Futboll

Partizani vijon marshimin, mposht edhe Kukësin

Ka mjaftuar një gol Esad Malës për Partizanin që të marrë tre pikët përballë Kukësit dhe të vijojë marshimin si kryesues i Kategorisë Superiore. Në një “Elbasan Arena” thuajse të boshatisur dhe në një orar të pazakontë për ndeshjen më të rëndësishme të javës, e fituar ka dalë skuadra që kishte përgatitjen më të lartë fiziko-taktike. “Të Kuqtë” e Skënder Gegës kanë zhvilluar ndeshjen perfekte përballë një rivali direkt në luftën për titullin kampion. Si zakonisht në këtë kampionat, Partizani është shumë i qetë në lojën e tij, mbrohet mirë, është i organizuar në mesin e fushës dhe shumë i rrezikshëm në repartin e sulmit. Përballë një Kukësi me mungesa të rëndësishme, kryeqytetasit morën një fitore minimale 0-1, por me shumë vlera.

Që në minutat e para të ndeshjes, Partizani e mori në kontroll lojën, duke dominuar në mesfushë. “Të kuqtë” kontrollojnë lojën, por rastet e rrezikshme i ka Kukësi, që gjithsesi nuk ia del që t’i shfrytëzojë siç duhet. Atë që nuk e bën skuadra e Cungut, e bën më së miri Partizani. Në minutën e 20’, do të ishte Mala, ai që kalon në avantazh kryeqytetasit. Mesfushori shtatshkurtër shfrytëzon mjaft mirë një top të dhënë me mjeshtëri nga Jurgen Bardhi, duke e kaluar me lehtësi portierin Frashëri.

Pas këtij goli, Partizani kërkon që të dyfishojë rezultatin, duke shfrytëzuar euforinë avantazhit. Nga ana tjetër Kukësi mundohet të reagojë, por ka vështirësi dhe nuk ia del që të tregohet i rrezikshëm. Në 45 minutat e dyta, ndeshja ka të njëjtin ritëm. Ndryshimi i vetëm vjen nga Kukësi, që është më kërkues dhe i afrohet më shumë portës së Partizanit. Gjithsesi edhe miqtë kanë shanset e tyre, sa herë që Bardhi dhe Asani dalin në sulm. Futbollistët e Partizanit janë më lart fizikisht dhe imponohen përballë mbrojtësve të Kukësit. Nga ana tjetër rreziku për mbrojtjen “e kuqe” është Rexhinaldo, por i vetëm sulmuesi afrikan nuk ia del që të prodhojë golin, aq shumë të kërkuar.

Deri në fund rezultati mbetet i pandryshuar dhe Partizani merr kështu fitoren e katërt radhazi. Kukësi nga ana tjetër pas disfatës me Skënderbeun, humbet edhe me Partizanin dhe tashmë duhet të ruhet nga një krizë e mundshme në horizont.

Të dyja skuadrat zbritën në fushë me këto formacione:

KUKËSI: Frashëri, Maliqi, Shameti, Cuculi, Melo, Shkodra, Dzaria, Shafik, Ethemi, Kalaja, Rexhinaldo. Trajner: Armando Cungu.

PARTIZANI: Hoxha, Ibrahimi, Belica, Atanda, Trashi, Telushi, Hila, Asani, Mala, Mensah, Bardhi. Trajner: Skënder Gega.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë