Politike

Parlamentit i plas boja në sy të mikut nga Maqedonia

Mentor Kasa - Dhënia e dritës jeshile për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe prania e Talat Xhaferrit në lozhet e Kuvendit të Shqipërisë nuk shmangu as retorikën e përplasjeve Rama-Basha dhe as goditjet simbolike në drejtim të Kryeministrit.

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka u shkëput nga karrigia e tij dhe iu drejtua Kryeministrit Edi Rama në zonën ku ai ishte ulur me në krah ministrat e kabinetit të tij. Në dorë mbante një shiringë të mbushur me bojë.

Pa u menduar dy herë, Paloka e zbras shiringën në drejtim të fytyrës së kreut të Qeverisë, duke e spërkatur atë. Rastësi apo jo, boja e përzgjedhur ishte ngjyrë blu, ashtu si ngjyrat e Partisë Demokratike.

https://www.facebook.com/gazetasi.al/videos/613606925751161/

Menjëherë kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi kërkoi largimin nga seanca të Edi Palokës dhe mbledhjen e Byrosë së Kuvendit për të përjashtuar deputetin demokrat. Seanca u ndërpre dy herë, por Paloka refuzoi të largohej nga salla. Në të tilla kushte, kreu i Kuvendit njoftoi ndërprerjen e diskutimeve për temën në fjalë dhe kaloi direkt në votim. Votimi bashkoi mazhorancën dhe opozitën. Me 130 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Parlamenti i Shqipërisë bëri pjesën e vet, duke e bashkuar Shqipërinë me Greqinë si dy vendet e vetme anëtare të NATO-s që kanë votuar deri më tani pro anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut.

Partia Demokratike mbrojti gjestin e Palokës dhe ka dhënë arsyen e veprimit të tij. “Edi Paloka e gjuajti me bojë Edi Ramën, pasi ky e talli në mënyrë të përsëritur për shkak të mënyrës së të folurit. Gjuajtja me bojë është mospranim i bullizmit të ushtruar nga Kryeministri për të cilin është dëshmitar i gjithë opinioni publik”, thotë PD.

Gjesti i Kryeministrit Edi Rama nje jave me pare ne Parlament, qe PD thote se i eshte drejtuar nenkryetarit te saj, Edi Paloka, duke e tallur per te foluren

Para incidentit dhe para se të votohej ratifikimi i këtij protokolli, nga një fjalë mbështetëse dhe urimi e dhanë Edi Rama dhe Lulzim Basha. Rama foli për kontributin e pazëvendësueshëm të faktorit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, lëvdoi homologun Zoran Zaev në Shkup, duke e cilësuar vizionar, por i njohu merita po aq të pazëvendësueshme edhe shumicës që drejton vetë. Në fund e mbylli fjalën me një urim që me marrëveshje, ashtu si Prespa, të përfundojë edhe dialogu mes Shqipërisë dhe Greqisë, por edhe i Kosovës me Serbinë.

“Le të mos mohojmë rolin e pamohueshëm të kësaj shumice qeverisëse në rrugëtimin e Maqedonisë së Veriut, kur platforma e Tiranës u tregua si dora e djallit në punët e brendshme të Maqedonisë së Veriut. Pak ditë më parë, Talat Xhaferri drejtoi seancën në gjuhën shqipe. Pa shqiptarët nuk do të kishte Maqedoni të Veriut dhe për Shqipërinë territori dhe gjuha shqipe në atë territor janë të pacenueshme, megjithëse ne kemi luajtur një rol mbështetës dhe jo udhëheqës”, tha Rama.

Edhe Basha ja njohu meritat faktorit politik shqiptar në Maqedoni, që nuk u lëkund nga prioritetet, siç tha ai, edhe nën pushtetin e regjimit të Nikolla Gruevskit. Basha nuk e përmendi asnjëherë emrin e Nikolla Gruevskit, por paralelizoi qeverisjen e tij me atë të Edi Ramës.

“Le të mos jemi hipokritë dhe të pasinqertë në vetvete. Procesi i futjes së Maqedonisë së Veriut në NATO erdhi pas një përballje të fortë dhe finale mes jo thjeshtë dhe vetëm faktorëve që nuk duan Ballkanin në NATO dhe Europë, por faktorë që me korrupsionin dhe lidhjet me krimin e organizuar ishin bërë pengesë totale për anëtarësimin e Maqedonisë. Ishin përplasje me një qeveri e shteti të kapur në çdo qelizë nga korrupsioni, krimi, rënia e shtetit ligjor, përqendrimi i të gjithë pushteteve në një dorë. Ndaj, zoti Talat Xhaferri ju sot jeni i pranishëm në mortin e rënies së shtetit ligjor në Shqipëri, jeni sot të pranishëm në një sallë që quhet Kuvendi i Shqipërisë, por që është i mbushur me njerëz të ardhur këtu falë krimit dhe mbështetjes së krimit, ndaj ne s’mund të festojmë bashkë me ju”, deklaroi Basha.

Kreu i PD-së tha gjithashtu se ylli polar i partisë që drejton është bashkimi në NATO dhe BE i gjithë kombit shqiptar. Këtu përmendi edhe Kosovën, duke thumbuar tërthorazi Kryeministrin Rama për qëndrimin mbi kufijtë.

“Për Partinë Demokratike, prej ditës së parë të themelimit, çështja kombëtare mbetet ylli polar, me Shqipërinë në NATO e BE, me Kosovën në NATO e BE me kufij të pacenuar dhe me integritet territorial të plotë”, u shpreh Basha.

Lulzim Basha gjate seances parlamentare

Kjo ishte pjesa e parë e fjalimit të kreut të PD-së. Pjesa e dytë nisi me kërkesën e ndjesës ndaj Talat Xhaferrit dhe rikthimit në aktualitetin politik të ditës duke shpalosur arsyet, sipas tij, se përse qytetarët duhet t’i bashkohen protestës së opozitës ditën e shtunë. Në përfundim të fjalës së Bashës, reagimi i Kryeministrit Edi Rama ishte i shkurtër. Edhe ai, ashtu si Basha i kërkoi ndjesë Talat Xhaferrit, por për një tjetër arsye.

“Miku ynë Talat Xhaferri, ju kërkoj ndjesë për shkeljen e kodit të mikpritjes, por miku që sapo foli, jo vetëm që nuk i mendon ato që thotë, por thjesht nuk di se çfarë thotë”, tha ai.

Kreu i Kuvendit te Maqedonise se Veriut, Talat Xhaferri gjate fjales pershendetese ne Parlamentin e Shqiperise

E sigurtë është që Talat Xhaferri s’ka patur nevojë për ndjesë, as nga Rama dhe as nga Basha, por ka patur nevojë që t’i kursehej një shfaqje e tillë, aq më tepër në një ditë të rëndësishme për Maqedoninë e Veriut dhe sidomos për shqiptarët që jetojnë atje. Gjithsesi, skënën që pa ai nuk e injoroi, por në fjalën përshëndetëse pas votimit u përpoq të minimizojë atë që e shijoi nga lozha e Kuvendit të Shqipërisë. “Skena të tilla nuk janë të reja, por rëndësi ka ajo që ndodhi paraprakisht, pra që protokolli u votua”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë