Politike

A ka më opozitë për Ramën? / Kryeministri synon vetëm 84 vota në Kuvend: Jemi një palë partizane përballë disa ballistëve

“Sa është ora? Jo jo në këtë orë mos më pyesni kurrë për atë...”, ironizoi Edi Rama kur u pyet për Lulzim Bashën, nëse ai mund të jetë ndihma për arritjen e 84 votave në Kuvend.

Kjo nuk ishte ironia e vetme e kreut të mazhorancës. Në fund të një takimi dy ditor të zhvilluar në Shëngjin për gjithë punën e qeverisë dhe paralelisht me atë që PS-ja po ndërton në bazë, Edi Rama e pa veten të shkëputur deri në vetkenaqësi me atë që është bërë dhe pritet, në mos me termat që ai vetë përdori një “partizan” përballë disa ‘ballistëve’ kur iu referua opozitës së fragmentarizuar.

Për kryeministrin Edi Rama nuk ka më as komision bipartizan kur u pyet nëse do të japë konsensus për reformën zgjedhore, një nga kushtet për kthimin në normalitet të Kuvendit.

Për të është e rëndësishme arritja e 84 votave duke ironizuar po Lulzim Bashën kur tha se nuk janë 5000 veta në një sallë me 1400 vende.    

“...Ne nuk mund të numërojmë 87 vota në 70 e kusur karrige që kemi në Kuvend, ne kemi ato që kemi dhe për 84 vota duhen 84 karrige kështu që sigurisht që për të arritur numrin magjik duhet të konsultohesh dhe të gjesh rrugë ndërveprimi. Kushtetuta thotë 84 vota sigurisht që do të duhej një komision bipartizan por këtu kemi vetëm një palë partizane dhe një numër ballistësh thashë 7 mund të jenë 12 ose janë bërë 3 ballistë nuk e marrim dot si kusht apo si parakusht dhe të mbytemi me një lugë ujë. Nëse do të ketë vullnet deri në fund, bujrum. Ndryshe ndërrojmë faqen dhe fillojmë faqen e re pa komision bipartizanizëm sic bëjnë vendet e tjera në botë...”, tha Rama, duke sjellë ndëmend gjatë konferencës edhe shembullin më të qartë (se si ka ikur koha e negociatave me kushte), kur iu referua rastit më të diskutueshëm kur PS-ja u fut e vetme në zgjedhje pa opozitën. “Keni dëgjuar më për bojkot nga opozita në zgjedhje?...”  

Vetë kryeministri, në realitetin e ri politik, nuk sheh më një opozitë përballë, por thjesht numra, disa prej të cilave ai do t'i synojë për të arritur shumicën e cilësuar.

Rama tha gjithashtu se nuk do të negociojë as ligjin për komisionet hetimore nëse Presidenti Bajram Begaj e kthen për rishqyrtim.

“Ne nuk negociojmë dot modelin gjerman me një grup shqiptarësh që kanë humbur modelin si shqiptarë dhe janë në kërkim të modelit të tyre”.

Rama nuk u ndje i bezdisur as nga hipoteza më e mundshme se situata në Kuvend do të vijojë po njësoj ku e lamë vitin e kaluar, nëse s’ka marrëveshje

“Lufta fizike aty nuk bëhet për asnjë problem të natyrës filozofike apo konceptuale. Bëhet për një problem që ju e dini të gjithë. Një problem njerëzor por jo i kësaj shoqërie dhe i këtij populli problemi me drejtësinë i një individi që ka kaluar nga parlamenti në ballkon dhe pret nga parlamenti përplasje. Siç prisnin ata në Romë, ata që rrinin atje në lozhë dhe skllevërve të tyre u thoshin përplasuni me luanët. Por ne nuk jemi as skllevër as luanë, jemi përfaqësues të shumicës që bëjmë punën tonë”

....“Në parlament do qasemi siç janë qasur grekët, britanikët dhe ata që gëzojnë sot demokracinë dhe mundësinë që jep demokracia për të pasur parlament. Do qasemi për t’u ngritur për të folur kur marrim fjalën, dhe për t’u ulur kur të tjerët marrin fjalën. Sa kohë të kemi shëmbëlltyre të natyrës boks, mundje, hedhje gjyleje apo ndezje flakadanësh për lojërat e ardhme olimpike, ne do votojmë dhe do largohemi, sepse ne do bëjmë punën tonë....”

.... “Do të ndezësh flakën në parlament? Ndizi. Do të përdoresh gjithë arsenalin e gojës? Përdore! Por asgjë nga ato që kërkon nuk ke shans, jo t’i marrësh, por as të dëgjohesh nëse nuk i jep kohë tjetrit të flasë. Nuk e di kur, por dhe kjo do marrë një fund dhe nuk do ta përdorë njeri më vonë. Nuk të çon askund.  Të çon poshtë ballkonit po, je i lirë ta bësh!”, ishin disa nga qëndrimet e Edi Ramës referuar asaj që mund të shohim këtë vit nga përplasja opozitë-mazhorancë në Kuvend

Sa për objektivat e tjera, Rama renditi disa. Ai vlerësoi punën e Blendi Gonxhes, duke konsideruar "si një nga drejtuesit publik më të sprovuar dhe të pranuar nga të gjithë”. Ai tha gjithashtu se për çështjen Beleri do të vendosë vetem kur të ketë vendim të formës së prerë nga gjykata, duke mohuar paralelisht zërat për negociata me Vangjel Tavon.

I pyetur po nga media, Rama lajmëroi se do të shkonte në Kosovë më vonë nga vizita e planifikuar për shkak të disa ngjarjeve që sigurisht nuk kishin lidhje me Shqipërinë

Disa nga projektet e vitit 2024

-Brenda vitit hapet aksi rrugor Thumanë-Kashar

-Porti i ri i Porto Romanos do të jetë me financim të brendshëm.

-Linja  hekurudhore Durrës-Prishtinë, të kalojë në Shkodër dhe Gjakovë

- Në vjeshtë lidhet kontrata për të filluar punë për linjën hekurudhore Vorë-Hani Hotit

-Do të ketë shoqëri aksionere për prodhim automjetesh për nevojat e shtetit por edhe eksport


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë