Ne rrjet

Palmer mesazh nga Beogradi: Kosova të heqë taksën ndaj Serbisë

“Kosova duhet të heqë taksën ndaj importeve serbe” . Ky ka qenë mesazhi i zëvendësndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, Mathew Palmer, pas një takimi me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Beograd. Ai bëri të ditur se Shtetet e Bashkuara kërkojnë vazhdimin e dialogut ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian por se për këtë, Prishtina duhet të tërhiqet nga taksa.

“Shohim se taksa është pengesë e tij. Duam që ajo të hiqet në mënyrë që të dyja palët t’i kthehen tryezës së bisedimeve”, tha Palmer.

Që nga ky vendim, Serbia është tërhequr nga dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, duke thënë se negociatat nuk do të vazhdojnë pa heqjen e taksës. Por kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se taksa nuk do të hiqet derisa Serbia të njohë Kosovën.

I pyetur se çfarë pret nga takimi i përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, i cili pritet të mbahet më 1 korrik në Paris, nën organizimin e Gjermanisë dhe Francës, Palmer tha se Uashingtoni e mbështet plotësisht çfarëdo lloj hapi që do të ndërmarrin partnerët europianë për zgjidhjen e problemit.

“Nuk mund t’ju them se si do të rrjedhë takimi në Paris, por qëllimi ynë i përbashkët është të arrijmë një marrëveshje. Besoj se ai takim do t’i udhëheqë të dyja palët në atë drejtim”, tha Palmer.

Vuçiç deklaroi nga ana tjetër tha se nuk është i sigurt nëse takimi në Paris do të mbahet. “Jemi gati për këtë takim, por nuk mendoj se Merkel dhe Macron dëshiron të dëgjojë edhe një herë se si dikush nuk do ta anulojë taksën”, tha Vuçic.

“Kemi biseduar për dialogun e ndalur, mënyrën se si ky dialog duhet të vazhdojë. Pozicionet tona janë të ndryshme, SHBA mbështet pavarësinë e Kosovës, kurse Serbia e konsideron si pjesë të saj. Unë i bërë thirrje Palmerit në emër të Serbisë që të kuptojë kërkesën tonë për nevojën e arritjes së një marrëveshjeje”, deklaroi presidenti serb.

Ai po ashtu është ankuar për taksën ndaj mallrave serbe, duke thënë se Beogradi nuk e ka shfrytëzuar taksën për të bllokuar dialogun me Kosovën. “Nëse nuk jeni në gjendje të transportoni një keks te një shtet tjetër, ku është kuptimi të bisedoni me ta?!”, u shpreh Vuçiç.

Mathew Palmer

Ambasada Amerikane në Kosovë ka kërkuar prej kohësh pezullimin e tarifës duke paralajmëruar se Prishtina zyrtare mund të përballej me pasoja serioze. Ajo ka bërë të ditur përmes një sërë komunikatash se refuzimi për të pezulluar këtë vendim është kundër interesave të SHBA-së, duke e konsideruar pezullimin e përkohshëm të taksës ndaj Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës si mënyrën e vetme për ta çuar përpara procesin e dialogut.

Madje për shkak të taksës ndaj produkteve serbe, politikanët e Kosovës duket se janë futur momentalisht në “listën e zezë” të SHBA-së. Duke folur për mediat dy muaj më parë Prishtinë, kreu i social-demokratëve Shpend Ahmeti. rrëfeu se në takimet e njëpasnjëshme që ka zhvilluar me Ambasadorin Amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, zyrtarëve të institucioneve të Kosovës u është rekomanduar që të mos bëjnë kërkesa për viza amerikane derisa tarifa ndaj mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina të jetë në fuqi.

Qeveria e Kosovës fillimisht vendosi një tarifë prej 10 për qind mbi mallrat serbe më 6 nëntor, duke përmendur “sjelljen negative” të Serbisë dhe ndërmarrjen e një fushate diplomatike ndërkombëtare kundër njohjes së Kosovës.

Vendimi për ta çuar në 100 për qind erdhi më 21 nëntor, një ditë pasi Kosovës iu mohua hyrja në Interpol, për shkak të lobimit të Beogradit zyrtar. Kosova është akuzuar për shkeljen e marrëveshjen e tregtisë së lirë të CEFTA-s, por qeveria deri më tani ka rezistuar ndaj presionit ndërkombëtar për të anuluar këtë vendim, edhe pse nuk dihet nëse do t’i rezistojë atij të Shteteve të Bashkuara.

Mathew Palmer dhe Aleksandër Vuçiç

Analistët thonë se pritet që Shtetet e Bashkuara ta japin maksimumin për t’i vendosur bisedimet dypalëshe mes Beogradit dhe Prishtinës në fazën finale, përmes ndërmjetësimit të Uashingtonit. Por për angazhimin e mëtejshëm , SHBA-ja duket se ka vendosur një kusht: Heqjen e taksave!

Në takimin e tyre në Beograd, presidenti serb dhe Palmer kujtuan edhe bombardimet e NATO-s. Vuçiç i ka thënë zyrtarit të lartë amerikan se ‘serbët nuk ishin engjëj’, por se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë ishte agresion ndaj Serbisë.

“Nuk kishte arsye të mjaftueshme për gjithë këtë agresion, por unë shpresoj që në vitet e ardhshme, njerëzit që morën këto vendime ta shohin përfitimin dhe të drejtën e një kombi të vogël për ekzistencë dhe jetë”, ka thënë Vuçiq para gazetarëve në konferencë me Palmer.

Sipas Vuçiit, “Serbia duhet të mësohet ta respektojë të kaluarën e saj, por duhet të mendojë edhe për të ardhmen”.

“Është e drejta jonë të mos i harrojmë ato që kanë ndodhur, por gjithashtu, ajo që do të ndodhë në të ardhmen është shumë më e rëndësishme se sa ajo që ka ndodhur në të kaluarën. Ne do të fokusohemi të ndërtojmë raportet të mira me Shtetet e Bashkuara”, ka thënë Vuçiç.

Ndërkohë, i pyetur nga gazetarët, zyrtari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Palmer, ka thënë se “e kupton që çështja e intervenimit të NATO-s është ende shumë e ndjeshme për qytetarët në Serbi”. “Natyrisht që ndjejmë keqardhje për jetët e humbura, por ky vendim ishte marrë tashmë. Para se të shohim gjithmonë të kaluarën, duhet të inkurajojmë të gjithë që të shohim të ardhmen”, ka thënë Palmer.

 

Më Shumë