Para

Buxheti i shtetit e mbyll gjashtëmujorin me 53 mld lekë suficit

Nga Gazeta ‘Si’- Qeveria ka arkëtuar 410.6 miliardë lekë gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, duke regjistruar një rritje prej 44.5 miliardë lekësh ose 12.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Pjesa më e madhe e të ardhurave erdhi nga Tatimet dhe Doganat, të cilat mblodhën 260.1 miliardë lekë, 1.7% mbi planin dhe 7.3% më shumë se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025. Administrata tatimore arkëtoi 141.5 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 10%, ndërsa të ardhurat neto nga TVSH-ja në vend u rritën me 25.4%, duke arritur në 41.6 miliardë lekë. Edhe tatimi mbi të ardhurat personale vijoi rritjen, duke arritur në 47.6 miliardë lekë, ose 16.6% më shumë se një vit më parë.

Ndërkohë, të ardhurat nga fondet speciale, që përfshijnë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, arritën në 99.2 miliardë lekë, me një rritje prej 13.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Të ardhurat e mbledhura nga administrata doganore u realizuan në 118.6 miliardë lekë, ose 4.3% më shumë në bazë vjetore.

Të dhënat tregojnë se ritmi i rritjes së të ardhurave ka qenë më i lartë se ai i shpenzimeve edhe gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, duke rezultuar në një suficit buxhetor prej rreth 52.8 miliardë lekësh.

Nga ana e shpenzimeve, qeveria shpenzoi 357.8 miliardë lekë në gjashtë muajt e parë të vitit, 7.5% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, por me një realizim prej 97.4% të planit. Shpenzimet korente arritën në 321.1 miliardë lekë, ndërsa ato kapitale, të lidhura kryesisht me investimet publike, u realizuan në 36.8 miliardë lekë, me një rritje prej 10.2% krahasuar me një vit më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë