Ne rrjet

Palmer: Të rinisë dialogu, Kosovës i duhet qeveria e re

Komuniteti ndërkombëtar duket se intensifikon thirrjet për rikthimin e Kosovës dhe Serbisë në tryezën e negociatave. Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit për Europën dhe Euroazinë, njëherësh i dërguar i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, kërkoi rifillimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

 “Kosovës i duhet një qeveri. Ne po presim për vendimin e Gjykatës Kushtetuese që do t’i hapte rrugën zgjidhjes së çështjeve që kanë të bëjnë me formimin e qeverisë. Dua të nënvizoj se Shtetet e Bashkuara nuk duan të ndikojnë procesin në asnjë mënyrë, nuk duam të zgjedhim qeverinë e re të Kosovës, nuk kemi favorit, nuk mbajmë anë. Ajo çfarë duam të shohim është një proces i mbështetur në Kushtetutën e kuadrin ligjor të Kosovës, që prodhon një qeveri që është përfaqësuese dhe ka fuqi të angazhohet në procesin e bisedimeve”, deklaroi Palmer.

Gjithashtu Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian (BE) për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, ju rikthye çështjes së dialogut pas deklaratës së presidentit Hashim Thaçi se nuk do të përfshihej në bisedimet me Serbinë, nëse ato të zhvilloheshin nën ndërmjetësimin e përfaqësuesit të posaçëm të BE, Miroslav Lajcak. Borrel tha se e dialogu i ndërmjetësuar nga BE, ishte thelbësor për të ardhmen europiane të Ballkanit Perëndimor.

“Si BE ne jemi të përkushtuar t’i shoqërojmë ata në çdo hap të rrugës së tyre. Por që e ardhmja evropiane të bëhet realitet për njerëzit, dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja nuk mund të anashkalohet”, ka shkruar Borrell në rrjetin social Twitter.

Që nga muaji prill, Bashkimi Europian ka emëruar Mirosllav Lajçak, si përfaqësues të posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Por presidenti Hashim Thaci nuk e mbështet zgjedhjet, ndërsa kujton se vendi i Lajçak, Sllovakia nuk e ka njohur pavarësinë dhe se  diplomati kishte votuar kundër anëtarësimit në UNESKO.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë