Futboll

Pas Botërorit, kush do të paguajë për stadiumet?

Rusia rinovoi apo ndërtoi nga e para 12 stadiume në total, posaçërisht për finalet e Kupës së Botës. Por, kur gjithçka të ketë përfunduar dhe prozhektorët e eventit më të madh futbollistik të jenë fikur, këto impiante rrezikojntë të shndërrohen në gërmadha.

Një pjesë e stadiumeve janë ndërtuar në rajone me një numër modest popullsie dhe kostoja financiare e mirëmbajtjes së tyre është e papërballueshme për autoritetet lokale.

Është ende shpejt për të folur, por situata mund të degradojë dhe një pjesë e stadiumeve ruse të shndërrohen në gërmadha ku rritet bari pa kriter, ashtu si ndërtimet e kryera në Athinë për lojërat olimpike të 2004.

I pari alarmin e ka ngritur Guvernatori i Kaliningradit. Ai tha pas një takimi me Vladimir Putin se e ka të pamundur që të përballojë koston e mirëmbajtjes së një stadiumi me kapacitet 35 mijë vende.

Pak ditë më vonë, Presidenti Putin urdhëroi që të rishikohen mundësitë e mirëmbajtjes së stadiumeve në Volgograd, Ekaterinburg, Kaliningrad, Nishni Novogorod, Rostov, Samara dhe Saransk.

Në katër prej këtyre rajoneve, skuadrat e tyre të futbollit luajnë në ligën e dytë të futbollit, ndërsa Sochi nuk ka fare skuadër futbolli profesioniste. Rrjedhimisht, të ardhurat që mund të mblidhen nga shitjet e biletave janë minimale dhe nuk mbulojnë shpenzimet që do të duhen për të mbajtur stadimet në gjendje optimale.

Stadiumi Arena Mordovia, i ndërtuar nga e para në Saransk

Se si mund të gjendet një zgjidhje ka shumë ide, por përparësi ka marrë një e hedhur nga rajoni i Mordovisë. Përfaqësuesi i këtij rajoni ka kërkuar ngritjen e një autoriteti federal, që si detyrë do të ketë mirëmbajtjen e stadiumeve dhe impianteve të ndryshme të lojërave sportive.

Në fund të vitit të kaluar Presidenti Putin ka urdhëruar hartimin e një plani për përdorimin e stadiumeve pas kampionatit. Në këtë dokument thuhet se deri në vitin 2023 për mirëmbajtje do të nevojiten më shumë se 13 miliardë rubla, 12,4 miliardë do t’i paguajë qeveria qendrore, ndërsa rajonet 900 milionë rubla.

Probleme të ngjashme me përdorimin e stadiumeve kanë edhe organizatorët e mëparshëm, Afrika e Jugut dhe Brazili. Në disa vende është gjetur si zgjidhje zvogëlimi i kapaciteteve. Këto përvoja mund të përdoren edhe në disa stadiume të Rusisë, por megjithatë financimi i mirëmbjajtjes së tyre do të mbetet një sfidë më vete.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë