Në harkun kohor të dy javëve ndodhin dy vizita të rëndësishme në Tiranë, një nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe tjetra nga Bashkimi Europian. Emëruesi i përbashkët i këtyre vizitave është se në të dyja rastet shmanget nga agjenda e takimeve Presidenti Ilir Meta.
Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk mbërrin këtë të martë në Tiranë nga Shkupi, pas takimeve me Presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski dhe me Kryeministrin Zoran Zaev. Kryetemë e këtyre takimeve është hapja e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Europian.
Por, megjithëse tema është e njëjtë si në Shkup, ashtu edhe në Tiranë, agjenda e takimeve nuk është e tillë. Presidenti i Këshillit Europian nuk do të takohet me Presidentin Ilir Meta. I vetmi takim i tij do të jetë me Kryeministrin Edi Rama rreth orës 15:00. Takimi pritet të zgjasë rreth 30 minuta, për të nisur më pas një ceremoni dorëzimi medaljeje dhe më vonë një konferencë e përbashkët për shtyp me Kryeministrin shqiptar.
Si President i Këshillit Europian, Donald Tusk ka “çelësat e kashtës” sa i takon vendimmarrjes për hapjen, ose jo të negociatave me Shqipërinë. Ai mban një post më shumë honorifik me simbolikë unifikuese për vendet e BE-së, i ngjashëm me atë të presidentëve në republikat parlamentare, siç është Shqipëria. Ndaj, mungesa e një takimi me “homologun” Ilir Meta bie në sy, aq më tepër që është rasti i dytë brenda dy javëve.
I pari që shmangu Ilir Metën ishte drejtori në Zyrën për Europën Qendrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit, David Kostelancik. Ai u takua me Gramoz Ruçin, Edi Ramën, Lulzim Bashën, Monika Kryemadhin e deri edhe me Taulant Ballën, por jo me Ilir Metën.
Të gjitha këto elementë ngrenë një pyetje të madhe, nëse “shmangia” e Presidentit Ilir Meta dy herë brenda pak ditëve është rastësi e kushtëzuar nga koha dhe tema e diskutimeve, apo një “izolim” ndërkombëtar i Presidentit?
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.