Politike

PD e Bashës nxjerr kushtet për konsensus me PS: Listat e hapura, vota e diasporës dhe vettingu politik

Një deklaratë ironike e kryeministrit Edi Rama drejtuar kryetarit të PD-së zyrtare Lulzim Basha se “fle vetëm gjumë” ka bërë që nga selia e Bashës brenda 24 orësh të dalin disa zëra zyrtarë reagues.

Fillimisht zëdhënësja e PD-së, ndërsa sot nënkryetari Kreshnik Çollaku. Duke folur pikërisht për Kuvendin për të cilin Rama tha shumëçka dhe mbi të gjitha se nuk do të synojë më konsensus të gjerë politik por vetëm 84 vota (aq sa i duhen për reformën zgjedhore e nisma të tjera të rëndësishme), Kreshnik Çollaku ka renditur tre kërkesat e PD-së zyrtare që domosdoshmërisht kërkojnë konsensus me PS për tu realizuar

“Përtej zhurmës logorike pa asnjë thelb të vërtetë politik, jetike për interesin e Opozitës dhe të shqiptarëve është që Parlamenti ti japë përgjigje tre prioriteteve madhore që mundësojnë ndryshimin e madh që kërkon çdo qytetar i ndershëm i këtij vendi: Listat e hapura, Vota e Diasporës, Vetingu politik”, tha Çollaku.

Më tej ai vërejti: “Çdo shfaqje e potershme në Parlament që nuk ballafaqon këto prioritete është tradhti ndaj interesit publik dhe dëm që i bëhet vendit. Nëse Rama me socialistët dhe Berisha me rithemelimin, do ta vazhdojnë lojën e tyre në Parlament, nga sot ka vetëm një arsye. Asnjëra nga këto palë nuk janë  të interesuara për lista të hapura, votë të emigrantëve dhe veting të politikës, dhe interesi i vetëm është zgjatja e agonisë dhe statuquosë së moçalit politik 30-vjeçar në Shqipëri”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë