Futboll

Pas dy dështimeve, Britania kërkon Kupën e Botës 2030

Qeveria angleze ka deklaruar se do të mbështesë projektin e Federatës së Futbollit për të organizuar Kupën e Botës, 2030 në Angli dhe Irlandë. Bashkimi i federatave të futbollit të Anglisë, Irlandës, Irlandës së Veriut, Wellsit dhe Skocisë, janë duke u menduar për ta çuar këtë propozim në një tjetër shkallë.  Lidhur me këtë çështje, kryeministrja e Britanisë, Theresa May tha: “Vendimi për të shkuar përpara me propozimin, gjithmonë i mbetet federatës. Nëse ata vendosin të shkojnë përpara me këtë iniciativë, mund të llogarisin edhe mbështetjen absolute të qeverisë.”

   

Federata e Anglisë dhe ajo e Wellsit dolën në një deklaratë para pak ditësh, duke u shprehur se asosacioni i federatave britanike janë duke biseduar me njëra tjetrën për të çuar me tej kandidaturën që do e çonte kampionatin botëror të futbollit në ishujt britanik pas 64 viteve.

Eventi i madh futbollistik më i fundit në Angli është Kampionati Europian i vitit 1996, që ishte fiks 30 vjet pasi në ishullin britanik ishte luajtur Kupa e Botës e vitit 1996.  Sipas këtij projekti ende embrional, stadiumi mitik anglez, Wembley do të presë 7 ndeshje të kampionatit botëror 2030, ku mes të cilave do të jetë edhe finalja.

Kjo është tentativa e tretë e Anglisë në 10 vitet e fundit, pas dështimit për të marrë botërorin e vitit 2018, ku u mposht nga Rusia dhe për atë të vitit 2026, që do të luhet në ShBA, Kanada dhe Meksikë. Më herët për të marrë përsipër organizimin e këtyre kampionateve, Anglia kishte angazhuar princin William, ish-futbollistin David Beckham dhe ish-kryeministrin David Cameron. Në mediet angleze, pas fitores së ShBA-ve, Kanadasë dhe Meksikës kishte një sërë akuzash për manipulim të procesit të përzgjedhjes.

Gjithsesi Anglia dhe vendet e tjera britanike do duhet të bëhen gati për një beteje shumë të ashpër për këtë të organizuar këtë kampionat botëror. Rivalët e parë të deklaruar janë Argjentina, Uruguai dhe Paraguai që pas 100 vitesh duan ta kthejnë Kupën e Botës, aty ku u luaj për herë të parë. Këto tre vende kanë premtuar se do të ndërtojnë ose rinovojnë plot 15 stadiume që do të vihen në dispozicion të Kupës së Botës. Të treja vendet amerikano-latine prej disa muajsh kanë përfunduar bisedimet e brendshme dhe tashmë kanë filluar lobimin, teksa koha për të marrë vendim është ende e largët.

https://www.youtube.com/watch?v=_BgnPE72u40
Këto janë projektet e stadiumeve që do të ndërtohen në Argjentinë, Uruguai dhe Paraguai nëse marrin përsipër organizimin e Kupës së Botës 2030.

Gjithashtu Spanja dhe Maroku janë kandidatë për të marrë përsipër organizimin e këtij eventi edhe pse nuk janë bërë ende zyrtare. Mbledhja e FIFA që do të përcaktojë se ku do të organizohet Kupa e Botës 2030 pritet të mbahet në mesin e vitin të ardhshëm.

Siç ndodh zakonisht në Angli para se diçka të mendohet nga drejtuesit e institucioneve, ajo është bërë fakt në media. Gazetari anglez, Dan Roan, ka bërë një koment të shkurtër lidhur me kandidaturën britanike për të organizuar Kupën e Botës në vitin 2030, ku thotë se një ofertë e përbashkët e këtyre vendeve është ende larg materializimit, por mund të ndodhë shumë shpejt. Sipas Roan, me Brexit që duket në horizont, qeveria angleze është e gatshme të rindërtojë reputacionin e Britanisë si një pritëse e ngjarjeve të mëdha sportive dhe beson se një ofertë e përbashkët do të kishte një shans të fortë për të organizuar turneun më të madh të futbollit për herë të parë që nga viti 1966. Federata Angleze ka punuar shumë për të larguar imazhin e arrogantit që duket se i ka kushtuar shumë Anglisë në votime në të kaluarën. Ajo ka fituar gjithashtu besim nga reformat që janë bërë nga brenda FIFA-s që besohet se e kanë bërë procesin e votimit më transparent.

https://www.youtube.com/watch?v=nbbTB0VYsUE
Këta stadiumet që do të përdoreshin në Angli dhe Irlandë nëse marrin përsipër organizimin e Kupës së Botës 2030. (Disa do të rindërtoheshin nga e para)

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë