Analize

Pas të shtënave në SHBA, Trump kërkon reformë për emigrantët!

Pas të shtënave me armë në Teksas dhe Ohio, presidenti Donald Trump u ka bërë thirrje politikanëve amerikanë të përshpejtojnë reformën e emigracionit që ka prezantuar administrata e tij.

Vetëm pak orë pas sulmeve të njëpasnjëshme në El Paso dhe Dayton që synonin kryesisht emigrantët e ardhur nga Meksika, Presidenti amerikan do shkruante në një postim në Twitter se demokratët dhe republikanët "duhet të bashkohen" për të punuar në një projekt-ligj të ri për kontrollin e armëve dhe emigracionit.

20 persona humbën jetën pasi një sulmues i armatosur hapi zjarr në një qendër tregtare në El Paso të Teksasit, të shtunën në mëngjes. Autoritetet arrestuan një të dyshuar 21 vjeçar të identifikuar si Patrick Crusius dhe rreth 13 orë më vonë, në 1 të mëngjesit, nëntë njerëz humbën jetën pas të shtënave në një bar në Dayton. Autoritetet thanë se të dyja sulmet kishin motive diskriminuese që lidheshin me emigrantët.

Të shtënat në El Paso, Gazeta Si, 6 gusht 2019

Por ndërkohë që demokratët po kërkojnë forcimin e kontrollit të armëve, presidenti amerikan ka kërkuar sërish forcimin e rregullave të emigracionit. Administrata Trump ka propozuar shkurtime drastike të emigracionit të ligjshëm, duke ndryshuar shumë nga pikat e Aktit të Imigracionit të vitit 1924.

Shtëpia e Bardhë po bën presion për të ulur emigracionin deri në 40 për qind dhe të miratojë përmirësime gjithëpërfshirëse për sigurinë e kufijve dhe kontrollin e brendshëm për emigrantët e paligjshëm. Sipas këtij planit, emigrantët me pasaportë amerikane do të humbnin të drejtën për të tërhequr prindërit e tyre, fëmijët e rritur ose të martuar, ose motrat apo vëllezërit.

Nëse kjo reformë miratohet ata do të kenë të drejtë të tërheqin në SHBA vetëm bashkëshortët dhe fëmijët e mitur. Ndërkohë, banorët e përhershëm ligjorë, të cilët kanë pasur aftësi më të kufizuara për t'u ribashkuar me të afërmit, nuk do të ishin më në gjendje të bëjnë kërkesë për të tërhequr as fëmijët e tyre. Kjo reformë duket se nuk do të prekë vetëm prindërit e shtetasve amerikanë, të cilët morën 59 përqind të kartave jeshile të lëshuara përgjatë vitit të kaluar.

Po ashtu nëse miratohet, kjo reformë do të kufizojë edhe kategoritë e qytetarëve qe do të kenë të drejtë të marrin viza tre-vjeçare për të udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara.

Shtëpia e Bardhë gjithashtu po kërkon të eliminojë Lotarinë Amerikane, e cila u mundëson çdo vit qindra shqiptarëve të emigrojnë drejt SHBA-së.

Protestë në mbëeshtetje të emigrantëve në SHBA, Gazeta Si, 6 gusht 2019

Trump ka kërkuar reformimin e sistemit të emigracionit për të favorizuar aplikantët që flasin anglisht, që janë të arsimuar dhe kanë kontrata pune. Propozimi i tij do ta çonte numrin e personave të pajisur me karta jeshile dhe statusin e banorit të përhershëm në rreth 1.1 milionë në vit, por do të ndryshonte mënyrën se si ata përzgjidhen, duke u dhënë përparësi individëve me aftësi të veçanta dhe të arsimuar, me perspektiva punësimi apo investimesh, në vend të lidhjeve familjare me qytetarë amerikanë, ose nevojave humanitare

Sipas planit të ri, emigrantët që duan të shkojnë në SHBA duhet të jenë të vetë- financuar, të dinë rrjedhshëm anglisht dhe të kalojnë disa provime.

“Nëse miratohet, plani ynë do të transformojë sistemin e emigracionit të Amerikës në krenarinë e kombit tonë dhe në zilinë e botës moderne” shtoi Trump.

Por ai nuk është presidenti i parë që synon të ndërmarrë të tilla ndryshime. Përpjekjet për të përmirësuar sistemin e emigracionit nuk kanë shkuar askund për tre dekada për shkak të ndarjeve të thella partiake.

Demokratët: Trump fajtor për të shtënat!

Pak para sulmit El Paso, mbështetësit e ekstremit mbajtën një manifestim kundër pushtimit hispanik të Teksasit dhe shprehën mbështetje për personin e armatosur që vrau 51 persona në një xhami në Zelandën e Re, në fillim të këtij viti .

Njerëzit mbajnë homazhe pas sulmit në El Paso, Gazeta Si 6 gusht 2019

El Paso ka një popullsi të madhe emigrantësh dhe manifestues treguan se kishin zgjedhur me dashje qytetin kufitar me Meksikën për këtë arsye. Policia beson se manifestimi ishte organizuar nga vrasësi Patrick Crusius.

Pas këtyrë raporteve, demokratët e lidhën sulmin me retorikën e Trump kundër emigrantëve.

“Ti korr atë që mbjell dhe ai po mbjell urrejtjeje në këtë vend. Kjo dhunë dhe urrejtjeje që po shohim tani vjen për shkak të gjuhës së përdorur nga presidenti" tha senatori Cory Booker. "Trump është përgjegjës."

Javët e fundit, presidenti ka postuar disa komentet raciste për katër politikane me ngjyrë, të cilat janë të katërta senatore demokratike. Në tubimet e fundit, ai ka folur edhe për një "pushtim nga emigrantët" në kufirin jugor.

Në korrik, ai nuk arriti t'i ndalojë përkrahësit që brohorisnin për dëbimin e kongresmenit amerikan Ilhan Omar, një qytetar amerikan me origjinë nga Lindja e Mesme.

Po ashtu edhe ish-përfaqësuesi demokrat Beto O’Rourke, i cili është nga El Paso fajësoi presidenti amerikan për të gjitha sulmet e kohëve të fundit.

“Ai jo vetëm që po e toleron urrejtjen ndaj emigrantëve, por edhe e inkurajon atë. Njerëzit po i përgjigjen gjuhës së tij të urrejtjes. Ai po inkurajon llojin e dhunës që ne po shohim, përfshirë këtu edhe atë në qytetin tim të lindjes, El Paso. Ai po i quan dhunues dhe kriminel me emigrantët nga Meksika”, deklaroi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë