Politike

Partitë e vogla takojnë Sorecan: Meta të thërrasë tryezë dialogu

Ka zgjatur pak më shumë se një orë takimi i ambasadorit të Bashkimit Europian me krerët e partive të vogla opozitare jashtë Parlamentit.

Kjo lëvizje e zyrtarit europian vjen në një kohë kur opozita ka materializuar qëndrimin e saj për të mos marrë pjesë në zgjedhje.

Në përfundim, kreu i republikanëve, Fatmir Mediu tha se do t’i kërkojnë Presidentit Meta të thërrasë një tryezë dialogu pozitë-opozitë.

“Ne do ti kërkojmë Presidentit të Republikës që të thërrasë një tryezë të pozitës dhe opozitës për të zgjidhur këtë situatë për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.Çdo gjë tjetër do të ishte shkatërruese për vendin. Soreca dhe të gjithë janë në mbështetje të dialogut”.

Mediu tha se garantimi i një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm dhe përfshirja e të gjithë forcave politike në garë është e vetmja zgjidhje për të tejkaluar këtë situatë.

Në të njëjtën linjë ishte dhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule. “Grupimi i partive të qendrës së djathtë kanë nisur një aktivitet që është një vlerë e shtuar në aksionin e përbashkët opozitar siç u nënshkrua para dy ditësh me PD. Boshti kryesor është shërbimi i axhendës opozitare që ka për synim që përfundimisht në vendin tonë të shkulet rrënja e së keqes që ka sjellë cikle të njëpasnjëshme krizash politike dhe për rrjedhojë edhe ekonomike dhe shoqërore”.

Soreca diskutoi me kryetarët e partive opozitare për situatën e rëndë politike. Ndërkohë, aleatët historikë të Partisë Demokratike, organizuan sot një forum ku kërkun ndryshim të kodit zgjedhor dhe lista të hapura në zgjedhjet e përgjithshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë