Lajme

PS: Të shkarkohet Paloka

Incidenti i ndodhur në sallën e Parlamentit ku nënkryetari i Kuvendit, Edi Paloka sulmoi me bojë kryeministrin Edi Rama ka sjellë reagimin e ashpër të mazhorancës socialiste. Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla duke denoncuar aktin që ndodhi në momenti kur në Kuvend po shqyrtohej dhe votohej marrëveshja për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, ka bërë të ditur se do t’i kërkojë Parlamentit që ta shkarkojë atë nga posti i nënkryetarit të Kuvendit të Shqipërisë.
“Sali Berisha i ka marrë dorën që çadrën ta bëjë pistoletë apo shiringën ta bëjë stilograf. Të bëhen hetimet për turpin që kreu nënkryetari i Kuvendit. Garda të bëjë hetimet e veta për turpin që bëri nënkryetari i Kuvendit. Grupi parlamentar i PS-së nuk mund të tolerojë më që në pozicionin e nën/kryetarit të Kuvendit, për pozicionin që i takon opozitës të vazhdojë të jetë zoti Paloka dhe në seancën e ardhshme ne do të depozitojmë kërkesën për shkarkimin e Palokës si nënkryetar i Kuvendit”, deklaroi Balla.
Për sekretarin e Përgjitshëm të PS-së, "opozita është vaj medet, nuk i takon Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe ky turp që i shkaktuan imazhit të vendit, po të kemi parasysh edhe rolin shumë të rëndësishëm që ka në rajon dhe marrëdhënien shumë të veçantë që ne kemi me Maqedoninë”.
Incidenti në Parlament është komentuar edhe nga zëdhënësja e Qeverisë, deputetja e PS-së, Elisa Spiropali. “Kishim këtu mikun dhe vëllanë, kyetarin e parlamentit të Maqedonisë, i cili priste nga ne mikpritjen që na karakterizon dhe pa me sytë e tij katandisjen e opozitës. Studentët prisnin sot një seriozitet solemn nga kjo seancë, por kryetari i opozitës përdori seancën. Kryeministri mori fjalën për t'i kërkuar ndjesë mikut për fjalën e "fëmijës". Ndërkohë që nuk ishte me vend reagimi i opozitës e cila përdori një gjest të pavend duke përdorur bojë. Ne gjejmë rastin t'i kërkojmë ndjesë qytetarëve popullit shqiptar për këtë shfaqje. Opozita në protestën e së shtunës do ta kthejë atë bojë në zjarr. Populli është më inteligjent se ajo turmë që bëri atë shfaqje sot në Kuvend dhe nuk duhet të ndjekë atë zjarr. Në këtë moment të gjithë shqiptarët duhet të jenë në një zë që akte të tilla të mos përsëriten”, deklaroi ministrja Spiropali.

Garda: Hetim ndaj Palokës
Përveçse përjashtim me 10 ditë nga punimet e Parlamentit, ndaj deputetit Paloka do të nis edhe një procedim penal. Këtë e ka paralajmëruar Garda dhe Policia e Shtetit nëpërmjet një deklarate për median. Në një njoftim të shkurtër bëhet e ditur se një vendim i tillë erdhi pas analizave të kryera ndaj solucionit të hedhur te kryeministri.
"Sot, në sallën e seancave të Kuvendit të Shqipërisë, deputeti Edi Paloka ka sulmuar me një solucion kimik të parapërgatitur Kryeministrin e Shqipërisë, z. Edi Rama. Garda e Republikës me mbështetjen e strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit ka nisur hetimet e menjëhershme për agresionin e kryer në sytë e të gjithëve dhe gjithashtu procedimin penal kundër shtetasit Edi Paloka”, informon ministria e Brendshme.

Paloka: S’keni parë gjë akoma, ky është vetëm fillimi

Pas këtij akti ka reaguar vetë Paloka, i cili ka hedhur poshtë zërat se ky sulm ndaj Ramës, ishte si reagim ndaj talljeve dhe fyerjeve që kryeministri kishte bërë në adresë të tij në seancën e dy javëve më parë.
“Ai Parlament është i qelbur kokë e këmbë, nuk ka asnjë vlerë, unë ia thashë edhe Gramozit në seancë që më bërtiste aty je i përjashtuar. Nuk na përjashton Gramozi, ai Parlament është i përjashtuar nga populli, është me vota të vjedhura. Pashë disa komente sot se u hakmor Paloka, ajo sot nuk ishte hakmarrje e Palokës. Ajo është një hakmarrje e shqiptarëve që përditë fyhen e vidhen nga një qeveri dhe një kryeministër arrogant dhe i pacipë”, deklaroi Paloka nga selia e PD-së.
Gjithashtu ai duke përdorur shprehjen e kundërshtarit politik, theksoi se kryeministri nuk ka parë asgjë akoma, duke nënkuptuar ndonjë lëvizje të fuqishme më 16 shkurt.
“Nuk më intereson fakti që ka nisur një procedim penal. Është vetëm fillimi i 16 shkurtit thojini se s’ka bërë realisht asgjë akoma. S’ka parë asgjë akoma ai kryeministër”, theksoi Paloka.

Ish-Kryeministri Sali Berisha gjate nje deklarate per gazetaret para Kuvendit. Foto LSA

Më herët ish-kryeministri Sali Berisha do të deklaronte pas seancës se “kreu i opozitës shprehu mendimin dhe nuk i bëri asnjë fyerje personale përveçse i tha ato që ja thotë çdo shqiptar”.

Ai më pas i kërkoi gazetarëve të mos nxitohen nëse ishte shiringë apo stilolaps “arma” që Paloka përdori ndaj Ramës. “Ai mund të kishte një stilograf me vete. A nuk ka gjë më të rëndë sesa kryetari i qeverisë që në cdo dalje shan kryetarin e opozitës. Vetëm në Venezuelë ndodh kjo”, theksoi Berisha.
Ndërsa kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi akuzoi kryeministrin Edi Rama pasi gjatë gjithë kohës fyen deputetët.
“Sigurisht që Kryeministri nuk e ka problem t’i bullizojë shqiptarët çdo ditë e më shumë. Vjen një moment ku të gjithë jemi njerëzorë, të gjithë kemi momentet tona të emocioneve, por e disata herë që ky kryeministër rrugaç ka bullizuar shqiptarët në radhë të parë duke i konsideruar me organet gjenitale. Më pas vazhdon dhe bullizon pafundësisht deputetët në Parlament. Vazhdon dhe bullizon dhe anëtarët e Partisë Socialiste, vazhdon dhe bullizon dhe ministrat e tij", tha Kryemadhi.

Sipas saj ka pasur Shqipëria në 27 vite tranzicion kryeministra, por kurrë nuk kemi pasur kryeministër qesharak, kryeministër që krijon incidente të tilla, papërgjegjshmëri dhe mbi të gjitha një defiçence mendore.

"Për hir të së vërtetës duhet ti bëjmë një propozim Parlamentit, por ndoshta dhe shqiptarët vetë, që të gjithë ata që marrin poste drejtuese, qofshin këto që nga Presidenti dhe deri te ministrat e qeverisë, duhet të bëjnë analizën psikike dhe klinike, të çdo drejtuesi, i cili ka një post shtetëror, që nuk përfaqëson vetveten e tij, por përfaqëson qytetarët”, reagoi Kryemadhi.
Sipas saj protesta e 16 shkurtit do t’i japë fund tiranisë dhe marrjes peng të Shqipërisë nga kryeministri Edi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë