Mendim

Para kujt raportuan ERE dhe ERU në Kuvend dhe deputetët që nuk e dinë pse janë aty

Një prej detyrave thelbësore që Kushtetuta dhe gjithë kuadri ligjor i ngarkon Kuvendit, si institucioni më i lartë në vend dhe që përfaqëson e mbron interesat e qytetarëve është ai i mbikëqyrjes dhe kërkesës së llogaridhënies së institucioneve të tjera.

Për këtë qëllim institucionet e tjera ngarkohen me detyrën që të paraqesin çdo vit një raport të detajuar mbi punën e kryer përgjatë 12 muajve. Radha për të raportuar këtë të enjte në seancë plenare ishte e Entit Rregullator të Energjisë dhe Entit Rregullator të Ujit.

Të dyja këto institucione kanë në dorë vendimmarrje me rëndësi që ndikojnë drejtpërdrejtë te xhepat e qytetarëve dhe cilësinë që u ofrohet energjia elektrike dhe të uji atyre. Por, pavarësisht kësaj, salla e Kuvendit gjatë raportimit të Petrit Ahmetajt të ERE dhe Ndriçim Shabanit të ERU ishte pothuajse bosh.

Deputetët, si të mazhorancës, ashtu edhe të opozitës siç duket kanë nisur pushimet para kohe dhe në sallën e vakët barra e pyetjeve për dy Entet iu la Kujtim Gjuzit, Myslim Murrizit dhe Adriatik Alimadhit.

Prandaj, kjo braktisje nuk është thjesht braktisje e sallës, por braktisje e interesit të qytetarëve, që në rastin më të mirë tregon një papërgjegjshmëri totale të deputetëve dhe ushqen edhe më shumë atë që përflitet prej kohësh nga qytetarët; se në atë sallë deputetët nuk janë për të mbrojtur interesat e atyre që i kanë votuar, por interesa të tjera, edhe personale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë