Shkencë

Pandemia e heshtur e rezistencës ndaj antibiotikëve

Patricia Geli dhe Otto Cars- Kur Organizata Botërore e Shëndetësisë nisi vitin e kaluar “Javën Botërore të Ndërgjegjësimit Antimikrobik”, ajo e  zgjeroi fokusin e fushatës,  nga antibiotikët tek të gjithë antimikrobikët - duke përfshirë ilaçe antivirale, antifungale dhe antiprotozoale.

OBSh tha se inkuadrimi i përgjigjes së rezistencës ndaj antibiotikëve (RAB) brenda agjendës më të gjerë të rezistencës antimikrobike (RAM), përfshirë HIV dhe malarien, do të “lehtësonte sinergjinë dhe efikasitetin programor dhe do të katalizonte veprimin në nivel vendi për të luftuar infeksionet rezistente ndaj barnave”.

Por megjithëse ka shumë të përbashkëta midis RAB-së dhe RAM-së, ka edhe ndryshime të rëndësishme që justifikojnë vëmendjen e  veçantë ndaj antibiotikëve.

RAB ka qenë një pandemi me rritje të ngadaltë, e nxitur pjesërisht nga mbështetja politike relativisht e dobët për zbatimin e planeve kombëtare të veprimit që përfshijnë krijimin e sistemeve të mbikëqyrjes me burime të mira.

Mungesa e të dhënave specifike për kontekstin mbi barrën shëndetësore dhe ekonomike të rezistencës ka krijuar një pengesë për veprimin e politikave.

Megjithëse ekzistojnë shifra  të përgjithshme të barrës globale RAM - më të përmendurit, nga hulumtimi i  pavarur i Mbretërisë së Bashkuar “2014-16 RAM”, i kryesuar nga ekonomisti Jim O’Neill, duke e vënë numrin e vdekjeve në 700 mijë  në vit - këto nuk e përfaqësojnë krejtësisht problemin RAB, për shkak të fushës së  kufizuar të baktereve të mbuluara.

Në fakt, vlerësimet sugjerojnë se vetëm RAB merr më shumë se 750 mijë jetë çdo vit, me numrin më të madh të mundshëm të fëmijëve, në vendet më të varfra.

Në një studim të fundit global, 79% e mjekëve që trajtojnë të sapolindurit raportuan një trend në rritje të infeksioneve rezistente ndaj ilaçeve gjatë pesë viteve të fundit, ndërsa 54% përmendën RAB-në si shkakun kryesor të dështimit në trajtimin e sepsisit neonatal, një infeksion gjaku që prek të sapolindurit.

Në të kaluarën, problemi i rezistencës ndaj barnave zakonisht është adresuar duke studiuar dhe zhvilluar antibiotikë të rinj. Por,  megjithëse studimi dhe zhvillimi është një element i rëndësishëm i përgjigjes së RAB-së, është shkencërisht sfidues dhe i kushtueshëm.

Në fakt, ka vijuar një garë armatimesh midis zhvillimit të medikamentit dhe rezistencës. Me pak antibiotikë të rinj në tubacionin e zhvillimit, ne kemi nevojë për stimuj që të nxitim kërkimin dhe zhvillimin e barnave,  ndërsa shkëputim kthimet e investimeve nga vëllimet e shitjeve, në mënyrë që të ngadalësojmë evolucionin e rezistencës.

Në të njëjtën kohë, barnat e reja që vijnë në treg duhet të jenë të arritshme dhe të përballueshme për të gjithë ata që kanë nevojë për to. Kostoja shtesë mesatare e përgjithshme e rezistencës,  e imponuar nga kalimi në trajtime të linjës së dytë,  mund të jetë e konsiderueshme me afro 700 dollarë për infeksion.

Në shtetet e brishta ku pagesat nga xhepi i individëve zënë 55% të shpenzimeve totale shëndetësore, kjo mund të ketë pasoja katastrofike, duke përfshirë rritjen e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë, si  dhe varfërimin afatgjatë.

Kostot shëndetësore dhe ekonomike të RAB-së duhet të përcaktohen në mënyrë që qeveritë të binden për të ndërhyrë dhe të forcojnë stimujt për zhvillimin e antibiotikëve. Kjo, nga ana tjetër, do të justifikojë investimet dhe partneritetin publik-privat,  të nevojshëm për të sjellë barna të reja në treg.

Fakti që RAB duket se po fiton garën e armëve,  e bën akoma më të rëndësishme ruajtjen e antibiotikëve ekzistues. Por nuk ka asnjë mënyrë të vetme për ta bërë këtë.

Në shumë vende, për shembull, rritja e aksesit në barna është e domosdoshme për të zvogëluar sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë e panevojshme,  nga infeksionet bakteriale.

Nisma të tilla si Fondi Global për Luftimin e SIDA-s, Tuberkulozit dhe Malaries kanë adresuar pjesërisht çështjen e aksesit në barnat efektive antiretrovirale, antiturbekulare  dhe antimalarike.

Por siç thotë një raport i OBSh-së, “nuk ka asnjë mekanizëm të ngjashëm financimi ose shpërndarjeje që të plotësojë nevojat përkatëse për antibiotikë efektivë, kundër gamës së gjerë të infeksioneve të zakonshme bakteriale në vendet në zhvillim”.

Në këtë kontekst, Fondi i Mirëbesimit Multi-Partner,  i sapo krijuar,  është një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur. Megjithëse fushëveprimi financiar i fondit është akoma modest, ai do të mbështesë vendet në zbatimin e planeve të veprimit kombëtar kundër kërcënimit të RAM-së, përfshirë RAB-në.

Balancimi i nevojës për të ruajtur efektivitetin e antibiotikëve ndërsa zgjerohet  qasja në to është sfidues, sepse përdorimi më i gjerë në mënyrë të pashmangshme do të rrisë RAB-në.

Problemi është i ndërlikuar në shumë vende më të varfra, ku konfliktet civile, higjiena e dobët, ushqimi dhe furnizimet jo të besueshme të ujit rrezikojnë përhapjen e shpejtë të patogjenëve rezistentë.

Por shkalla e plotë e problemit mbetet e fshehur, për shkak të mungesës së sistemeve kombëtare të mbikëqyrjes për monitorimin e përdorimit dhe rezistencës së barnave antibiotike.

Një qasje e sistemeve shëndetësore është kritike për të siguruar që,  pasojat e padëshiruara të kontrollit të RAB-së nuk pengojnë qasjen e drejtë dhe të qëndrueshme në barnat që shpëtojnë jetën.

Afrika,  kohët e fundit ka bërë progres të rëndësishëm në këtë drejtim. Shtatorin e kaluar, krerët e shteteve dhe qeverive të Bashkimit Afrikan miratuan një qëndrim të përbashkët për kontrollimin e RAM-së.

Përveç kësaj, Afrika po udhëheq rrugën në përpjekjet bashkëpunuese për COVID-19, si përfshirjen e teknologjive më të përparuara të tilla si, mbikëqyrja dixhitale dhe sekuencimi i gjeneratës së ardhshme.

Këto mund të bëhen një komponent thelbësor i Rrjetit të Mbikëqyrjes RAM të Qendrave Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, i cili synon të lidhë aktorë nga sektorët e shëndetit të njerëzve dhe kafshëve.

Përpjekje të tilla janë veçanërisht të rëndësishme në kontekstin afrikan, ku shumë vende me të ardhura të ulëta dhe të cenueshme pritet të mbajnë barrën e pasojave negative të RAM-së. Problemi në rritje i RAB-së nuk respekton kufijtë kombëtarë.

Në thelb është rezultat i dështimeve të shumta sistemike, të cilat vetëm veprimi kolektiv global urgjent mund t’i kapërcejë./ Project Syndicate. Përktheu:Gazeta Si.

*Patricia Geli është Ekonomiste e Lartë dhe Specialiste e Shëndetit Publik në Grupin e Bankës Botërore. / Otto Cars është Profesor i Lartë i Sëmundjeve Infektive në Universitetin Uppsala në Suedi dhe Themelues i ReAct - Aksioni për Rezistencën Antibiotike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë