Muzike

Për të shpëtuar tingullin e një Stradivari, i gjithë qyteti duhet të heshtë 

Violina “Vezuv” e bërë nga Antonio Stradivari më 1727, në Muzeun e Violinës në Kremona, Itali. Muzeu po asiston në një projekt ambicioz regjistrimi për të ruajtur tingullin e instrumenteve Stradivari për brezat e ardhshëm. Kredit: Isabella de Maddalena/ The New York Times

Florencia Rastelli u turpërua. Si bariste eksperte kurrë nuk i ishte derdhur as edhe një filxhan i vetëm kafeje, thotë ajo. Por të hënën e shkuar, ndërsa fshinte banakun në Chiave di Bacco, kafeneja ku punon, rrëzoi një gotë, që u thye me zhurmë, në dysheme. Klientët mbetën të shtangur, kujton zonjushë Rastelli. “Nga të gjitha ditët, sot duhej?!, thashë me vete”. Një oficer policie hyri dhe më kërkoi të mbaja qetësi. Ishte shumë e sikletshme”. Njerëzit në Kremona, janë si rrallëherë të ndjeshëm ndaj zhurmave, këto kohë. Policia ka zbrazur rrugët, në qendrën zakonisht zhurmëmadhe dhe qarkullimi është devijuar. Gjatë një konference për shtyp kohëve të fundit, kryebashkiaku Gianluca Galimberti, iu lut qytetarëve të Kremonës të shmangnin çdo lloj zhurme të panevojshme apo të beftë. Kremona është shtëpi e punishteve të disa prej punuesve më të mirë të instrumenteve, një prej të cilëve Antonio Stradivari, i cili në shekullin e 17-të dhe të 18-të prodhoi disa prej violinave dhe violonçelave më të mirë, të bërë ndonjëherë. Qyteti po ndjek një projekt ambicioz për të regjistruar, në mënyrë digjitale, tingujt e instrumenteve Stradivari për brezat e ardhshëm, si edhe të tjerë nga Amati dhe Guarneri del Gesù, dy artizanë të tjerë, të famshëm të Kremonës. Dhe kjo do të thotë të mbahet qetësi. Një violinë, violë apo violonçel Stradivari, përfaqëson bërthamën e inxhinierisë së tingullit dhe askush nuk ka qenë në gjendje të përsëritë tonalitetet e tyre unike.


Instrumentet në Muzeun e Violinës gjithashtu përfshijnë violina nga punishtet e Amati dhe Guarneri del Gesù. Kredit: Isabella de Maddalena për The New York Times


Fausto Cacciatori, kuratori i Muzeut të Violinës, në Kremona, një muze kushtuar instrumenteve muzikorë e që po merr pjesë në këtë projekt, thotë se çdo Stradivari ka “personalitetin e vet”. Por, shton ai, tingujt e tyre të dallueshëm “do të ndryshojnë pashmangshëm” dhe kjo mund edhe të humbasë pas disa dekadash. “Është pjesë e ciklit të jetës së tyre”, thotë z. Cacciatori . “Ne i ruajmë dhe i restaurojmë, por pasi kanë kapur një farë moshe, bëhen shumë të brishta për t’u luajtur me to dhe bien “të flenë”,  thënë me fjalë të tjera”.

Që brezat e ardhshëm të mos humbasin mundësinë për  të dëgjuar instrumentet, tre inxhinierë zëri po prodhojnë “Bankën e Tingullit Stradivari” – një bazë të dhënash që arkivon të gjithë tingujt, që mund të prodhojnë katër instrumentet e përzgjedhura nga koleksioni i Muzeut të Violinës. Një nga inxhinierët, Mattia Bersani, thotë se tingujt në bazën e të dhënave mund të manipulohen me softuerë për të prodhuar regjistrime të reja,  kur tingujt e instrumenteve origjinale të degradojnë. Muzikantët e së ardhmes do të jenë në gjendje të “regjistrojnë një sonatë me një instrument që nuk do të funksionojë më”, thotë ai. “Kjo do t’u bëjë të mundur nipërve të mi të dëgjojnë sesi tingëllonte një Stradivari”, ka thënë Leonardo Tedeschi, një ish - D.J., të cilit i lindi ideja e projektit. “Po e bëjmë të pavdekshëm instrumentin më të mirë , të prodhuar ndonjëherë.” Gjatë janarit, katër muzikantë që luajnë dy violina, një violë dhe një violonçel do të punojnë mes qindra shkallësh dhe notash, duke përdorur teknika të ndryshme me harqet e tyre apo duke tërhequr telat. Tridhjetë e dy mikrofona ultra të ndjeshëm, të vendosur në auditorin e muzeut do të mbërthejnë tingujt.

Për të ruajtur tingujt e instrumenteve, muzikantët do të duhet të luajnë të gjitha notat e mundshme dhe më pas t’i regjistrojnë në kombinime të ndryshme, duke përdorur teknika të ndryshme. “Do të jem fizikisht dhe mendërisht sfidues për to” , thotë Thomas Koritke, inxhinier tingulli nga Hamburgu i Gjermanisë, që po drejton projektin. “Ata duhet të luajnë qindra mijëra nota individuale dhe kalime për tetë orë në ditë, gjashtë ditë në javë, për më shumë se një muaj”. Edhe organizimi i projektit ka marrë kohë, shton z.Koritke.“Na u deshën disa vite të bindnim muzeun që të na linte të përdornim  instrumentet 500 - vjeçare”. Më pas iu desh të gjenin muzikantët më të mirë, që i njihnin instrumentet me hollësi. Më pas akustika e auditorit, që është krijuar përreth tingullit të instrumentit, duhej të studiohej, po ashtu.

Gabriele Schiavi, 31 vjeç, luan në Auditorin Giovanni Arvedi, salla koncertore e Muzeut të Violinës, në regjistrimet për Bankën e Tingullit Stradivari. Kredit: Isabella de Maddalena për The New York Times.

Më 2017-ën, inxhinierët menduan se projekti i tyre ishte më në fund gati. Por një kontroll tingulli zbuloi një të metë të madhe. “Rrugët përreth auditorit janë prej kalldrëmi, një makth dëgjimi”, thotë z.Tedeschi. Tingulli i motorit të një makine apo një grua që ecën me taka të larta, prodhon vibrime që shkojnë nëndheshëm dhe kumbojnë në mikrofona, duke e bërë regjistrimin të pavlerë, shpjegon ai. “Duhej ose të mbyllnim të zgjidhë zonën, ose projekti nuk do ta shihte dritën”, thotë z. Tedeschi. Fatmirësisht, për inxhinierët, kryebashkiaku i Kremonës, është edhe presidenti i Fondacionit Stradivari, organizata bashkiake që ka në pronësi Muzeun e Violinës. Ai lejoi që rrugët përreth muzeut të mbylleshin për pesë javë dhe u bëri thirrje njerëzve të mbanin qetësi. “Jemi i vetmi qytet në botë që ruan si instrumentet, ashtu edhe zërin e tyre”, thotë z Galimberti. “Është një projekt i jashtëzakonshëm që sheh nga e ardhmja dhe jam i sigurt se njerëzit nga Kremona do ta kuptojnë se mbyllja e zonës, ishte e pashmangshme”.

Auditori Arveri prej 464 vendesh u skicua rreth tingullit të instrumenteve. Për regjistrimet çdo llambë drite në sallon u zhvidhos për të eliminuar një tingull zhurme të bardhë. Kredit: Isabella de Maddalena për The New York Times


Më 7 janar, policët rrethuan rrugët. Ventilimi dhe ashensorët e auditorit u shuan. Çdo llambë në sallën e koncerteve u zhvidhos për të eliminuar tingullin e zhurmës së bardhë. Lart, në muze, z. Cacciatori vesh një palë doreza kadifeje dhe merr një violë Stradivari të 1615-ës, nga rafti i qelqtë. E heton me imtësi dhe më pas një rojë sigurie e shoqëron atë dhe instrumentin , dy kate më poshtë, drejt auditorit. Kuratori ia dorëzon Stradivarin Wim Janssen-it, një instrumentisti viole, që ecën drejt qendrës së skenës. Ai ulet në një karrige, në gjysmerrësirë, nën një grumbull mikrofonash. Tre inxhinierë dalin nga salla dhe zënë vendet në një dhomë të izoluar prej tingujve nën sallë, mbushur me altoparlantë dhe ekrane kompjuterike, serverë dhe kabllo. Z. Janssen mban një kufje, përmes së cilës z.Koritke jep udhëzime.

Thomas Koritke mbikëqyr nga dhoma e izoluar nën sallën koncertore. Kredit: Isabella de Maddalena për The New York Times


“Vazhdo”, pëshpërit z. Koritke. Violinisti luan në C-major , ndërsa ekipi regjistrues sheh diagramet në ekrane, që i përgjigjen tingullit të prerë të instrumentit. Z.Tedeschi qeshet nga kënaqësia. Pastaj ndodh diçka dhe ata ngrijnë. “Ndalo pak, të lutem!”, thotë z.Koritke dhe violinisti ruan pozicionin. Inxhinierët kthejnë regjistrimin dhe e luajnë sërish. Z.Koritke ka dëgjuar problemin, fort dhe qartë. “Kush hodhi një gotë në dysheme?”

 *Max Paradiso/ New York Times


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë