Ne rrjet

Palmer: Presidenti Trump është shumë i përqendruar tek Kosova

Përfaqësuesi Special i SHBA për Ballkanin Perëndimor Matthew Palmer ka deklaruar së fundmi se presidenti Donald Trump është tejet i përqendruar tek çështja e Kosovës.

Kjo sipas tij u vërtetua edhe me emërimin e Ambasadorit Richard Grenell, si i Dërguar Special i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Beograd-Prishtinë.

Duke folur për Zërin e Amerikës, Palmer tha se ai i shikon marrëdhëniet e tyre si partneritet, jo një ndarje e përgjegjësisë. Ai shtoi se ai dhe Grenell do të punojnë së bashku për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, për tu përqendruar më pas tek cëshjet e tjera që shqetësojnë rajonin.

"Unë mendoj se ambasadori Grenell do t'i bëjë presion të dy palëve të veprojnë shpejt. Tani Prishtina dhe Beogradi kanë vëmendjen e Shtëpisë së Bardhë. Kosova ka vëmendjen e plotë jo vetëm të administratës, por edhe të Presidentit Donald Trump, "tha Palmer.

Ai u ndal po ashtu edhe tek mos hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke e quajtur si një gabim strategjik të Bashkimit Europian.

Donald Trump dhe Richard Grenell

Vendimi i Këshillit Evropian për të mos hapur bisedimet e pranimit ishte dekurajues sepse dërgoi një mesazh të gabuar jo vetëm për Tiranën dhe Shkupin por edhe për Beogradin dhe Prishtinën. BE-ja u dërgoi një mesazh këtyre vendeve se mund të zgjidhësh çështje të vështira, mund të arrish një kompromis, por megjithatë mund të të mohohet hyrja në BE , tha Palmer.

Palmer njoftoi se ishte në komunikim të vazhdueshëm me Grenell, për të cilin tha se ishte fokusuar tek fuqizimin ekonomik i Kosovës.

"Unë e di se Ambasadori Grenell është veçanërisht i interesuar në identifikimin e stimujve tregtarë dhe ekonomik që mund të përdoren për të përparuar në frontin politik", tha Palmer duke shtuar se kjo, megjithatë, nuk eliminon nevojën për një zgjidhje politike.

Palmer tha se ai pret që qeveria e re në Prishtinë të heqë tarifat për mallrat nga Serbia dhe Bosnja, ndërsa Beogradi duhet të ndalojë fushatën e saj kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Ai theksoi se qëllimet e SHBA dhe BE-së kur bëhet fjalë për çështjen e Kosovës janë të njëjta, por se nga shtetet anëtare të BE-së po dërgohen mesazhe të ndryshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë