Analize

Paqja në Evropë ka marrë fund, duhet të përgatitemi për kërcënimet në rritje

Nga Nick Timothy-Pas dekadash vetëkënaqësie, po përballemi me realitetin e hidhur. Vendet e gjithë botës nuk po afrohen në mënyrë të pashmangshme me njëra-tjetrën. Autokracitë nuk po kthehen drejt demokracisë dhe liberalizmit, ndërsa konkurrenca gjeopolitike po bëhet gjithnjë e më e rrezikshme.

Sot vendet e Evropës po përballen me kërcënime të shumta për sigurinë e tyre. Rusia po e vazhdon luftën e saj kundër Ukrainës, dhe në të ardhmen mund të sulmojë edhe vende të tjera. Kremlini, Pekini dhe të tjerët po punojnë për ta dëmtuar sigurinë dhe stabilitetin tonë, duke na vjedhur sekretet industriale dhe ushtarake, kryer sulme kibernetike ndaj nesh, por edhe të ashtuquajturën luftë hibride.

Irani, që një ditë do ta arrijë qëllimin e tij për të pasur armë bërthamore, po i përdor milicitë e mbështetura prej tij për të sulmuar interesat perëndimore dhe për të penguar rrugët tregtare globale. Al-Kaeda po rigrupohet nën mbështetjen e regjimit të talebanëve në Afganistan.

Islamikët radikalë vazhdojnë të veprojnë lirshëm në të gjithë kontinentin. Terroristët e tyre po komplotojnë sulme, ekstremistët po përhapin ideologjinë dhe urrejtjen e tyre radikale, ndërsa organizatat e lidhura me Vëllazërinë Myslimane, marrin fonde publike dhe fitojnë legjitimitet nga bashkëpunimi me politikanët, organet publike dhe mediat.

Midis miliona njerëzve që vijnë në Evropë nga Afrika e Veriut dhe Lindja e Mesme, janë edhe radikalët dhe ekstremistët, disa prej të cilëve do të sulmojnë në mënyrë të pashmangshme dhe vrasin civilë të pafajshëm. Nga brenda dhe jashtë Evropës, forca të fuqishme duan të shkatërrojnë sigurinë, zhvillimin dhe mënyrën tonë të jetesës.

Madje edhe tani, ndërsa vetëkënaqësia jonë po zbehet, niveli ynë i gatishmërisë është shumë i dobët. Kriza e emigracionit të paligjshëm vazhdon. Islami radikal tolerohet. Dhe në raport me Kinën, interesat tregtare afatshkurtra cilësohen si më të rëndësishme sesa rreziqet afatgjata të sigurisë.

Edhe pse Donald Trump po e vë në dyshim të ardhmen e NATO-s, dhe republikanët në Amerikë nuk mbështesin Ukrainën, duke kërkuar që Evropa të paguajë më shumë për sigurinë e saj, debati mbi aftësitë e mbrojtjes evropiane i ngjan një polemike të një kohe tjetër.

Kryeqytetet evropiane janë aq të hutuara në lidhje me këtë sfidë, sa që nëse Trump i fiton zgjedhjet e ardhshme presidenciale në nëntor, ka shumë të ngjarë që ai të detyrojë Ukrainën të heqë dorë nga një pjesë e territorit që është tashmë e pushtuar dhe të pajtohet me Rusinë.

Madje disa republikanë spekulojnë se ai do të shpallë brenda 3 muajsh synimin e tij për të zhbërë traktatin e NATO-s. Nëse do të ndodhte kjo e fundit, ka të ngjarë që të ishte një qasje  negociuese agresive, e krijuar enkas për të detyruar evropianët të rrisin kontributin e tyre financiar në aleancë.

Megjithatë, një veprim i tillë do ta trimëronte më tej Vladimir Putinin, do të shkatërronte besimin midis aleatëve dhe do t'i linte evropianët pa iluzionin se në të ardhmen ata duhet t'ia dalin vetëm. Dhe e vërteta është se kjo mund të ndodhë shumë shpejt.

Ky duhet të jetë fakti më emergjent në politikën e çdo vendi në Evropë. Por në vend të kësaj, debati, për aq sa mund të quhet i tillë, po përqendrohet tek vendet që arrijnë objektivin për të shpenzuar 2 për qind të PBB-së në mbrojtje. Një objektiv, për të cilin qeveritë e NATO-s ranë dakord se do ta arrinin 10 vjet më parë.

Por vëmendje dhe energji po harxhohet edhe mbi çështjen se cili kandidat duhet të emërohet si Sekretari i ri i Përgjithshëm i NATO-s. Mark Rutte, aktualisht më i preferuari në gjirin e aleancës, është një politikan që e trajtoi mirë Trumpin kur ishte kryeministër i Holandës.

Por republikanëve nuk do t’u duhet shumë kohë për të kuptuar se Holanda, një vend shumë i pasur shpenzon në fakt vetëm 1.7 për qind të PBB-së së saj për mbrojtjen. Është e vërtetë që po rriten shpenzimet e mbrojtjes në Evropë.

Për shembull, Polonia shpenzon sot deri në 3.9 për qind të PBB-së së saj. Vendet e tjera të kërcënuara nga Rusia - Estonia, Finlanda, Letonia dhe Lituania - kanë rritur ndjeshëm shpenzimet e tyre. Por në tërësi Evropa ende shpenzon nën 2 për qind, dhe vendet kryesore mbeten ende prapa në raport me këtë objektiv.

Gjermania ka marrë angazhime për shpenzimet në të ardhmen, por vitin e kaluar shpenzoi vetëm 1.57 për qind të PBB-së për mbrojtje. Franca nuk po arrin ende objektivin, dhe ndërsa Britania e ka arritur, ajo shpenzon më pak se dikur.

Pyetja nuk është më nëse Evropa mund të arrijë objektivin e saj prej 2 për qind, por nëse vendet evropiane kanë aftësitë që u nevojiten për të mbrojtur veten dhe interesat e tyre, dhe në çfarë niveli dhe me çfarë lloj shpenzimesh do ta ofrojnë këtë.

Për shembull, Italia dhe Spanja shpenzojnë rreth 60 për qind të buxheteve të tyre të mbrojtjes për personel, ndërsa në SHBA kjo normë është vetëm 28 për qind. Pra më pak se sa shpenzon për pajisjet kryesore, kërkimin dhe zhvillimin teknologjik në këtë fushë.

Vitin e kaluar vendet e NATO-s shpenzuan së bashku 1.26 trilionë dollarë për mbrojtje, por 860 miliardë dollarë prej tyre ishin shpenzime të SHBA-së, dhe vetëm 375 miliardë dollarë erdhën nga Evropa. Në fakt, nëse Evropa do të marrë përgjegjësinë për sigurinë e saj, vendet e saj do të jenë të detyruara të shpenzojnë shumë më tepër se 3 për qind e PBB-së së tyre të marrë së bashku. Dhe ndërsa të gjitha vendet e NATO-s po e arrijnë tani objektivin për të shpenzuar 20 për qind të buxheteve të mbrojtjes për pajisje, atyre do t'u duhet ende të investojnë më shumë në kërkimin dhe zhvillimin dhe teknologjitë e reja ushtarake.

Por për ta bërë këtë dhe për të koordinuar aftësitë, do të duhet të arrihen marrëveshje të reja. Duke pasur parasysh ashpërsinë e kërcënimeve me të cilat përballemi, dhe bindjen se Evropa nuk do të jetë më në gjendje ta mbajë këtë barrë e vetme - pavarësisht nga identiteti i presidentit të ardhshëm të Amerikës - Britania e Madhe duhet të marrë një rol udhëheqës në mbledhjen e liderëve evropianë dhe duhet ta nisën këtë punë që tani.

Së bashku me Francën, fuqinë tjetër ushtarake kryesore të Evropës, dhe duke bashkëpunuar me vendet kyçe si Gjermania dhe Polonia, qeveria britanike duhet të thërrasë një samit të sigurisë shumë përpara zgjedhjeve presidenciale të SHBA-së.

Rritja e shpenzimeve në mbrojtje - sidomos kur bëhet fjalë për teknologjinë, kërkimin dhe zhvillimin - mund të sjellë një sukses tregtar dhe industrial, siç ka ndodhur tashmë në Amerikë por edhe vende si Izraeli dhe Estonia. Megjithatë nuk ka kuptim të pretendosh se buxhetet më të mëdha të mbrojtjes nuk do të nënkuptojnë zgjedhje të vështira.

Nëse ato do të arrijnë të shpenzojnë 3 për qind të PBB-së për mbrojtjen, shpenzimet për ndihmën ndërkombëtare do t'u duken shumë shpejt si një luks që nuk mund ta përballojnë.

Ky është realiteti i botës në të cilën po jetojmë aktualisht. 18 për qind e territorit ukrainas është i pushtuar nga Rusia, dhe 6.4 milionë ukrainas janë refugjatë jashtë vendit. Dhe ndërsa kjo fazë e luftës nisi 2 vjet më parë, armiqësitë filluan në fakt që një dekadë më parë kur Putin pushtoi dhe aneksoi Krimenë.

Historia na ka mësuar gjithmonë, se agresorët e shfrytëzojnë dobësinë dhe se paqja mund të arrihet vetëm përmes forcës. Qoftë armiku Rusia, Kina apo Irani, qoftë kërcënimi nga terroristët brenda apo ushtritë jashtë vendit, ne duhet të tregojmë se jemi më të fortë dhe më të vendosur se sa ata.

Burimi: Daily Telegraph/Përshtati Gazeta Si

Shënim: Nicholas Timothy është një ish-këshilltar politik britanik


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë