Mendim

Për deputetin që Nuk duam…

Në sheshin kur pritet të përfundojë aeroporti i premtuar nga të gjitha palët ne pushtet, në Kukës, ishin mbledhur plot fytyra të reja.

Të gjithë me maskë për të dëgjuar kryeministrin Edi Rama se pse ata duhet t’i bashkohen PS-së se helbete edhe takimi ishte pjesë e nismës “deputeti që duam”.

Dikush me mendje e dikush jo ishin ulur para kryeministrit të vendit teksa shpjegonte se çfarë nuk kishte bërë qeveria ”Berisha” 7 vjet më parë, në një kohë kur PS po kërkon mandatin e tretë.

Foli gjysmë ore për këtë çështje. Ok, të rinjtë e kuptuan trashë. Se Berisha nuk bënte, ndërsa Rama po.

Kalojmë pastaj tek pjesa e dytë e fjalës së Ramës.

Për një tjetër personazh politik me të cilin Rama ka bashkëpunuar qysh kur iu fut politikës si ministër i Kulturës më shumë se dy dekada më parë.

Dhe çfarë dëgjojnë? Dëgjojnë për politikë kulisash, psh se çfarë synimi kishte Ilir Meta për “çadrën” (një riosh në politike mund të pyesë cila çadër) se si ai dhe PS-ja e kishte votuar me vullnetin e saj presidentin që Rama e quan sot “lolo” që del “i dehur” nëpër studio televizive, se si Ilir Meta po me këto vota ishte zgjedhur fundja edhe kryetar i Kuvendit... Apo edhe kryeminister dikur.

Për të kaluar pastaj tek Lulzim Basha kryetar i opozitës me të cilin Rama bëri një marrëveshje zyrtare në 2017-ën.

Por çfarë u tha sot të rinjve? Se Lulzim Basha është vetëm një dekor që e shtyjnë për të “pashëm” tre njerëz të tjerë pa mbiemra si “Saliu” ”Mona” dhe “Iliri”, u tha se si një i ri nëse do të votonte “Lulin” do të merrte pas “dy bela” të tjera “Monën dhe “Ilirin”, tha se si në mandatin e tretë të PS-së, me një drejtësi “të pastruar” do futen në burg edhe politikanë edhe biznesmenë pra “edhe ata që vrasin e presin majtas djathtas qoftë me kollare qoftë me revole”.

Për të kaluar tek "hajgarja" që bëri me procesin e vlerësimit të kandidatëve në PD, me deklarata të tipit, që një të riu as mund t’ia thithë mendja aq hollë përveçse t’i duket e bukur si batutë; “Komisioni ta jep e Saliu s’ta lë”,  dhe për t’i vënë kapakun gjithkësaj premtimi i Ramës në më shumë dekada në politike se, “ne nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk do ketë në 2021 jo e jo, deri në 2029 s’do ketë...”

Ja pra kaq dëgjuan sot të rinjtë. Një ligjërim të personalizuar politik me fokus tek agjenda ditore politike në funksion të do llogarive elektorale.

Për ata që duan të angazhohen në politikë u përcoll një fabul me stola rezervë e tranierash për të thënë se kjo punë nuk është e lehtë dhe një ftesë në fund. “...Urdhëroni hajdeni, me shumë kënaqësi, e shumë dëshirë, për t’ju hapur rrugën. Unë jam këtu, ne jemi këtu...” ... Po Ku?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë