Futboll

Para të pista dhe korrupsion, FA heton shitjen e stadiumit Wembley

Federata angleze e futbollit është duke investiguar çështjen e shtijës së stadiumit “Wembley” tek investitorët privatë. Propozimi prej rreth 700 milionë euro për të marrë stadiumin ka hije të mëdha dyshimi, për të cilat federata ka hapur hetimin.

E gjithë historia filloi nga një “cicërimë” në Twitter. Ishte Craig Kline, ish-drejtor i klubit Fulham që postoi në rrjetin social këto dyshime. “I dashur këshill i Federatës Angleze të Futbollit, unë kam të dhëna të dukshme për një korrupsion të madh në çështjen e stadiumit Wembley sa i përket manipulimit të votave dhe parave të pista. Ju lutem pranojeni këtë informacion prej meje.”- shkruante Kline në Twitter.

Pas këtij statusi Federata Angleze ka dalë me një njoftim për shtyp. “ Ne kemi rënë në kontakt me akuzat e zotit Kline kundrejt Fulham edhe më herët. Ne aktualisht jemi në proces rishikimi të të gjitha këtyre akuzave.”- thuhet në deklaratën e FA. Klubi i Fulham nga ana tjetër i mohon kategorikisht akuzat që ngrihen nga eksperti amerikan.

Craig Kline, është ekspert amerikan në përpunimin e të dhënave. Ai u largua nga Fulham nëntorin e kaluar, pasi u përplas me figura të tjera të larta të klubit. Madje konflikti i drejtorit amerikan me pronarët pakistanez të klubit shkoi deri në shkallën që në një nga sherret ka ndërhyrë policia britanike.

 Pas largimit të tij nga klubi londinez, Kline shkroi një seri akuzash serioze rreth praktikave të klubit të cilat më vonë u fshinë. Ai ka lëshuar akuza edhe në lidhje me tratativën e blerjes nga ana e Khan të stadiumit Wembley, duke aluduar për tentativa për korrupsion dhe futje të parave të pista në këtë marrëveshje.

Kline ishte një mik për një kohë të gjatë i presidentit të Fulham, Shahid Khan. Madje ata kanë pasur njohje që nga fëmijëria, ku kanë bashkëpunuar për një kohë të gjatë në biznes, siç ishte dhe marrja e klubit të Fulham. Por prishja e raporteve mes të dyve ka sjellë një luftë të vërtetë që mund të hapë tema të mëdha në sportin britanik, pasi Khan është përfolur si njeriu më i interesuar për të blerë stadiumin kombëtar, “Wembley”. Në një Twteet nga Kline të martën, ai ka pohuar se bashkë me Khan kishin punuar së bashku për të ndërtuar një sistem të tërë korruptiv në futboll.

Nga ana e tij pronari i Fulham, Shahid Khan është mbrojtur. Ai ka qenë i njohur për mediet ndërkombëtare për shkak të pasurisë së madhe që zotëron, por në muajt e fundit emri i tij është lakuar së tepërmi. Ai ka ofruar rreth 700 milionë euro për të blerë stadiumin e kombëtares angleze të futbollit, “Wembley”.

https://www.youtube.com/watch?v=vKYjCmD7m1Q

Khan po tenton të blejë, mitikun Wembley jo vetëm për ndeshjet e klubit të tij në Premier League, Fulham, por dhe për skuadrën tjetër të tij në SHBA, Jacksonville Jaguars.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë