Keshilla

Pastrimi i shtëpisë nuk sjell përfitime për shëndetin tuaj

Me ardhjen e pranverës, shumë njerëz janë gati të hapin dritaret, të nxjerrin produktet e pastrimit dhe të heqin të gjithë papastërtinë nga shtëpia e tyre.

Por sa e rëndësishme është të kemi një shtëpi të pastër për shëndetin tonë? A mund të jetë e mirë për ne pak papastërti? A ndihmon pastrimi i thellë në parandalimin e infeksionit dhe na mbron nga sëmundjet? Ekspertët thonë se duhet të kemi kujdes që të mos ngatërrojmë pastërtinë me higjienën e mirë.

Pandemia e Covid-19 shtoi pastrimin e shtëpive pasi njerëzit u përpoqën të mbanin virusin larg duke dezinfektuar çdo centimetër të shtëpisë së tyre. Kjo u përkeqësua nga paralajmërimi i hershëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë se virusi mund të përhapet përmes sipërfaqeve të kontaminuara. Hulumtimet e mëvonshme arritën në përfundimin se sipërfaqet paraqisnin një rrezik të ulët të transmetimit të sëmundjes.

Sally Bloomfield, kryetare e Forumit Ndërkombëtar për Higjienën e Shtëpisë, shqetësohet se pandemia ka bërë që shumë njerëz të marrin zakone të padobishme pastrimi. Këto mund të përfshijnë gjëra të tilla si pastrimi ekstrem i dyshemeve, në vend që të përqendrohen në praktikat e mira të higjienës që ndihmojnë në parandalimin e përhapjes së sëmundjeve.

“Njerëzit kanë një obsesion me pastërtinë si një mjet për të mbrojtur veten nga mikrobet”, thotë Bloomfield.

“Është diku në ADN-në tonë që ne e lidhim pastërtinë me shëndetin. Ne kemi evoluar për të pasur një refleks neverie dhe për të shmangur gjërat që janë të pakëndshme ose me erë të keqe”.

Por pastërtia dhe higjiena nuk janë e njëjta gjë, thotë ajo.

“Pastërtia ka të bëjë me arritjen e pamjes së një zone që duket e pastër, nëpërmjet pastrimit ose fshirjes së saj por higjiena ka të bëjë me mbrojtjen nga mikrobet e dëmshme2.

Këto përfshijnë patogjenë si norovirusi, gripi, Covid-19 dhe salmonela, thotë Bloomfield.

“Higjiena është një grup veprimesh, jo një gjendje, të cilat ju i kryeni kur është e nevojshme, dhe jo në një kohë të caktuar. Ka të bëjë me ndërhyrjen në momente kyçe”, thotë Bloomfield.

Ne të gjithë duhet të praktikojmë "higjienën e synuar" në jetën tonë të përditshme dhe të kuptojmë se kur mikrobet e dëmshme ka të ngjarë të përhapen. Për shembull, kur trajtojmë ushqim të papërpunuar, përdorim tualetin, prekim kafshët shtëpiake, fryjmë hundën ose hedhim mbeturina.

Një sondazh i kryer nga Shoqëria për Shëndetin Publik në Britani zbuloi se shumë njerëz janë të dyzuar për ndryshimin midis higjienës dhe pastërtisë. Shumë nga të anketuarit thanë se të qenit higjienik përfshin heqjen e papastërtive. Më shumë se një e treta (36%) thanë se papastërtia ishte gjithmonë e dëmshme dhe 61% thanë se prekja e duarve të një fëmije pasi ai kishte luajtur jashtë ka të ngjarë të përhapte mikrobe të dëmshme.

Por Shoqata vëren se burimet kryesore të patogjenëve nuk janë zakonisht vendet që konsiderohen "të pista", por ushqimi i kontaminuar, kafshët shtëpiake dhe njerëzit e infektuar.

Hulumtimet tregojnë se balta mund të ofrojë shumë përfitime të rëndësishme shëndetësore. Fëmijët që rriten në ferma, për shembull, vuajnë më pak nga astma dhe alergjitë dhe kanë më pak gjasa të zhvillojnë prbleme autoimune për shkak të ekspozimit të tyre në fillimet e jetës ndaj një game më të larmishme të mikroorganizmave që ndihmuan në rregullimin e imunitetit të tyre.

Shkencëtarët argumentojnë se nuk ka asnjë provë që tregon se pastërtia është e lidhur me zhvillimin e alergjive.

Ndjeshmëria e një fëmije ndaj zhvillimit të alergjive nuk ka të bëjë me pastërtinë, por më tepër me ekspozimin e tyre ndaj llojeve të ndryshme të mikroorganizmave nëpërmjet zorrëve, lëkurës dhe ajrit që thithin, sipas shkencëtarëve.

Në një studim të vitit 2021, Rook dhe Bloomfield arritën në përfundimin se ne nuk jemi shumë të pastër për të mirën tonë.

“Praktikat e synuara të higjienës në momentet dhe vendet kryesore të rrezikut mund të maksimizojnë mbrojtjen kundër infeksionit duke minimizuar çdo ndikim në ekspozimet thelbësore mikrobiale”, thuhet në studim.

"Ju nuk mund ta mbani shtëpinë tuaj higjienike. Nëse dëshironi ta bëni këtë, duhet ta vendosni në një kuti sterile” E rëndësishme është të dini momentin kur duhet ta pastroni”, thonë studiuesit.

Burimi: BBC. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë