Kuvendi e ka nisur seancën e sotme plenare me një minutë heshtje për viktimat e tërmetit të fuqishëm që goditi vendin më 26 nëntor.
“Kjo seancë është e para pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit. Në kujtim e nderim të 51 viktimave të tërmetit të 26 nëntorit, ju ftoj të gjithëve të mbajmë një minutë heshtje. U prehshin në paqe!”, është shprehur kryetari i Parlamentit, Gramoz Ruçi.
Më tej, ai falënderoi të gjithë qytetarët që u solidarizuan me situatën, opozitën parlamentare dhe atë joparlamentare si dhe qeverinë për impenjimin.
“Të nderuar deputetë, Para se të fillojmë me rendin e ditës, dëshiroj të ndaj me ju disa refleksione të miat, pas dhimbjes prej goditjes që na dha natyra. Refleksioni i parë është mësimi prej humanizmit, solidaritetit dhe sakrificave të shqiptarëve kudo ku ndodhen, në Shqipëri, Kosovë, trevat e tjera shqiptare dhe në diasporë.
Ne, ligjvënësit, duhet ta lexojmë sjelljen e qytetarëve e bashkëkombasve tanë.
Falënderoj të gjithë deputetët që në këto ditë u gjenden dhe janë pranë qytetarëve. Vlerësoj përgjegjësinë, masat e impenjimin e Qeverisë për masat emergjente dhe përgatitjet për zgjidhjet afatgjata.
Falënderoj të gjitha palët politike, përfshirë opozitën, që dhanë shenja mirëkuptimi e vënie të jetës së qytetarëve mbi interesat politike dhe elektorale”, u shpreh ndër të tjera kryeparlamentari Ruçi.
Sot në rendin e ditës është votimi i kandidatit për kryeprokurorin e Përgjithshëm, me mandat 7-vjeçar mes 3 kandidaturave.
Po ashtu në seancën e sotme plenare do të miratohet edhe buxheti për vitin 2020 si dhe akti normativ për dhurimin e 17 apartamenteve për familjarët e viktimave të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.