Ne rrjet

Pas emigrantëve, Salvini i shpall luftë kanabisit!

Pas emigrantëve, Matteo Salvini duket se i ka shpallur luftë kanabisit dhe drogës.

Ministri i brendshëm italian deklaroi se do të mbyllte "një nga një" të gjitha dyqanet ligjore të kanabisi në Itali duke thënë madje se do të konsideronte rrëzimin e qeverisë nëse aleatja e koalicionit qeveritar, Lëvizja Pesë Yjet, refuzon ta mbështesë.

"Prej sot, unë do t’i shpall luftë kanabisit në rrugë, dyqane, farmaci lagje dhe qyteti”, tha Salvini.

Më anë të një lëvizjeje të papritur, udhëheqësi i Lega Nord e konsideroi luftën kundër drogës si një emergjencë e re kombëtare, duke bërë thirrje qeverisë të përdorë të gjitha metodat ligjore për të mbyllur dyqanet që shesin kanabis si dhe të luftojë trafikimin e lëndëve narkotike.

Shitësit ligjorë të kanabisit kanë pushtuar Italinë përgjatë viteve të fundit, me një fitim prej 6.5 milionë euro në vit. Më shumë se 300 dyqane shtesë u hapën në vitin 2018, 75% në vitin e kaluar.

Matteo Salvini

Këto dyqane shesin kryesisht canabidiol, një përbërje kimike më e lehtë që bëhet nga bimët e kanabisit. Dyqane të ngjashëm gjithashtu kanë filluar të hapen në Belgjikë që nga korriku i vitit të kaluar, por deri tani nuk ka pasur probleme. Por ndryshe nga Belgjika, në Itali këto dyqane shesin kanabidiol me përqindje të lartë lëndësh narkotike dhe më çmime më të ulëta.

Një ditë pas njoftimit të Salvinit, tre dyqane kanabisi u mbyllën me urdhër të policisë në qytetin e Maceratës, në qendër të Italisë. Policia sekuestroi produktet, disa prej të cilave përmbanin nivele kanabisi që tejkalonin kufirin ligjor.

Salvini përshëndeti operacionin e policisë, duke thënë se do ta imponojë "modelin e Maceratës" në të gjithë vendin.

Por lufta ndaj drogës rrezikon të hapë një front të ri midis partisë së ekstremit të djathtë Lega Nord dhe lëvizjes Pesë Yjet. Në një debat televiziv, Salvini tha se nuk do të ngurronte të rrëzonte qeverinë nëse aleatët e tij përpiqeshin të legalizonin kanabisin.

"Nuk duhet të japim informacione të gabuara, sepse dyqanet e kanabisit nuk shesin drogë", u përgjigj Ministrja italiane e Shëndetësisë Giulia Grillo, e cila është pjesë e Lëvizjes Pesë Yje.

Zëvendëskryeministri Luigi Di Maio reagoi po ashtu duke thënë se: "Ne jemi të gjithë kundër drogës, por tani qytetarët italianë janë të lodhur nga këto kërcënime ndaj qeverisë".

Në janar, deputeti Matteo Mantero, paraqiti një projekt-ligj që lejon qytetarët të rritin deri në tre bimë marihuane për vetë përdorim rekreativ, por Salvini tha se priste që ky projektligj të tërhiqej.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë