Futboll

Partizani largon një afrikan, Trashi ende çështje e nxehtë

Fatjon Rupi - Sezoni 2018-2019 konsiderohet nga të gjithë si sezoni i Partizanit. Ekipi i kuq, i drejtuar nga trajneri Skënder Gega, me atë çfarë ka treguar në këto 14 javë kampionat, duket kandidati kryesor për fitimin e titullit kampion. Partizani mban vendin e parë, me 31 pikë, por jo gjithçka shkon si duhet edhe me kryesuesit. Humbja në Vlorë, e treta në këtë kampionat, pas atyre me Skënderbeun rival, evidentoi sërish situatën problematike me Lorenc Trashin, mesfushorin që për interes të skuadrës po luan në rolin e mbrojtësit të majtë.

Trashi është një çështje e njohur në kampin e kuq. Ai është ndëshkuar disa herë për shkak të polemikave me trajnerin dhe sjelljen e tij, por më pas është falur nga drejtuesit e klubit. Mungoi në ndeshjen me Skënderbeun pak kohë më parë pikërisht për këtë arsye dhe skuadra humbi. Në stadiumin e Vlorës ky lojtar ishte protagonist i një incidenti me tifozët e Flamurtarit, duke iu kundërpërgjigjur të sharave të tyre. Në një moment situata u acarua shumë dhe forcat e rendit e shoqëruan Trashin në dhomat e zhveshjes. Veprimi i Trashit bëri që drejtori i përgjithshëm i të kuqve, Olsi Rama, të bënte një mbledhje urgjente me ekipin, duke dënuar sjelljen e lojtarit.   

Lorenc Trashi

Klubi i kuq nuk ka marrë masa konkrete këtë radhë për Lorenc Trashin, edhe pse është e disata herë që ai bëhet shkaktar për prishjen e atmosferës në skuadër. Edhe në rastin e fundit të pezullimit nga klubi, ai qëndroi në stol dhe u pa të bisedonte me trajnerin Gega, për të kaluar më pas në tribunë. Duket sikur drejtuesit e Partizanit duan ta dënojnë Trashin, por edhe nuk duan ta dënojnë. Ai dhe portieri Alban Hoxha janë të vetmit “të mbijetuar” nga “garda e vjetër” e Partizanit, ku bënin pjesë lojtarë si Gëzim Krasniqi, Emiljano Vila, Idriz Batha e ndonjë tjetër, të gjithë të larguar tashmë nga të kuqtë. Ndoshta edhe Trashi është drejt kësaj rruge, duke qenë se mbetet gjithmonë një çështje e nxehtë te Partizani, drejtuesit e të cilit kërkojnë qetësi dhe profesionalizëm nga lojtarët. Edhe trajneri Gega këmbëngul që në ekip të ketë disiplinë të fortë.

Klubi i kuq ka bërë të ditur ndërkohë me një njoftim zyrtar në faqen e vet ndërprerjen e bashkëpunimit me nigerianin Uakili, i afruar në merkaton e verës, por që nuk ka gjetur hapësirë në formacion. “Klubi njofton përfundimin e bashkëpunimit me Alma Abo Uakili. Mbrojtësi i majtë 22-vjeçar dhe klubi kanë vendosur të ndërpresin me mirëkuptim marrëveshjen mes tyre për pjesën e mbetur të këtij sezoni. Klubi i uron Alma Abo Uakilit suksese të mëtejshme në karrierën e tij sportive”, - shkruhet në njoftimin e Partizanit. Drejtuesit e tij, me sa duket, kanë nisur të mendojnë që tani për lëvizjet e janarit dhe kuptohet që më parë duhen larguar të panevojshmit.

Uakili, nigeriani i larguar nga Partizani

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë