Ne rrjet

Parabola e Shqipërisë/ Nga bazë për skafistët që dërgonin njerëz me gomone, te një aleat strategjik i Italisë

Historia e emigracionit nga Shqipëria në Pulia. Gjatë periudhës së emergjencës kalonin edhe 40 gomone në natë në bregdetin e Salentos. Ardhja e anijes “Vlora” në vitin 1991 dhe tragjedia shqiptare e anijes “Kateri i Radës”

Gazeta Si - Nga një bazë për skafistët dhe kontrabandistët, që menaxhonin trafikun e qenieve njerëzore, duke dërguar deri në 40 gomone për një natë plot me njerëz të dëshpëruar në brigjet e Pulias, në një aleat strategjik të Italisë për të frenuar fluksin e emigrantëve.

Kjo është parabola dhe shëmbëlltyra e Shqipërisë, e cila do të presë në territorin e saj dy qendra në juridiksionin italian për njerëzit e shpëtuar në det, rezultat i një marrëveshjeje të shpallur nga kryeministrja Giorgia Meloni dhe kryeministri shqiptar Edi Rama.

Ish-bazë e trafikantëve dhe skafistëve

Megjithatë, vetë Shqipëria ishte për një kohë të gjatë baza e organizatave ndërkombëtare kriminale që përfitonin nga trafikimi i qenieve njerëzore, duke përdorur qindra gomone që shndërroheshin në varka për t'u drejtuar drejt brigjeve të Salentos, në gjendje për të kaluar për pak orë Kanalin e Otrantos.

Një histori e gjatë e shënuar me nisje dhe ndjekje, zbarkime dhe mbytje anijesh, përplasje dhe trajektore të çmendura të ndodhura në Adriatik, ku nuk kanë munguar edhe tragjedi të mëdha.

Si ajo e 28 marsit të vitit 1997, në mbrëmjen e të Premtes së Shenjtë, kur anija patrulluese shqiptare "Kateri i Radës" u përplas nga anija ushtarake e marinës italiane, “Sibilla”.

Kjo e fundit ishte e angazhuar në një bllokadë detare me emrin e koduar "Flamujt e Bardhë" për zmbrapsjen e emigrantëve dhe u mbyt në brigjet e Otrantos: vdekjet e konfirmuara ishin 57 shqiptarë, mes të cilëve gra dhe fëmijë të dëshpëruar që largoheshin nga vendi për t’i shpëtuar luftës.

Por edhe më parë, ka pasur zbarkime dhe viktima të tjera, mbytje të tjera anijesh dhe arratisje të organizuara nga skafistët-kriminelë.

Për të mbuluar arratisjen e tyre dhe për të detyruar Guardia di Finanza-n dhe patrullat e rojës bregdetare të ndalonin, ata nuk hezitonin t'i hidhnin edhe fëmijët në det.

Zbarkimi i anijes “Vlora” në vitin 1991

Historia e emigracionit nga Shqipëria në Pulia daton në fillim të viteve ’90, një emergjencë që iu zbulua botës me hyrjen në portin e Barit të anijes “Vlora”.

Ishte 8 gusht 1991, në atë anije të vjetër tregtare të transformuar në një “kodër-milingonash”, 20 mijë shqiptarë gjetën vend dhe më pas u transferuan në stadiumin e Barit, “Della Vittoria”, sepse nuk kishte asnjë vend tjetër ku mund të priteshin.

Më pas, skenari ndryshoi në mënyrë progresive: nga zbarkimet masive, u kalua te gomonet, gjithnjë e më të fuqishme dhe më të shpejta, mjete detare autentike që lundronin në brigjet e Salentos së poshtme.

Strategjia italiane

Një emergjencë që qeveria italiane është përpjekur ta frenojë duke vendosur gjithashtu ushtrinë në bregdetin e Pulias dhe duke intensifikuar marrëveshjet diplomatike për të parandaluar nisjet.

Por nisma ka dështuar, e menaxhuar nga një federatë ndërkombëtare bandash të afta për të spekuluar mbi emergjencat ndërkombëtare të shkaktuara nga varfëria dhe lufta.

Dhe kështu, njerëz të dëshpëruar nga Kosova mbërritën në Pulia me anije turistike të vjedhura nga Mali i Zi aty pranë, por edhe refugjatë nga Lindja e Mesme.

Emergjenca vazhdoi, e shënuar nga faqe të tjera dramatike dhe netë solidariteti, si ajo e 24 janarit 1999, kur në Castro, rreth 40 kilometra larg Leçes, njerëzit dolën në rrugë dhe hapën dyert e shtëpive të tyre për të ndihmuar burrat, gratë dhe fëmijët, të cilët ndodheshin ende duke u kapur pas shkëmbinjve për t'i shpëtuar detit pas një tjetër tragjediëe në det.

Kontrollet janë bërë gjithnjë e më të forta, po ashtu edhe aktiviteti diplomatik, i shoqëruar me bashkëpunim të ngushtë ndërkombëtar mes prokurorëve italianë dhe shqiptarë.

Përderisa bazat e gomoneve nuk janë çmontuar, edhe pse rruga e anijeve me vela nga Turqia ende vijon mbi bregdetin e Pulias, emergjenca u zhvendos në anën tjetër të Mesdheut.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë