Ne rrjet

Parajsë emigrantësh – Gjermania ka punonjësit më të palumtur

Edhe pse numri i të rinjve shqiptarë që synojnë të emigrojnë drejt Gjermanisë po rritet dita ditës, punëtorët gjermanë konsiderohen sipas studimeve të fundit si më të pakënaqurit në Europë.

Një sondazh i publikuar këtë javë nga agjencia e punësimit “Randstad “zbuloi se punonjësit në Gjermani janë tejet të palumtur me kushtet dhe kërkesat e punës. Madje pavarësisht trazirave politike dhe krizës ekonomike, punonjësit në Itali janë më të kënaqur se ata në Gjermani.

Sipas mediave gjermane ndër arsyet kryesore të kësaj pakënaqësie, janë kërkesat e tepërta të punëdhënësve, pritshmëritë e pagave dhe mungesa e fuqitë punëtore në sektorë të caktuar.

Pavarësisht nga ekonomia gjermane është në kulmin e saj, kënaqësia e punonjësve po bie si në asnjë vend tjetër europian. Studimi zbuloi se vetëm 65% e pjesëmarrësve në anketë ishin të kënaqur me punën e tyre, shumica e të cilëve janë emigrantë. Faktori kyç i kësaj pakënaqësie ishte paga, e cila mesatarisht është më e ulët për të ardhurit.

Edhe pse kënaqësia e punonjësve nuk duket të ndikojë shumë në ekonomi, rezultatet e studimit janë mjaft të rëndësishme për kompanitë në Gjermani. Pakënaqësia, e cila nganjëherë mund të zgjidhet me mjete të thjeshta, bëhet kështu një faktor tjetër që ndikon në mungesën e punëtorëve të kualifikuar.

Emigrantët ishin në mesin e grupeve më të pakënaqura, pasi sipas sondazhit e kishin shumë të vështirë të integroheshin me tregun gjerman të punës. Ata kanë më shpesh shanse më të dobëta në tregun e punës, sidomos të ardhurit pa ndonjë diplomë, e cila njihet në Gjermani, si dhe për personat, të cilët nuk e zotërojnë mirë gjuhën gjermane.

Gati 35% e emigrantëve të moshës 18 deri 64-vjeçare në shtëpi flasin gjuhën e origjinës së tyre, duke bërë që shanset e tyre në tregun e punës të jenë më të këqija.

Gjermanisë i duhen të paktën 260,000 emigrantë në vit deri në vitin 2060, për të plotësuar hendekun në tregun e punës, që vjen nga rënia demografike, sipas firmës hulumtuese, Bertelsmann Foundation.

Prej kësaj shifre, 146,000 njerëz çdo vit duhet të emigrojnë nga vendet që nuk janë anëtare në Bashkimin Europian, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, por ajo sipas sondazhit, ekonomia më e madhe të Europës nuk është “parajsa” që mund të imagjinojnë shumë nga emigrantët që largohen nga vendet e tyre.

Sipas një tjetër sondazhi të realizuar verën e kaluar, ndër punonjësit diskriminuar në tregun gjerman janë ata me rrënjë shqiptare.

Një sondazh i Qendrës Shkencore për Studime Sociale në Berlin kishte analizuar 6000 aplikues fiktivë me prejardhje të ndryshme mes viteve 2014 dhe 2016, duke zbuluar se emigrantët përzgjidheshin për punë të rëndomta dhe shpesh jashtë profesionit të tyre.

Tregu shqiptar duket se është një parajsë e vërtetë për Gjermaninë, pasi rreth 6000 infermierë janë të papunë për shkak të raportit të zhdrejtë prej vitesh ku diplomohen 3 fish më shumë se sa nevojat e tregut.

Kjo është arsyeja përse profesionistët e shëndetit po mësojnë gjermanishten.
Përveç infermierëve, në radhët e atyre që aplikojnë për një vizë pune në Ambasadën Gjermane janë teknikët e IT, elektricistët, saldatorët, mekanikët dhe kujdestarët e të moshuarve. Por a është Gjermania parajsa për të cilën kishin shpresuar? Sipas këtij sondazhi, jo!

 

Më Shumë