Para

Fermerët kërkojnë 3.5 milionë euro kompensim TVSH-je

Nga Gazeta ‘Si’ – Mbi 1 mijë fermerë kanë aplikuar tashmë për të përfituar kompensimin 10% të TVSH-së përmes autofaturave të lëshuara nga përpunuesit dhe grumbulluesit e licencuar.

Sipas të dhënave të administratës tatimore, deri më 20 korrik 2026 janë regjistruar 1,265 aplikime, ndërsa vlera totale e kompensimit të kërkuar arrin në rreth 3.5 milionë euro.

Procesi i aplikimeve ka nisur më 1 korrik 2026 dhe zhvillohet përmes sistemit elektronik e-Filing, ku mund të aplikojnë të gjithë fermerët e pajisur me NIPT. Skema synon të përfshijë rreth 114 mijë fermerë në të gjithë vendin.

Për të aplikuar, fermerët duhet fillimisht të hyjnë në llogarinë e tyre në e-Filing dhe të plotësojnë te rubrika Detajet e bankës informacionin e llogarisë bankare, duke përfshirë numrin IBAN.

Pas dorëzimit të kërkesës, sistemi shfaq automatikisht autofaturat e periudhës janar–qershor, të cilat fermeri duhet t’i verifikojë dhe t’i identifikojë. Më pas, e-Filing llogarit automatikisht shumën totale të autofaturave dhe vlerën e kompensimit prej 10%, ndërsa kryen edhe kontrollin e afateve, faturave dhe të dhënave bankare përpara pranimit të aplikimit.

Skema e kompensimit synon të rimbursojë TVSH-në 10% të paguar nga fermerët për inputet bujqësore, si plehrat kimike, farat dhe fidanët. Përmes kësaj mase synohet ulja e kostove të prodhimit, rritja e mbështetjes për fermerët dhe nxitja e formalizimit të transaksioneve në sektorin bujqësor.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë