Menaxhim

Pas Vlorës, Mirditës, Lezhës e Kurbinit, çmimi i ujit rritet edhe në Fier

Nga Gazeta 'SI' - Rritja e çmimit të ujit ka prekur tashmë dhe qarkun e Fierit.

Vendimi i fundit i Entit Rregullator të Ujit tregon se për familjarët çmimi i ujit do të rritet me 8 lekë, në 60 lekë për m3. Për bizneset dhe subjektet publike do të rritet me 10 lekë, respektivisht në 135 dhe 115 lekë/m3.

Për çdo vit deri në 2026-n, çmimi ujit për familjarët do të shtrenjtohet me 5 lekë, ndërsa për konsumatorët e tjerë me 10 lekë, ka vendosur ERRU.

Për shërbimin e kanalizimeve të ujërave të ndotur, ERRU ka vendosur unifikimin e tarifës në 20 lekë/m3 për çdo kategori konsumatorësh.

Fieri është qarku i pestë i prekur nga rritja e çmimit të ujit pas Vlorës, Mirditës, Lezhës dhe Kurbinit.

Aplikimi i radhës që pritet të miratohet nga ERRU është ai i ujësjellësit të Durrësit. Pak muaj më parë ERRU rrëzoi kërkesën e UK Shkodër, Elbasan dhe Berat.

Në fund të dhjetorit 2023, Konkurrenca pas shqyrtimit të kërkesës së UK Vlorë për rritje çmimi, i kërkoi ERRU-së “që tarifat e ndryshuara, që do të miratohen nga ERRU për ndërmarrjen Ujësjellës Kanalizime Vlorë SHA, të jenë të orientuara drejt kostos së shërbimeve dhe të jenë të bazuara në parimin e mosdiskriminimit.”

Ujësjellës Kanalizimet kanë qenë prej kohësh dhimbje koke për qeverinë, për shkak të borxheve të shumta, keqmenaxhimit të arkëtimeve dhe vonesa e reformimit.

Në një projektligj të hedhur për konsultim së fundmi, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë propozon që të zgjidhë ngërçet e ujësjellës-kanalizimeve me anë të koncesionit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë