Sport

Pekin 2022 me spektatorë, Olimpiada 2032 do të zhvillohet në Australi

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar kërkon që spektatorët të kthehen për të ndjekur nga afër garat në Olimpiadën dimërore të Pekinit, që do të zhvillohet në shkurt të 2022-shit. “Duam të kemi spektatorë në Pekin, - ka thënë në mbledhjen e CIO-s në Tokio, Juan Antonio Samaransh jr, kryetar i kommisionit të koordinimit për Lojërat. – Kemi nevojë për ta dhe duam që të jenë të pranishëm në Olimpiadën dimërore.”

Shitja e biletave për Lojërat dimërore të Pekinit ishte parashikuar të niste në maj, por u shty për në shtator. Stafeta e flakës për Lojërat dimërore do të organizohet në një mënyrë ndryshe nga versionet e mëparshme, siç ka pohuar edhe Samaransh. Plani është për ta treguar pishtarin e flakës në qytetet e gjithë vendit, para se të bëhet një stafetë më tradicionale në fund.

Gjatë mbledhjes që po zhvillohet në Tokio është përcaktuar edhe vendi organizator i Olimpiadaës së vitit 2032. Dhe është përzgjedhur Brisbane e Australisë për Lojërat e 35-ta në histori. Zyrtarizimi vjen nga CIO. Lojërat Olimpikë të radhës janë ato të Parisit 2024 dhe Los Anxheles 2028.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë