Mendim

Pas Shqipërisë, Holanda bllokon liberalizimin e vizave me Kosovën

Pasi nuk ia doli të rikthente regjimin e vizave me Shqipërinë, Holanda duket se ka dalë tanimë kundër liberalizimit të vizave me Kosovën, duke kërkuar kushte shtesë pwr lëvizjen e lirw.
Procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën është lënë në harresë dhe nuk po finalizohet, pavarësisht rekomandimit të Komisioni Europian për heqjen e regjimit të vizave për shqiptarët e Kosovës. Kjo çështje ka të ngjarë të shtyhet sërish në tetor, pasi disa shtete anëtare të Bashkimit Europian hezitojnë të mbështesin liberalizimin për Kosovën.

Një nga vendet kryesore që po mban peng heqjen e vizave më Kosovën është Holanda. Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Holandës kanë bërë të ditur për mediat në Prishtinë se kanë kërkuar sqarime dhe kushte shtesë nga KE-ja sa i përket përmbushjes së kritereve nga ana e prishtinës, të specifikuara në Raportin e Komisionit.

Duke mos pohuar se e mbështesin liberalizimin e vizave për Kosovën, përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Jashtme e Holandës kanë thënë për gazetën “Zëri” se për Amsterdamin është shumë e rëndësishme që Kosova të plotësojë të gjitha kushtet e vëna nga Bashkimi Evropian.
“Propozimi i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës është duke u shqyrtuar në Këshill. Holanda është e angazhuar për procesin e liberalizimit të vizave. Në të njëjtën kohë është e rëndësishme për Holandën që të gjitha kushtet e vëna të plotësohen në mënyrë të qëndrueshme”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë. Ajo ka bërë të ditur se i ka kërkuar Komisionit Europian që të sqarojë edhe më tej disa pika të raportit ku ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën.

Nga ana tjetër, Ministrja e Kosovës për Integrimin Evropian, Dhurata Hoxha, tha të mërkurën se edhe Franca dhe Belgjika kanë dilema për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Dhurata Hoxha


Ajo tha se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e Bashkimit Evropian, por për shkak të hezitimeve të këtyre vendeve, nuk dihet se kur do të hidhet në votim në Këshillin e Ministrave çështja e heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës.

“Parlamenti Europian ka votuar raportin edhe një herë më 2019. Përkundër rekomandimeve pozitive dhe përmbushjes së kritereve, jemi duke pritur vendimin e Këshillit. Në zvarritje ka ndikuar edhe gjendja politike brenda Parlamentit Europian. Në takimin që kemi pasur në Gjermani me ministrin e Brendshëm, kemi marrë mbështetje për vizat. Por, Franca, Holanda, Belgjika kanë dilema për liberalizimin e vizave në Kosovë”, theksoi Hoxha para deputetëve gjatë një mbledhjeje të Komisionit parlamentar.

Ajo tha po ashtu se përfshirja e Kosovës në agjendën e Këshillit të Ministrave nuk mund të ndodhë, nëse nuk ka një konsensus. Sipas saj, brenga apo dilema e Francës ndërlidhet me migrimin dhe keqpërdorimin e liberalizimit nga disa shtete që e kanë tashmë regjimin e udhëtimit pa viza.

Gjatë debatit, deputetët, sidomos ata të opozitës, kritikuan Qeverinë e Kosovës dhe ministren Hoxha për zvarritjen e procesit të liberalizimit të vizave, si dhe për deklarata të pavërteta, pasi kryeministri Ramush Haradinaj ka deklaruar javë më parë se Franca nuk është kundër liberalizmit të vizave për Kosovën.

BE-ja i ka vënë Kosovës si detyrë të plotësojë 95 kritere për të marrë rekomandimin pozitiv për liberalizim të vizave nga Komisioni Evropian. Drita jeshile nga Komisioni Evropian erdhi në korrik të vitit 2018 dhe në shtator të po atij viti, Parlamenti Evropian ka votuar në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën.


Mirëpo, përgjatë muajve që kemi lënë pas, Këshilli i Ministrave as nuk e ka vendosur fare në agjendën çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën. Edhe pse qëndrimi i Holandës ka ardhur tanimë në rrugë zyrtare, skepticizmi nga disa vende anëtare nuk është surprizë për asnjë zyrtar në Kosovë.

Në maj, Kryeministri Ramush Haradinaj dhe presidenti Hashim Thaçi u kthyen më të zhgënjyer se kurrë nga Berlini, ku nuk morën dot asnjë premtim për çështjen e liberalizimit të vizave për shkak së Macron ka këmbëngulur për mbajtjen e regjimit të vizave ndaj Kosovës, duke e lidhur këtë vendim me Shqipërinë.

Sipas burimeve të “Deutsche Welle”, presidenti Macron e kishte justifikuar mosmiratimin e heqjes së regjimit të vizave me përvojën e keqe të Francës pas liberalizimit të vizave me Shqipërinë dhe Gjeorgjinë, ku u shtua si numri i emigrantëve të parregullt, ashtu dhe kriminaliteti nga këto vende. Nisur nga fushata elektorale për zgjedhjet e Parlamentit Europian, Macron kishte argumentuar se, nëse ai do të hiqte vizat edhe për Kosovën, kjo do të ishte në favor të partisë së ekstremit të djathtë, Fronti Nacional.

Thaçi nuk i kurseu kritikat duke deklaruar se Bashkimi Evropian ka mashtruar Kosovën kur kërkoi ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi si kusht të fundit për liberalizmin e vizave, “Kriter për vizat ka qenë demarkacioni me Malin e Zi dhe na premtuan se pas kësaj do të hiqeshin vizat. Por fatkeqësisht ky ishte një premtim i rremë”, u shpreh Thaçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë