Art dhe Kulture

Pandemia, as këtë vit nuk do të ketë ceremoni për Çmimet Nobel

“Nuk do të ketë asnjë ceremoni në Stokholm këtë vit dhe laureatëve do t’u dërgohen medaljet e tyre në shtëpi”, është shprehur Fondacioni Nobel në një deklaratë të enjten.  

Ky vendim merret për të dytin vit radhazi, si pasojë e kufizimeve të Covid-19.

Festimet tradicionale u zëvendësuan edhe vitin e kaluar me një festë kryesisht dixhitale, pasi pandemia tërboi Europën dhe pjesën tjetër të botës.

“Unë mendoj se të gjithë do të donin që pandemia COVID-19 të kishte mbaruar, por ne nuk kemi arritur ende në këtë pikë”, tha Fondacioni Nobel në një deklaratë, duke shtuar se shpresojnë të mbajnë një ceremoni të vogël, pavarësisht se laureatët nuk do të jenë të pranishëm.  

Fondacioni tha se ceremonia do të transmetohet në televizion dhe do të transmetohet drejtpërdrejt përmes platformave dixhitale të Çmimit Nobel.

Komiteti Norvegjez i Nobelit po mban të hapur mundësinë e dhënies së Çmimit Nobel për Paqe në Oslo në një event më të vogël.

“Në mes të tetorit, Komiteti do të njoftojë formatin e festimeve të Nobelit në Oslo”, është shprehur mes të tjerash Fondacioni Nobel. 

Çmimi i Paqes vitin e kaluar iu dha Programit Botëror të Ushqimit në një ceremoni virtuale.

Çmimet Nobel të këtij viti, që do të jepen për arritjet në mjekësi, fizikë, kimi, letërsi, paqe dhe ekonomi, do të shpallen nga 4 deri më 11 tetor.

Fituesit e Nobelit për vitin 2020 do t’i merrnin çmimet e tyre në një transmetim online, ndërkohë që ishin të gjithë në shtëpitë e tyre.

Ndërkohë që në një auditor, thuajse të zbrazët, muzikantët luajtën pjesë të ndryshme muzike klasike.

Çmimi Nobel u themelua në vitin 1895 nga kimisti suedez, Alfred Nobel (1833-1896), autor i rreth 350 shpikjeve, por më i famshëm për shpikjen e dinamitit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë