Mendim

Patozi: Reagimi i Metës erdhi vetëm pas intervistës së Metthew Palmer

Nga Astrit Patozi – Bindja Demokratike është shprehur që në ditën e parë të themelimit të saj se nuk e ka shqetësim fare datën e zgjedhjeve, sepse ajo do të merrte pjesë në to, kurdo që ato të mbaheshin. Për ne ka pasur më tepër rëndësi procesi, i cili duhet të ishte brenda standarteve të OSBE/ODIHR-it, se sa rezultati i partisë në ato zgjedhje.
Dëshira jonë e fortë ka qenë që në këto zgjedhje të merrnin pjesë të gjitha forcat politike të vendit dhe pas përfundimit të tyre mundësisht të gjitha ta pranonin rezultatin, që Shqipëria të kthehej më në fund në një vend normal.
Thënë këto, ne nuk mund të qëndronim indiferentë dhe të bënim si të painteresuar ndaj një realiteti të ri që është krijuar artifiacialisht në Shqipëri. E kam fjalën, për lajmërimin e Presidentit të Republikës se ka ndërmend të ndryshojë me dekret datën e zgjedhjeve vendore.
Si njëra nga forcat politike pjesmarrëse në garën e 30 qershorit, ne mendojmë se këtu nuk kemi të bëjmë fare me një debat kushtetues. Po të kishte pasur të tillë, Presidenti i Republikës, me shumë gjasa, do ta kishte ezauruar atë përpara se të binte gongu i fushatës dhe jo tani që jemi gati në mesin e saj.
Sepse ne besojmë që zgjedhjet janë një çështje shumë e rëndësishme dhe serioze dhe se ato nuk mund të trajtohen si shaka. Ti nuk mund t'u thuash sot miliona shqiptarëve, që janë përfshirë në këto zgjedhje, qoftë edhe duke parë në televior fushatat e partive garuese, se loja duhet të anullohet. Sepse, kjo do të ishte shumë e tëndë. Unë besoj se një gjë e tillë shkon kundër kushtetutës, kundër precedentit, por edhe kundër logjikës më minimale.
Ndaj edhe nuk shikoj asnjë arsye pse të presim të hënën që të njihemi me argumentet kushtetuese të Presidentit, për shkak se kjo është një çështje thellësisht politike. Dhe mjafton një analizë e thjeshtë për këtë.
Dje në Tiranë nuk kishte asgjë të re nga palët ndërluftuese të politikës sonë të vjetër. Edi Rama ishte në fushatë, ndërsa Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, në protestë. Pra të gjithë në llogoret e tyre të kahershme, një pozicion që e mbajnë njësoj prej pothuajse katër muajsh.
E vetmja e re dje për politikën në Shqipëri ishte intervista e zotit Palmer nga Uashingtoni, e cila me sa duket prishi qetësinë dhe zgjoi reagimin radikal të Presidentit.
Ndaj unë gjykoj se kjo është një arsye më shumë, se përse shqiptarët duhet të shkojnë në zgjedhje dhe të votojnë më 30 qershor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë