugë europiane për Serbinë nëse “normalizimi me Kosovën nuk ndodh së shpejti dhe nëse Beogradi nuk heq dorë nga të gjithë mekanizmat e tij në Veriun e Kosovës.

Merkel dhe Macron i kanë kërkuar presidentit serb që të kthehet në tavolinën e bisedimeve dhe të gjejë zgiidhjen për të gjitha çështjet e hapura me Kosovën, përfshirë edhe tregtinë e ekonominë por duke përjashtuar përpjekjet për ndryshim kufijsh”, shkruan gazeta serbe “B92”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë