Futboll

Partizani dhe Skënderbeu pa “firo”, duelojnë në distancë

Faza e parë e kampionatit mbyllet me ndeshjen Flamurtari-Tirana, por cilido që të jetë rezultati i saj, nuk është se sjell ndryshime në kreun e renditjes, ku Partizani dhe Skënderbeu vazhdojnë duelin në distancë. Të dy kryesuesit kanë fituar me jo pak vështirësi, por tashmë kanë nisur të shkëputen nga rivalët.

Skënderbeu mori për pak orë kreun e tabelës, pasi mundi 2-0 Kamzën në Korçë. Skuadra e Shehit shënoi në fillim të ndeshjes me Oto Xhon dhe në kohën shtesë me Dejvi Bregun, i cili realizoi një gol të bukur nga një goditje dënimi. Duhet theksuar se Kamza humbi një 11-metëresh në pjesën e parë me kapitenin Plaku, që gjuajti jashtë kuadratit. Korçarët e kontestuan vendimin e gjyqtarit Myrtja, pasi faulli i Radasit ishte jashtë zonës. Në atë moment rezultati ishte 1-0 dhe nëse miqtë do të barazonin, loja mund të merrte tjetër rrjedhë. Kamza pati edhe raste të tjera, por nuk mundi të shënonte, pasi portieri Teqja ishte në një ditë të shkëlqyer. Skënderbeu humbi shumë shpejt Muzakën për dëmtim dhe hasi vështirësi në lojë, gjë që u pranua pas ndeshjes edhe nga trajneri Shehi.

Partizani priti Luftëtarin në stadiumin “Selman Stërmasi” dhe fitoi 2-1, me gola të shënuar nga Mensah dhe Telushi, ky i fundit me 11-metërsh. Në rastin e golit të parë të Partizanit, të shënuar nga afrikani Mensah, gjirokastritët protestuan për një faull të Bardhit në dëm të portierit të tyre, por kryesori Cjapi nuk mendonte kështu. Në fundin e pjesës së parë Partizani gaboi në mbrojtje dhe Shkurtaj barazoi shifrat, pas pasimit të saktë të Radoviç. Ky ishte goli i dytë i pësuar nga Partizani në këtë kampionat, pas atij me Skënderbeun në javën e parë. Në pjesën e dytë të kuqtë ngulmuan më shumë dhe Telushi i dha skuadrës së tij avantazhin, pasi u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisës. Partizani e administroi rezultatin me kujdes dhe në fund mori 3 pikët, që e mbajnë në vend të parë. Ekipi i Gegës ndodhet në kuotën e 22 pikëve, i ndjekur nga Skënderbeu me 20 pikë. Në vend të tretë ndodhet Kukësi, me 16 pikë.    

Trajneri i Partizanit, Skënder Gega, u shpreh i kënaqur me tri pikët e marra: “Në kryeqytet skuadrat nga rrethet mundohen të japin gjithçka. Jam i kënaqur me 3 pikët, edhe pse kishim gabime brenda lojës, siç ishte rasti i golit të pësuar. Nuk më pëlqeu mënyra si u ndëshkuam. Bëmë disa gabime, por edhe lojtarë të kalibrit të lartë bëjnë gabime, rëndësi ka që ekipi të marrë përgjegjësi. Në lojë shfaqen karakteret indiviuale dhe u thashë djemve se nuk jemi ekip i pathyeshëm. Rëndësi kishte të luanim me agresivitet dhe të reagonim. Hebaj? Të jem i sinqertë, aktivizoj atë që më jep siguri, nuk kam asnjë lloj paragjykimi nga mosha dhe e kaluara. Mensah dhe Bardhi bënë shumë mirë dhe kur bie ritmi, jam i detyruar të bëj ndryshime. Në janar shumë gjëra mund të lëvizin dhe duhet të jemi të përqendruar. Do të flas me klubin për merkaton, gjërat po duken dhe mund të ketë sulmues, organizator ose lojtarë të çdo reparti.

Goli ynë i parë? Nuk e kam parë Bardhin në momentin e parë. Ka një kontakt fizik, por jo të qëllimshëm, është takuar në një pikë me portierin, ndaj mendoj se është 50 me 50 ky rast. Mund të jepej faull, por ka pasur raste më flagrante, që nuk janë dhënë. Dua të jem i kufizuar dhe arbitrat. Për mua është e thjeshtë, kur topi prek dorën dhe ndryshon drejtimin e topit, është penallti. Më shqetësoi një nga mbrojtësit e Luftëtarit, sepse ishte shumë agresiv dhe mund ta dëmtonte Trashin”, - tha trajneri i Partizanit pas fitores me Luftëtarin, që i mban të kuqtë në vend të parë pas fazës së parë të kampionatit.

Trajneri i Skënderbeut, Orges Shehi, pas fitores me Kamzën theksoi se skuadra e tij shfaqi probleme: “Fituam, por nuk ishim ku duhej. Kamza meritonte më shumë dhe mendoj se ishte ndër ndeshjet më të dobëta tonat. Na kënaqin pikët. Xhon dhe Krasniqi janë dy sulmuesit kryesorë, janë të dy të rinj dhe kanë karakteristika të ndryshme. Ata kanë besimin tonë maksimal. Në disa momente jemi tërhequr më shumë se duhej. Gabuam, por ishte edhe meritë e Kamzës që na vuri në vështirësi. Muzaka u dëmtua shpejt, ndërsa Radas luajti i dëmtuar në pjesën e dytë, pasi nuk kisha mundësi ta ndërroja. Teqja ka cilësi dhe në këtë ndeshje ishte më i miri për ne. Nuk më surprizon, pasi ia di vlerat”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë