Propozim Sport

Partizani dhe Italia, dashuria e vjetër nga përtej Adriatikut

Lidhja e Italisë dhe Shqipërisë në aspektin futbollistik ka nisur gati 80 vjet më parë, kur Mbretëria Shqiptare me në krye Ahmet Zogun i dha udhë futbollit në Shqipërinë e viteve 1930. Duke qenë se ishte një vend pa eksperiencë, ndihma e Italianëve ishte e nevojshme dhe në ato vite ata sollën ekspertë të ndryshëm si Lisoni, Rati, Xaniki, Vitali, etj. Gjithsesi, pas Kampionatit të 7-të Kombëtar (1937), gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste, aktiviteti u la në dorë të organizatës së rinisë fashiste GLA (Gioventu’ Litorio Albanese) dhe “Dopo Lavoro”-s (klubet pas pune). Të dyja këto organizata drejtoheshin nga Partia Fashiste dhe programet e veprimtarive sportive kryheshin me orientimin e saj. GLA organizonte veprimtaritë kombëtare të rinisë për sportet e ndryshme, ndërsa “Dopo Lavoro” zhvillonte aktivitetet kulturore dhe ato masive sportive siç ishin ekskursionet dhe marshimet e ndryshme në pika turistike të vendit. U zhvilluan disa ndeshje miqësore me përfaqësues të ushtrisë italiane apo me ekipe të Serie A, si Bari.

Ndërtesa e DOPOLAVORO-s, (sot Universiteti i Arteve) në Tiranë

Duhet përmendur edhe historia e Cesare Grossi-t i quajtur Ninì, një talent i jashtëzakonshëm që në 1930 do të ndizte publikun e Barit, para se të vdiste në mënyrë të parakohshme dhe misterioze. Grossi më 22 prill 1939 dërgohet në Shqipëri midis 22.000 ushtarëve italianë. Vdes në mënyrë misterioze më 22 prill 1939, në moshën 22-vjeçare. Vendin e tij te Bari si për ironi të fatit do ta zinte Riza Lushta. Vdes i goditur nga rrufeja, siç raportojnë kronikat e kohës, një vdekje kaq absurde aq sa e dyshimtë, duke parë kohën kur ndodh: fashizmi e kishte zakon që të fshehte lajmet e këqija, dhe me shumë mundësi Ninì u godit nga një grup rebelësh, të cilët i kishin zënë pritë, ndërsa ishte duke pirë ujë pranë një burimi.

Cesare Grossi

Nëse ka një ekip që ka qenë i lidhur me shkollën sportive italiane, është padyshim Partizani. I themeluar më 4 shkurt të vitit 1946 në Tiranë, ky klub përfaqësonte punonjësin dhe efektivin e ushtrisë popullore të drejtuar dhe financuar nga Ministria e Mbrojtjes. Vetëm më 7 prill 1946, në një ndeshje miqësore kundër 17 Nëntorit të Tiranës, ekipi do të quhej për herë të parë me emrin “Partizani”, që e kishte të shkruar edhe në fanellat e kuqe.

Fillimet e Partizanit

Por si erdhën italianët te Partizani? Në fillimin e viteve 90’, kushtet e vështira ekonomiko-financiare përbënin pengesë për ekipet, mungonin shumë gjëra thelbësore. Në fillim të sezonit 1992-1993 te Partizani u afruan italianët e firmës ABACO. Drejtuesit italianë, Vincenzo Mignoli dhe Antonio de Simone investuan dhe krijuan kushtet që Partizanit mos ti mungonte asgjë. Baza materiale, shpërblimet mujore, faza përgatitore 20-ditore në Itali dhe një merkato e mirë, bënë që Partizani të shpallej kampion dhe fitues i Kupës së Shqipërisë.

Antonio de Simone dhe ekipi kampion

Por aventura e italianëve, sado e suksesshme nuk do të zgjaste shumë. Pas odiseve gjyqësore, Albert Xhani merr pronësinë e klubit, duke mënjanuar italianët. Në sezonin 2001-2002, Tiziano Gori bëhet italiani i parë që do të vinte në Shqipëri pas 5 dekadash. Menjëherë pas shkarkimit nga Erzeni i Shijakut, ai merr drejtimin e Partizanit (në javën e 11 u shkarkua Shpëtim Duro), dhe e kualifikoi ekipin e kryeqytetit në Kupën Intertoto. Në fund të sezonit largohet nga Shqipëria.

Tiziano Gori

Gjatë drejtimit të Xhanit, Partizani i provon të gjitha. Pasi humbi kampionatin në ndeshjen e fundit, në vitet në vazhdim do të prekte fundin, duke luajtur edhe në Kategorinë e dytë (e treta). Pa ekip, ekonomi, fusha dhe ambiente, Partizani ishte i destinuar të zhdukej. Në vitin 2013 te Partizani vijnë drejtues të rinj. Gaz Demi vendos të marrë frenat në dorë dhe menjëherë fillon të krijojë një Partizan ‘’Made in Italy’’.

Partizani prezanton Duron dhe Gaz Demin

Italiani i parë i erës ‘’Demi’’ do të ishte Andrea Agostinelli. Ai nënshkroi me Partizanin në 2016, duke zëvendësuar Sulejman Starovën, por aventura e tij nuk zgjati shumë. Pasi kishte drejtuar ekipe si Astrea, Mantova, Pistioise, Ternana, Piacenza, Crotone, Triestina, edhe Napolin (qershor-nëntor 2003, në Serie C), Agostinelli nuk arriti dot të fitonte titullin me Partizanin. Shkëputi kontratën me të kuqtë, ku më pas vazhdoi te Skenderbeu, duke zëvëndësuar Mirel Josën, por dhe aty u shkarkua shume shpejt: qershor-dhjetor 2016.

Andrea Agostinelli

Partizani vazhdon me trajnerët italian, ku më 1 korrik 2016 prezantoi Adolfo Sormanin. Aventura e parë e Sormanit rezultoi zhgënjyese. Rezultatet e dobëta dhe konfliktet me disa lojtarë sollën shkarkimin, pavarësisht kualifikimit historik në turin e tretë të UEFA Chamions League. Në sezonin e parë, Partizani grumbulloi 8 pikë, 7 më pak se Skënderbeu kryesues. Sormani u shkarkua, më 10 tetor 2016 dhe u zëvendësua nga Sulejman Starova. Pas një eksperience në Danimarkë, rikthehet te Partizani këtë vit, me shpresën që kësaj here të zgjasë.

Adolfo Sorman

Tradita vazhdon, kësaj here me emra të mëdhenj. ‘’Çelësat’’ e ekipit i mori një nga menaxherët më të famshëm italian, Luciano Moggi. Premtoi edhe ‘’hënën’’, por në fakt nuk solli asgjë. Stafi i zgjedhur nga Moggi ishte ky: Drejtor teknik u emërua Antoneloio Preiti, kurse trajner Mark Iuliano. Kampion me Juventusin dhe me kombëtaren e Italisë, por si trajner, Iuliano ka drejtuar ekipe modeste: Pavia, Latina dhe Komo. Rezultatet e dobëta dhe një merkato e dështuar, aventura e italianit mori fund në përfundim të fazës së parë, ku në 9 javë, Partizani mori 3 fitore, 2 barazime dhe 4 humbje, duke grumbulluar 11 pikë në total, dhe u zëvendësua nga i përhershmi Starova. Në fund të sezonit e gjithë kupola italiane largohet nga kryeqyteti.

Partizani prezanton dyshen italiane, Iulianon dhe Moggin

Pas një viti pushim, ku të kuqtë u shpallën kampion nën drejtimin e Skënder Gegës, te Partizani rikthehet dashuria për italianët. Në mënyrë të papritur, zyrtarizohet si trajner një i ‘’panjohur’’. Franko Lerda u emërua në verën e vitit 2019. Tekniku italian drejtoi klubin në kupat e Evropës, por pa sukses. Përpos rezultateve, situata u komplikua më shumë nga atmosfera në ekip. Gjatë drejtimit të Partizanit, Lerda do të mbahej mend për tensionet e krijuara me stafin e tij. Ai pati disa herë konflikte me ndihmësit e tij, ndërkohë që nuk munguan as përplasjet me lojtarët. Në fund të vitit largohet nga ekipi.

Franko Lerda

Një histori dashurie e vjetër, por jo me fund të lumtur. Italianët e Partizanit, nuk kanë fituar asgjë, edhe pse janë paguar më shumë se shqiptarët. Te të kuqtë janë rritur më dashuri për futbollin italian, por titullin e kanë fituar shqiptarët.

Më Shumë