Politike

PD pret që Berati të rinumërohet: KAS të mos pengojë transparencën

Partia Demokratike thotë se marrja e provave shtesë nga institucionet dhe entet shtetërore është thelbi i kërkesës së saj për të faktuar manipulimin e zgjedhjeve të 25 qershorit.

Por, Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve ja ka refuzuar të gjitha këto kërkesa deri më tani të paraqitura së bashku me kërkesën për pavlefshmëri të zgjedhjeve në Berat, Gjirokastër dhe Vlorë. Përfaqësuesit e opozitës e cilësojnë këtë qëndrim të KAS si antiligjor dhe me standarde të dyfishta.

“Sot u vendos një standard i dyfishtë, kur vetë anëtarët e KAS-it artikuluan nevojën për të kryer një hetim të plotë dhe të gjithanshëm të pretendimit të Partisë Socialiste lidhur me zgjedhësit që dyshohen se kanë votuar më shumë se një herë dhe po nga ana e tyre me një vendimmarrje për të tretën herë refuzuese nuk është pranuar kërkesa e opozitës për të marrë prova të domosdoshme që gjenden sot në dorë të institucioneve shtetërore”, deklaroi përfaqësuesi i PD-së në KQZ, Ivi Kaso.

Opozita do të këmbëngulë në qëndrimin e vet.

“Për të shpallur të pavlefshme zgjedhjet në zona të tjera zgjedhore, nuk do të rreshtim së bëri publike faktet dhe provat dhe ato fillime provash që ne disponojmë përmes strukturave tona, por do të donim që KAS të ngrihej në lartësinë e detyrimeve të veta zgjedhore”, tha Kaso.

Partia Demokratike thotë se e ka të pamundur të sigurojë këto prova, madje akuzon se institucione të caktuara shtetërore po ja refuzojnë.

“Na është refuzuar të vihen në dispozicion nga institucione që qëllim të vetëm sot kanë fshehjen e sjelljes së tyre në kundërshtim flagrant me ligjin zgjedhor”, vijoi Kaso.

Kaso tha se PD nis proceset ankimore pa asnjë paragjykim në lidhje me vendimmarrjen, ndërsa për Qarkun e Beratit, për të cilin vendimi jepet të mërkurën opozita pret që të bëhet rinumërim dhe rivlerësim i fletëve të votimit në këtë qark.

“KAS-i ka një linjë konseguente për të mos bërë transparencë. Presim që të bëjë atë që duhet të bëjë rinumërim dhe rivlerësim të disa fletëve të votimit. ”, tha Kaso.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë