Ne rrjet

Parlamenti britanik kalon ligjin e ri për emigracionin

Nga Gazeta Si- Kryeministri britanik Rishi Sunak kaloi provën në parlament, teksa paketa e tij e re për azilkërkuesit, për t’i dërguar në Ruanda, shmangu ngërçin dhe kaloi me votë, duke i mbijetuar njëkohësisht dhjetëra ligjvënësve, që kërkonin largimin e tij.

Sunak ishte shprehur se i gjithë reputacioni i tij bazohet në këtë strategji të re për të luftuar emigracionin, ndaj votimi ishte një sfidë për të në parlament. Strategjia e re kaloi me 313 vota pro e 269 kundër, pas një dite të gjatë negociatash.

Pavarësisht fitores, rezultati tregoi se kryeministri po përpiqet dëshpërimisht të mbajë nën kontroll partinë e tij, por nuk dihet ende për sa kohë.

“Populli britanik duhet të vendosë se kush do të vijë në këtë vend, jo bandat kriminale”, tha Sunak në X pas rezultatit.

Muajin e kaluar, Gjykata e Lartë e Mbretërisë së Bashkuar vendosi që politika e Sunak për të dëbuar në Ruandë ata që mbërrinin ilegalisht me varka të vogla në bregun jugor të Anglisë, shkel ligjet dhe marrëveshjet britanike dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Si përgjigje, Sunak ra dakord për një traktat të ri dhe solli legjislacionin e urgjencës të krijuar për të kapërcyer pengesat ligjore që do të ndalonin dëbimet.

Projektligji u miratua me 313 vota pro dhe 269 kundër.

Humbja do të kishte qenë katastrofike për Sunak, duke dobësuar rëndë autoritetin e tij dhe duke ngritur pikëpyetje serioze për udhëheqjen e tij.

Rreth 29,000 azilkërkues kanë mbërritur në Britani këtë vit përmes varkave, më pak se një e treta në krahasim me vitin e kaluar por pamja e gomoneve që kalojnë Kanalin mbetet një simbol i dukshëm i dështimit të qeverisë për të kontrolluar kufijtë e Britanisë, një premtim kryesor i tyre.

Si rezultat, Sunak e ka bërë "ndalimin e varkave" një nga pesë premtimet kryesore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë