Analize

Pas takimit sekret Kosovë-Serbi në Berlin, Merkel-Macron anulojnë Samitin e Parisit

Pas një takimi të fshehtë mes delegacioneve të Serbisë dhe Kosovës në Berlin, Gjermania dhe Franca kanë vendosur të shtyjnë samitin e 1 korrikut në Paris, ku të dyja palët prisnin që të arrinin një marrëveshje. Zyra e Qeverisë Gjermanë ka konfirmuar se takimi që ishte thirrur nga presidenti Emmanuel Macron dhe kancelarja Angela Merkel është shtyrë për një afat të papërcaktuar.

Në një përgjigje të shkurtër për “DW” një zëdhënëse e qeverisë gjermane, tha ndër të tjera edhe se Gjermania dhe Franca do të jenë edhe më tej në kontakt të ngushtë me Kosovën dhe Serbinë. Ky vendim i papritur duket se vjen pas takimin të zhvilluar më 19 qershor në Berlin me përfaqësues të Serbisë, Kosovës, Gjermanisë, Francës dhe BE-së, detajet e së cilit duket se janë mbajtur larg mediave.

Në përpjekje për të zhbllokuar dialogun Kosovë – Serbi, Gjermania ka ndërmjetësuar një takim në Berlin ndërmjet palës kosovare dhe serbe ku ka kanë marrë pjesë zyrtarë nga të dyja palët. Megjithatë, sipas medive në Beograd dhe Prishtinë shkaku i shtyrjes së takimit te Parisit është mospranimi i Kosovës për pezullimin e taksave doganore ndaj Serbisë.

Angela Merkel, Emmanuel Macron dhe Ramush Haradinaj

Të deleguarit e kryeministrit Haradinaj nuk kanë pasur fuqi dhe mandat të vendosin për heqjen e taksës dhe kjo ka shkaktuar reagim të ashpër nga Gjermania dhe Franca. Si rezultat i refuzimit të Kosovës për heqjen e taksës, burimet konfirmojnë për mediat në Prishtinë se takimi i paralajmëruar për tu mbajtur në Paris, tashmë është anuluar.

Prishtina duket se është përfaqësuar nga dy njerëzit më besnik të Haradinajt, ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Avni Arifi dhe shefi i stafit të kryeministrit, Selim Selimi.
Pala serbe është udhëhequr nga Marko Gjuriç, drejtor i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë. BE-ja është përfaqësuar nga Angelina Einhorst, drejtoreshë për Evropën perëndimore dhe për Ballkanin në Shërbimin e Jashtëm, Gjermania nga Jan Heckert këshilltar i kancelares Merkel, ndërsa Franca nga Alexandre Adam, zëvendës këshilltar i presidentit Macron. Burimet konfirmojnë për mediat në Prishtinë se qëllim i këtij takimi sekret ka qenë diskutimi i draftit për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe në Kosovë me kompetenca ekzekutive.

Avni Arifi dhe Ramush Haradinaj

Sipas tyre, kryeministri Haradinaj ka pranuar tashmë propozimin e Gjermanisë që Kosova të pranojë themelimin e Asociacionit me kompetenca ekzekutive si kompromis kryesor për të arritur marrëveshjen përfundimtare me Serbinë.

Sipas këtij skenari, Serbia nuk do të ketë nevojë ta njohë pavarësinë e Kosovës de jure dhe as te vendosë marrëdhënie diplomatike me Kosovën, por vetëm do ta pranojë faktin se Kosova ka territorin e saj.

“Pra, takimi sekret i Berlinit ka pasur si qëllim fillimin e realizimit të skenarit të Gjermanisë për të imponuar si marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë modelin Gjermano- Gjerman, i cili nuk i siguron njohjen formale Kosovës nga Serbia përkundër kompromisit të dhimbshëm të Kosovës. Burimet konfirmojnë se përkundër progresit të arritur në këtë takim, ende nuk ka ndonjë rezultat konkret dhe se pala serbe përsëri ka kërkuar heqjen e tarifave”, shkruan Agjencia e Lajmeve INA.

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, deklaroi sot se takimi i përfaqësuesve të Beogradit dhe të Prishtinës në Berlin, i ndërmjetësuar nga Gjermania, nuk ishte i fshehtë, por takim përgatitor për samitin e Parisit.

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç

“Marko Gjuriçin e kam dërguar unë në Berlin, që të marrë pjesë në mbledhjen përgatitore për samitin e Parisit. E kam porositur që Serbia të jetë konstruktive, se me rëndësi është heqja e taksës, por pala shqiptare nuk ka pranuar ta heqë taksën dhe prandaj nuk ka rezultate”, u tha Vuçiq gazetarëve në Minsk.

Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve nëse drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç kishte shkuar atje papritur, Vuçiç tha se takimi nuk ishte i fshehtë, por se kusht për të ishte marrëveshja që të mos flitet publikisht”.

“Mendoj se gjermanët e francezët e kanë kuptuar mirë se kush nuk dëshiron dialog dhe kush e po frenon", ka deklaruar Vuçiç .


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë