Nga Fatjon Rupi – Në këto javë të para ta kampionatit ka më shumë rëndësi rezultati dhe Flamurtari e Partizani nuk e kanë shpërdoruar “asistin” e Skënderbeut, që barazoi me Laçin në fushën e vet. Vlonjatët dhe të kuqtë kanë fituar me të njëjtin rezultat, 1-0, respektivisht ndaj Luftëtarit dhe Kastriotit. Flamurtari i është bashkuar Skënderbeut në kreun e renditjes, duke u ngjitur në kuotën e 7 pikëve, ndërsa të kuqtë janë afruar 1 pikë pas tyre.
Partizani e kishte më të lehtë ndeshjen e javës së tretë. Priste në fushën e tij Kastriotin, por pa tifozë, pasi është dënuar me 4 javë nga Komisioni i Disiplinës në FSHF. Goli i Jasir Asanit pas 13 miunutash lojë i ka dhënë skuadrës së trajnerit Skënder Gega fitoren e dytë në kampionat, duke e futur plotësisht në “shinat” e titullit, pas humbjes së Korçës.

Të kuqtë kanë dominuar në lojë para syve të trajnerit të Kombëtares, Christian Panucci, i cili e ndoqi ndeshjen nga tribuna, bashkë me ndihmësin e tij Ervin Bulku. Loja e mirë e Asanit dhe Malës ndoshta e kanë ngacmuar trajnerin e kuqezinjve. Partizani ka pasur edhe raste të tjera për të shënuar, por sulmuesi i tij kryesor, Rubin Hebaj, ende nuk po arrin të zhbllokohet. Rëndësi kanë 3 pikët, kurse loja po shkon drejt konsolidimit.
Flamurtari i është falur golit të kapitenit Tomisllav Bushiç në Gjirokastër. Sulmuesi kroat i vlonjatëve shënoi në pjesën e parë dhe skuadra e tij ia doli ta administronte mjaft mirë rezultatin. Madje, në fundin e ndeshjes mund të kishte dyfishuar me disa kundërsulme të shpejta, pasi Luftëtari ishte hedhur i gjithi përpara, në kërkim të golit ta barazimit. Gjithsesi, një fitore e çmuar për skuadrën e trajnerit Ilir Daja, i cili pas ndeshjes theksoi se Flamurtari ka ende shumë gjëra për të përmirësuar. Tani ka kohën e duhur të bëjë korrigjimet e duhura, pasi kampionati ndërpritet. Flamurtari i këtij sezoni duket vërtet pretendent për titull. Shtatë pikë në tri ndeshje, dy nga të cilët në transfertë, tregojnë qartë se “efekti Daja” po ndihet edhe në Vlorë.

Luftëtari ndërkohë është në krizë të thellë. Gjirokastritët ende nuk kanë marrë pikën e parë në kampionat, një tregues i qartë se në këtë kampionat do ta kenë të vështirë të mbijetojnë. Largimi i disa prej yjeve të skuadrës, por, me sa duket, edhe i trajnerit Hasan Lika, kanë ndikuar që Luftëtari të jetë në ëkto pozita mjaft delikate.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.