Ne rrjet

Pendarovski presidenti i ri i Maqedonisë së Veriut: Do t’u shërbej të gjithëve

Mes gjuhëve të tjera dhe me një shqipe për t’u respektuar, Stevo Pendarovski falenderoi edhe votuesit shqiptarë, të cilët sot megjithatë duket se nuk dolën masivisht për ta mbështetur, në raundin e dytë për zgjedhjen e tij si president i ri i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në paraqitjen e tij të parë si President i vendit ai i falënderoi të gjithë ata që e votuan.
“Populli im, faleminderit! Faleminderit të gjithëve maqedonasve, shqiptarëve, serbëve, boshnjakëve, turqve dhe të tjerëve që në zgjedhje të drejta dhe demokratike vendosët që bashkë të shkojmë përpara. Kjo sot ishte një fitore e shumicës së qytetarëve të cilët pa dallim etnik dhe politik u bashkua dhe thamë bashkë “përpara dhe asnjëherë më regjim”. Sot fituan qytetarët! Dua të deklaroj se do t’u shërbej me përkushtim të gjithëve”, deklaroi Pendarovski.

Stevo Pendarovski duke votuar gjatë ditës së diel në Shkup

Ai tha se këto janë zgjedhjet më demokratike që ka zhvilluar ndonjëherë Maqedonia që nga pavarësia e vendit. Pendarovksi u shpreh se do të jetë presidenti i të gjithëve dhe se do të jetë faktor i zgjidhjes së problemeve dhe jo i bllokimeve.
“Do të garantoj një të ardhme të barabartë për të gjithë. Këto zgjedhje dhanë edhe një herë mesazhin se vetëm së bashku mund të ecim përpara. Këto zgjedhje garantojnë marrjen e dates së hapjeve të bisedimeve në qershor dhe kjo datë do të merret në qershor. Do të jem faktor i zgjidhjes së problemeve dhe jo i bllokimeve”, tha ai.

KSHZ: Pendarovski fiton me 51.83 %
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në një konference për shtyp para pak minutash njoftoi se nga 3 436 vendvotime në të gjithë vendin të përpunuara ose 97,84 për qind të tyre, gjithsej kanë dalë të votojnë 816 649 votues ose në përqindje 46,64 për qind. Nga këto të dhëna të deritanishme Gordana Siljanovska ka marrë 363 980 vota, apo shndërruar në përqindje 44.57%. Ndërkohë që Stevo Pendarovski ka marrë 423 292 vota, apo shndërruar në përqindje i bie 51.83 %.

Gordana Siljanovska duke votuar të dielën në Shkup

“Zgjedhje korrekte dhe atmosferë e qetë. Nuk kishte denoncime për parregullsi dhe kjo paraqet edhe një hap para drejt demokratizimit të shoqërisë sonë. Qytetarët votuan lirshëm dhe votuan për kandidatin që ata menduan se është më mirë”, tha kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkovski.
Kandidatja e opozitës, Gordana Siljanovska, në një konferencë për shtyp pranoi humbjen duke konfirmuar edhe shifrat e dhëna më herët nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve. Megjithatë ajo tha se ndihet e përmbushur dhe se është kokëlartë me kandidimin e saj.

Komunat ku pjesëmarrja është më e madhe kanë qenë dukshëm ato me popullsi maqedonase: Manastir, Vevçan, Gjevgjeli, Demir Hisar, Dojran, Kavadarc, Kriva Palanka.
Më pak pjesëmarrje të votuesve ka pasur në komunat me popullsi shqiptare: Studeniçan, Strugë, Zhelinë, Gostivar, Likovë, Haraçinë, Qendër Zhupë.

Zaev: Fituam presidentin e shtetit, jemi gati për në Evropë
“Vazhdojmë bashkë dhe me përgjegjësi përpara. Rruga është vërtetuar dhe betonuar me sukses. RMV me siguri vazhdon përpara, kjo dëshmon pjekurinë tonë. Kjo është fitore e qytetarëve dhe e Republikës. Sot të gjithë mund të festojmë sepse dëshmuam se ky është vend me qytetarë të përgjegjshëm”, tha kryeministri Zoran Zaev, duke njoftuar gjithashtu se LSDM-ja ka fituar edhe në Komunën e Novo Sellës.
Zaev u shpreh se ky ishte fundi i regjimit, ndërsa nënvizoi se Pendarovski është rruga për një jetë më të mirë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Ahmeti uron Penderovskin: Të respektohet parimi i konsensualitetit
Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, duke falënderuar votuesit për mbështetjen që i dhanë idesë së konsualitetit, theksoi se kjo ishte alternativa e vetme drejt NATO-s dhe BE-së. Ai i uroi Pendarovskit fitoren, por nga ana tjetër e porositi të bëjë detyrën duke respektuar parimin e konsensualitetit.

Ali Ahmeti dhe Stevo Pendarovski

“Fitorja e kandidatit tonë na hap rrugën drejt anëtarësimit të plotë të vendit në NATO. Por dhe na afron vendin tonë drejt fuqive të mëdha. Vendi ynë është i përgatitur dhe pret sa më parë bisedimet për anëtarësimin e vendit tonë në BE. Do doja të falënderoja të gjitha shtabet zgjedhore që me sukses kanë udhëhequr këtë fushatë. Korrën fitore në zgjedhjet lokale në Dibër, një punë të shkëlqyeshme në raundin e parë dhe një rezultat të jashtëzakonshëm në raundin e dytë. E kemi pasur shumë të vështirë për të shpjeguar këtë koncept, konceptin e presidentit konsensual. Jam i dëshpëruar me opozitën shqiptare me bojkotin që shfaqën sot. Nga ana tjetër falënderoj partitë shqiptare në pozitë. I uroj Pendarovskit fitoren dhe të respektojë kushtetutën dhe të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Presidenti i ardhshëm të ketë parasysh vullnetin e qytetarëve në respekt të kushtetutës së Republikës dhe të jetë pjesë e proceseve në përmbyllje të plotë të procesit të anëtarësimit në NATO por dhe hapjen e negociatave me BE-në”, tha Ahmeti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë