Treg

Pensionet private vijojnë rritjen, arrijnë në rreth 33 mijë kontribuues

Numri i kontribuuesve në fondet e pensioneve private në fund të muajit shtator arriti në 32 932, duke u rritur me 6.16% që nga fillimi i vitit, sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare(AMF)

Gjatë vitit 2021, këtyre fondeve iu janë shtuar më shumë se 1900 kontribuues. Vlera e aseteve neto në fund të muajit shtator të këtij viti arriti në 4.28 miliardë lekë ose rreth 35 milionë euro, duke u rritur me 18.9% që nga fillimi i këtij viti.

Në pjesën më të madhe, asetet e fondeve të pensioneve janë të investuara në obligacione të qeverisë shqiptare.

Numri i kontribuuesve në fondet private përbën më pak se 2.7% të numrit të përgjithshëm të të punësuarve në vend.

Sipas të dhënave nga AMF, deri në fund të vitit të kaluar, rreth 56% e numrit të përgjithshëm të anëtarëve janë të përfshirë në plane individuale të pensionit vullnetar, ndërsa rreth 44% e tyre në plane profesionale të krijuara nga punëdhënësit për punonjësit e tyre.

Në treg aktualisht veprojnë katër fonde të pensioneve private ku sipas numrit të anëtarëve, aktori më i madh në treg është Credins Pension, me rreth 55.1% të numrit të përgjithshëm të anëtarëve, i ndjekur nga Sigal Pension me 27.1%, Raiffeisen Pension me 9.6% dhe Albsig Pension me 8.2%.

Për nga vlera e aseteve neto, fondi më i madh është Sigal Pension me 43.9% të totalit, i ndjekur nga Credins Pension me 30.2%, Raiffeisen Pension me 22.9% dhe Albsig Pension me 3%.

Sipas të dhënave të publikuara nga shoqëritë administruese kthimet vjetore për tre prej katër fondeve aktive të pensioneve janë në nivele më të larta krahasuar me tremujorin e dytë dhe me fundin e vitit të kaluar.

Në fund të muajit shtator, fondi më i madh Sigal Pension, raportonte një kthim prej 3.69%, nga 3.68% që kishte qenë në mesin e këtij viti dhe 3.53% që kishte qenë për vitin 2020.

Legjislacioni shqiptar i përjashton kontributet për pension privat nga tatimi mbi të ardhurat personale deri në një kufi prej 200 mijë lekësh në vit nga punëmarrësi dhe 250 mijë lekë në vit nga punëdhënësi.

Njohja e shpenzimeve për kontribute dhe zbritja e tyre nga të ardhurat e tatueshme funksionon vetëm në rastet kur derdhja e tyre bëhet direkt nëpërmjet punëdhënësit, ndërsa është e vështirë në rastet kur individët i derdhin vetë kontributet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë