Rend dhe Ligj

Pandemia nuk i ndal klandestinët-Agjenci nga Athina organizojnë trafikun

Nga Blerina Goce-Ata kanë në duar qese ushqimesh, dhe shpesh vijnë vërdallë rrotull qendrës së Tiranës. Janë dy djem të rinj nga Palestina, të cilët tashmë kanë disa javë, që gjenden në Shqipëri.

“Na ndihmo”, thotë njëri prej tyre, që shpjegon se nuk është lypës, por ka nevojë për ushqim.

Si ky I ri që nuk dëshiron të identifikohet ka me dhjetëra emigrantë nga Lindja e Mesme dhe Afrika, të cilët tashmë ndodhen në Qendrën Kombëtare Pritëse për Azilkërkuesit në Babrru, në periferi të Tiranës.

Ëndrra e tyre për të shkruar në Europë, vështirë të përmbushet. E panë Shqipërinë si “korridor kalimi” por tani kanë ngecur. Shumë prej tyre janë ndaluar nga policia shqiptare bashkë trafikantët vendas

Por si funksionin “skema” e transportit të këtyre emigrantëve?

E. është një prej atyre që transporton emigrantë përmes pikës kufitare të Kapshticës.

Në kushte anonimiteti, ai shpjegon se shumica e emigrantëve, të cilët duan të largohen drejt vendeve të Bashkimit Europian janë të rinj dhe në gjendje të mirë ekonomike, ndërsa mes tyre ka edhe familje.

“Ata largohen nga vendi i tyre për shkak të situatës politike dhe gjendjes ku vendi i tyre ndodhet. Ai I tregoi gazetës “Si”, emigrantët kundrejt një pagese jo të vogël lidhen me një agjenci në Athinë, e cila iu premton se do t’i kalojë në një vend evropian.

Pas marrëveshjes ata transportohen për në kufirin Greqi-Shqipëri, të cilin e kalojnë me këmbë për shkak të terrenit të vështirë.

“Zakonisht me grupin e emigrantëve ndodhet edhe një njeri i dërguar nga agjencia, që kontrollon nëse gjërat po shkojnë sipas planit.”, shprehet E.

Udhëtimi mund të shkojë disa ditë dhe më pas këta emigrantë hipin në një furgon të marrë me qira, që shoqërohet edhe nga një makinë tjetër, që kontrollon rrugën nëse ka apo jo policë.

Më pas fillon udhëtimi drejt Tiranës, dhe në shumicën e rasteve është vendosur një marrëveshje me policët e qyteteve, të cilët kundrejt pagesës lejojnë kalimin pa probleme.

Kjo është skema më e zakonshme për kalimin e emigrantëve, por E. tregon se ka edhe mënyra të tjera.

Shqipëria është përballur me një fluks në rritje të azilkërkuesve dhe emigrantëve të parregullt gjatë dy viteve të fundit, të cilët e përdorin Shqipërinë si rrugë tranziti për në vendet e Bashkimit Europian.

Sipas Policisë së Shtetit, të gjithë emigrantët që kanë hyrë në Shqipëri, kanë hyrë nga kufiri jeshil me shtetin grek dhe janë nga vendet e treta, si Siria apo Afganistani.

Burime zyrtyare nga policia i thanë gazetës “Si”, se “policia Kufitare në Kakavijë dhe e Kapshticë ka shtuar patrullat që patrullojnë në kufirin e gjelbër. Emigrantët që janë kapur, shumica kanë pranuar të kthehen mbrapa, ndërsa një pjesë e vogël kanë kërkuar azil në Shqipëri dhe janë akomoduar në qendrën e hapur në Kareç.”

Sipas policisë një pjesë e këtyre emigrantëve nuk e kanë për herë të parë që tentojnë të kalojnë kufirin nga Shqipëria në këtë mënyrë dhe janë kapur më shumë se tre a katër herë.

“Qëllimi i tyre nuk është asnjëherë punësimi në Shqipëri, por për të kaluar ilegalisht në një nga vendet e BE.”, saktësohet nga Policia e Shtetit.

Nga Kakavija dhe Kapshtica sipas të dhënave janë kapur rreth 3 mijë emigrantë nga janari 2020 e deri tani.

“Policia e Shtetit, duke filluar që nga Policia e Korçës, Gjirokastrës dhe Shkodrës ka bërë dhjetëra operacione për të goditur raste të kalimit të paligjshëm të kufirit dhe deri tani janë goditur gati 150 raste të tentativës për dhënieje ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit me Greqinë apo Malin e Zi.”,- bëhet me dije për gazetën “Si” nga burime pranë Policisë së Shtetit.

Këta emigrantë merren në kufi dhe më pas ata i afrojnë në kufi, ku tentojnë t’i ndihmojnë kundrejt fitimit, që varion nga 200-1000 Euro për person.

Gjatë 10 mujorit të fundit janë arrestuar mbi 150 shqiptarë, të cilët janë kapur duke transportuar emigrantë në mënyrë të paligjshme dhe mbi 20 emigrantë.

Megjithatë për shkak të pandemisë fluksi I emigrantëve klandestinë ka rënë. Një vit më parë, sipas të dhënave zyrtare nga policia,ishin 5 mijë persona të arrestuar për këtë vepër kriminale në të njëjtën periudhë, ose 20 përqind më pak emigrantë të paligjshëm.

Skema e zhvendosjes së refugjatëve në vendet e BE duket se ka dështuar prej kohësh si pakt. Shumë vende të BE refuzuan sistemin e kuotave, që supozonte një rishpërndarje të drejtë të refugjatëve dhe sipas analistëve kjo ka bërë që në kufitjë lindor të unionit të përqëndrohen shumë klandestinë.

Të gjitha vendet e Ballkanit kanë njohur një fluks në rritje të emigrantëve, por veçanërisht Greqia, e cila është përballur me rritje të refugjatëve, që kur Turqia hapi kufirin. Greqia numëronte rreth 96 500 migrantë të parregullt për vitin 2019 dhe akoma më shumë për vitin 2020. Këta emigrantë kalojnë në shumicën e rasteve tranzit përmes Shqipërisë.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë