Politike

Pse s’takoi Metën zyrtari i DASH?

Drejtori i Zyrës për Europën Qendrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit, David Kostelancik mbylli rreth orës 18:30 minuta të së mërkurës serinë e takimeve zyrtare me drejtues, zyrtarë dhe përfaqësues të mazhorancës dhe opozitës, parlamentare dhe jashtëparlamentare.

Takimet i përfundoi me Kryeministrin Edi Rama. Se çfarë është diskutuar në këtë bisedë relativisht të gjatë mes tyre deri në orët e para të së enjtes nuk doli asnjë komunikatë zyrtare, por jozyrtarisht përfaqësues të mazhorancës thonë se tema kryesore ka qenë reforma zgjedhore.

Për reformën zgjedhore flitej edhe në komunikatën zyrtare të shpërndarë nga Kuvendi i Shqipërisë pas takimi që Gramoz Ruçi pati me David Kostelancik. Në të njëjtën deklaratë, mazhoranca shprehej e gatshme për dialog me opozitën parlamentare dhe me atë jashtë Parlamentit për dialog.

Ajo që ra në sy të mediave ishte mungesa e një takimi mes Kostelancik dhe Presidentit Ilir Meta. Zyrtari amerikan u takua me Ruçin, Ballën, Bashën, Kryemadhin, Ramën e madje edhe me Rudina Hajdarin dhe Ralf Gjonin, dy deputetët që braktisën PD dhe LSI dhe linjën e tyre të djegies së mandateve.

Mungesa e një takimi me Ilir Metën është vënë re edhe nga Zëri i Amerikës, zëri gjysmëzyrtar i Departamentit Amerikan të Shtetit.

“Ajo që ra në sy ishte mungesa e një takimi me Presidentin Ilir Meta, ndërkohë që zyrtari i lartë amerikan pati bisedime me Kryetarin e Parlamentit Gramoz Ruçi dhe kryeministrin Edi Rama, ndërsa në nivel politik me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe Kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi, Sekretarin e Përgjithshëm socialist Taulant Balla si dhe dy deputetët opozitarë që janë pjesë e parlamentit Rudina Hajdari dhe Ralf Gjoni”, thuhet në artikullin e kësaj media.

Kostelancik u emërua në detyrën e Drejtorit të Zyrës për Europën Qendrore dhe Jugore vetëm dy muaj më parë, pasi përfundoi misionit diplomatik në Hungari, si zv.ambasador i Shteteve të Bashkuara në Budapest. Vizita e tij në Tiranë është e para në rajonin e Ballkanit, që duket se ka rifituar një tjetër vëmëndje të Uashingtonit pas emërimit të Mattheë Palmer si Përfaqësues i Posaçëm i Ballkanit Perëndimor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë